E pranon Rusia: Kemi pësuar humbje të mëdha në Ukrainë, kjo është një tragjedi e madhe për ne - Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Botë

    E pranon Rusia: Kemi pësuar humbje të mëdha në Ukrainë, kjo është një tragjedi e madhe për ne

    Insajderi
    08 April 2022 - 16:48
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Zëdhënësi i Pallatit Presidencial të Rusisë (Kremlinit), Dmitriy Peskov, tha se ata humbën një numër të konsiderueshëm ushtarësh në sulmet e tyre në Ukrainë, transmeton Insajderi

    Në një intervistë për “Sky News”, Dmitriy Peskov mohoi se trupat ruse kishin vrarë civilë.

    Duke pretenduar se imazhet satelitore dhe fotografitë që tregojnë kufomat e civilëve në rrugët e Ukrainës janë “të rreme”, Peskov tha: “Ne hedhim poshtë pretendimet se ushtria ruse mund të ketë ndonjë gjë të përbashkët me brutalitetin e trupave në rrugët e Buça”.

    I pyetur se sa civilë kanë vdekur që nga fillimi i luftës më 24 shkurt, Peskov tha se nuk donte të përgjigjej sepse ata “nuk mund të konfirmonin shifrat”.

    Kurse pyetjes se sa ushtarë rusë u vranë, Peskov nuk i dha një numër të saktë, por tha: “Kemi humbur një numër të konsiderueshëm ushtarësh dhe kjo është një tragjedi e madhe për ne”.

    Duke vënë në dukje se Kremlini dëshiron ta shohë luftën të mbaruar, Zëdhënësi Peskov tha: “Ushtria jonë po bën çmos për t’i dhënë fund këtij operacioni.”

    Zëdhënësi i Kremlinit shprehu shpresën se ky operacion do të arrijë objektivat e tij në ditët në vijim ose në një të ardhme të parashikueshme, ose që lufta do të përfundojë me negociata ndërmjet delegacioneve ruse dhe ukrainase.

    Ai theksoi se qëllimi kryesor i NATO-s është përballja me Rusinë dhe shtoi se Aleanca tani është më e fortë për shkak të pushtimit.

    “Ne duhet të ribalancojmë situatën dhe të marrim masa shtesë për të garantuar sigurinë tonë. Sepse ne thellësisht besojmë se NATO është një makinë konflikti, jo një aleancë paqësore,” tha Peskov.

    Dmitriy Peskov vuri në dukje se në rast se Finlanda dhe Suedia bashkohen me NATO-n, “Rusisë do t’i duhet ta bëjë krahun e saj perëndimor më të sofistikuar për të garantuar sigurinë e saj”.

    I pyetur për thirrjet që presidenti rus Vladimir Putin të gjykohet për krime lufte, Peskov tha: “Ne nuk e shohim këtë si një mundësi, nuk e shohim si një mundësi realiste”.

    Ukraina pretendon se Rusia ka humbur më shumë se 18.000 ushtarë.

    • Ukrainë – Zelensky akuzon Rusinë për fshehjen e provave të krimeve të luftës

    “Ne kemi informacione se trupat ruse kanë ndryshuar taktika dhe po përpiqen të largojnë njerëzit e vrarë, ukrainasit e vdekur, nga rrugët dhe bodrumet e territorit që ata pushtuan. Por ata nuk mund t’i shpëtojnë përgjegjësisë. Tashmë e dimë që mijëra qytetarë rezultojnë të zhdukur”, deklaroi Volodymyr Zelensky gjatë fjalimit të tij të përditshëm me video.

    “Duket se udhëheqja ruse ka me të vërtetë frikë se zemërimi global mbi atë që u pa në Buça, mund të përsëritej edhe pas atyre që u panë në qytete të tjera,” theksoi ai duke shtuar se Buça ndryshoi qëndrimin e botës ndaj shtetit modern rus.

    Zelensky sqaroi se falë një hetimi objektiv, dëshmitarëve okularë dhe imazheve satelitore, Ukraina do t’i zbulojë krimet e luftës së Rusisë në territoret e vendit të tij dhe do të vazhdojë të kërkojë të vërtetën.

    Lideri ukrainas vuri në pah se sanksionet perëndimore kundër Rusisë nuk janë të mjaftueshme pavarësisht se duken efektive pas shpalljes ditën e mërkurë të një paketë të re sanksionesh kundër Moskës, ndërsa këmbënguli që “bota demokratike duhet të refuzojë naftën ruse”.

    “Ne do të vazhdojmë të këmbëngulim për një bllokim të plotë të sistemit bankar rus nga financat ndërkombëtare. Gjithashtu do të sigurojmë që bota demokratike, në një formë ose në një tjetër, të refuzojë naftën ruse. Janë eksportet e naftës ato që shërbejnë si një nga themelet e agresionit të Rusisë”, u shpreh Zelensky.

    Pasi nënvizoi se duhet bërë më shumë për të ndalur luftën, udhëheqësi ukrainas kërkoi që furnizimet me armë, të cilat u nevojiten me të vërtetë, të shoqërohen me një paketë sanksionesh të dhimbshme kundër Rusisë.

