Komuna e Gjilanit ka ndarë sot pako me ndihma për qytetarët. Përmes Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, janë shpërndarë 500 pako ushqimore dhe higjienike.
Por, ky veprim nga Komuna në kohë fushatë u pa nga opozita atje si keqpërdorim.
Ardian Azemi, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Dega në Gjilan, në një reagim të tij tha se Hyseni ka luajtur me ndjenjat e qytetarëve.
Sipas tij paratë e qytetarëve u shfrytëzuan për interesa partiake.
“E papranueshme dhe e dënueshme të keqpërdorësh paranë publike në kohë fushate në interes të partisë në pushtet. Përveç e papranueshme, aspak njerëzore me luajt me ndjenja të njerëzve që kanë hallet e tyre çdo ditë e vazhdimisht, ndërsa shfrytëzojen për interesa partiake me paratë e qytetarëve. Dikush duhet me i pa këto veprime të pushtetit skutave të qytetit“, shkroi ai.
Në ndërkohë, Drejtori i Shëndetësisë, Hekuran Rapuca, ka deklaruar se 90% e këtyre pakove janë dhuruar për familjet që përfitojnë asistencë sociale, ndërsa pjesa tjetër është adresuar për raste të pakicave./Insajderi.org/