
Mimoza Kusari-Lila ka kundërshtuar deklarimet e ministrit Hekuran Murati dhe disa deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët kanë pretenduar se kjo parti tashmë i ka numrat e nevojshëm për të formuar qeverinë në seancën konstituive të 15 prillit.
Sipas saj, situata aktuale nuk është aq optimiste sa po paraqitet.
Në përllogaritjet e bëra, Vetëvendosje ka mbështetjen e partive partnere si Guxo dhe Alternativa, një pjese të komuniteteve jo-shumicë dhe tre deputetëve të Nismës.
Megjithatë, numri total i votave të siguruara arrin në 59, që është më pak se shumica e thjeshtë prej 61 deputetësh që nevojiten për të formuar qeverinë e re.
Kusari-Lila ka bërë të ditur se, ndonëse ka gatishmëri nga Nisma për mbështetje, nuk ekziston një marrëveshje zyrtare me ta. Për më tepër, tre deputetë nga grupi i pakicave jo-serbe ende nuk kanë konfirmuar mbështetjen e tyre.
“Është e vërtetë që edhe Guxo, edhe Alternativa, të mandatuar e kanë kryeministrin Albin Kurti. Nga informatat janë që nga grupi i pakicave jo-serbe, nga dhjetë sa janë, tre prej tyre nuk kanë dhënë konfirmimin e tyre të plotë për formimin e Qeverisë. Aktualisht janë tetë përfaqësues të komunitetit jo-shumicë që e mbështesin qeverinë, përderisa ka gatishmëri edhe kryetari i Nismës, z. Limaj, për tre deputetët e vet”, tha ajo, dhe shtoi se nuk ka një marrëveshje të formalizuar me Nismën Socialdemokrate, por vetëm shprehje gatishmërie nga lideri i saj, Fatmir Limaj”, tha ajo për EuroNews Albania, raporton Insajderi.
Duke folur për pritjet në prag të seancës së 15 prillit, ajo ka vlerësuar se shpresat janë të ulëta dhe rruga drejt sigurimit të votave është sfiduese.
“56 [VV+ pakicat jo-serbe] dhe tri [të Nismës] – 59 dhe i bie që dy ende janë mangu nga 61 deputetët e shumicës së thjesht parlamentare”, tha ajo.
Ajo ka theksuar se përpjekjet për të bindur deputetë shtesë do të vazhdojnë në ditët në vijim.
Në këtë kontekst, Kusari-Lila ka komentuar edhe qëndrimin e LDK-së ndaj thirrjes së Albin Kurtit për bashkëpunim, duke e konsideruar reagimin e kësaj partie më tepër emocional sesa të ndërtuar mbi baza politike e pragmatike.