Dy persona që kanë qenë pjesëmarrës në tubimin elektoral në Pensilvani të SHBA-ve kanë folur lidhur me atentatin ndaj ish-presidentit amerikan, Donald Trump.
Një nga dëshmitarët deklaroi se e kishte paralajmëruar policin për personin e armatosur dhe mendoi se një gjë të tillë veçse ia kishte komunikuar kolegëve.
“Pashë personin duke lëvizur nga çatia në çati. I thashë policit se ai ndodhej mbi çati. Polici erdhi për të parë, unë u ktheva aty ku po rrija. Dëgjova se dikush tjetër e kishte parë personin. Kështu që u ktheva drejt tyre. E pashë personin, u ktheva dhe i thashë policit përsëri se po të kthehej tek ai pozicion mund ta shihte këtë person. Mendova se do ta komunikonte këtë përmes radios. Kur po kthehesha tek vendi im filluan të shtënat pastaj u bë kaos”, deklaroi ai.
Një dëshmitar tjetër tha se kur shikoi sipër çatisë, arriti të shihte me sy të lirë sulmuesin me një armë të tipit M-16.
“Kur u ula, dëgjova dikë duke thënë: O zot, qenka i armatosur. Pashë sipër dhe mbi ndërtesë ndodhej dikush sipër me armë të tipit M-16 dhe një kamuflazh që shënjestronte presidentin. Ai filloi të gjuante. U dëgjuan 4-5 të shtëna. E shtyva në toktë personin afër meje, u ulëm poshtë. Pastaj e pashë me kokë të hapur atentatorin nga të shtënat prej Shërbimeve Sekrete”, shtoi tutje dëshmitari i dytë. /Insajderi.org/