    Përndryshe – vijoi ai – Rusia do ta shohë këtë si leje për të nisur një valë të re të përgjakshme në Pellgun e Donjeckut (Donbas).

    Mes të tjerash, Zelensky bëri me dije se qeveria ka vendosur të rigjallërojë edhe aktivitetet ekonomike në zona të sigurta.

    “U bëj thirrje të gjithë drejtuesve të komuniteteve në zonat ku nuk ka kërcënim për konfrontim të drejtpërdrejtë me armikun në terren, që të bëjnë ç’të jetë e nevojshme që njerëzit të kthehen dhe të punojnë për të rifilluar proceset ekonomike”, tha presidenti ukrainas.

    Duke paralajmëruar se pala ruse po përgatitet të nisë përsëri operacionet sulmuese aktive duke rritur fuqinë e saj luftarake, Zelensky e mbylli videofjalimin e tij drejtuar kombit me këto fjalë: “Ne do të luftojmë dhe nuk do të tërhiqemi. Do të shqyrtojmë të gjitha opsionet për t’u vetëmbrojtur derisa Rusia të fillojë të kërkojë seriozisht paqen.”

    Lufta e nisur nga Rusia kundër Ukrainës më 24 shkurt (2022) ka shkaktuar zemërim ndërkombëtar, me vendet perëndimore dhe aleatët e tyre që po zbatojnë sanksione të ashpra financiare ndaj Moskës.

    Moska po përballet me kritika edhe më të ashpra nga komuniteti ndërkombëtar pasi Ukraina akuzoi forcat ruse për “gjenocidit” dhe “krime lufte” në Buça, një qytet afër kryeqytetit Kiev.

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan të mërkurën një ashpërsim të madh të sanksioneve të tyre ekonomike kundër Rusisë duke synuar një pjesë të gjerë të ekonomisë ruse dhe duke futur në listën e zezë anëtarët e familjeve të zyrtarëve të lartë, përfshi këtu edhe dy vajzat e Presidentit rus, Vladimir Putin.

    Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha se do të duhet të vendosin masa kundër importeve të naftës e madje edhe të gazit rus në një moment të caktuar për ta mbajtur Kremlinin nën presionin maksimal.

    Nga ana tjetër, Rusia akuzon Bashkimin Evropian për përdorimin e burimeve energjetike si një “mjet shantazhi” kundër Moskës.

    Të paktën 1.563 civilë janë vrarë në Ukrainë dhe 2.213 të tjerë janë plagosur, sipas vlerësimeve të OKB-së, e cila dyshon se shifrat reale mund të jenë shumë më e larta.

    Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) bën me dije se mbi 4,27 milionë ukrainas kanë ikur në vende të tjera dhe më shumë se 7 milionë të tjerë të zhvendosur brenda vendit, sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët.

    • Ushtria ukrainase: Trupat ruse po përgatiten për një ofensivë në Lindje

    Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës raportoi se ushtria ruse po përgatitet për një ofensivë në zonat lindore të Ukrainës për të siguruar kontroll të plotë në Donjeck, Luhansk dhe Mariupol.

    Në deklaratën e Shtabit të Përgjithshëm thuhet se sipas të dhënave të pasdites së 6 prillit numri i ushtarëve që ka humbur Rusia në këtë luftë që nga 24 shkurti është përditësuar në 18.600.

    Operacioni i sulmit, i kryer nga ushtria ruse kundër 6 vendbanimeve gjatë ditës, dështoi dhe ushtarët ukrainas rimorën kontrollin e vendbanimit Osokarovka në rajonin Herson, vijon deklarata.

    • Rreth 5.000 persona, mes tyre 210 fëmijë, janë vrarë në Mariupol

    Vadim Boychenko, kryebashkiaku i Mariupolit në Ukrainë, tha se rreth 5.000 persona, përfshirë 210 fëmijë, kanë humbur jetën në qytetin e bllokuar brenda një muaji.

    Sipas një deklarate nga Bashkia e Mariupolit, kryebashkiaku Boychenko mori pjesë në një tryezë të rrumbullakët përmes videokonferencës, duke u fokusuar në pasojat politike dhe ligjore të krimeve të Rusisë kundër Ukrainës.

    Boychenko tha këtu se Mariupoli, kohët e fundit një simbol i zhvillimit të vendit të tij, tani është gati të shkatërrohet plotësisht nga trupat ruse.

    Presidenti Boychenko deklaroi se më shumë se 90 për qind e infrastrukturës së qytetit është shkatërruar.

    “Të paktën 40 për qind e tyre tani janë të parikuperueshme,” tha ai.

    Boychenko tha se vendet evropiane duhet t’i përgjigjen krimeve kundër popullit ukrainas.

    “Sipas vlerësimeve paraprake, rreth 5.000 persona, përfshirë 210 fëmijë, janë vrarë në Mariupol në vetëm një muaj të bllokadës. Njësitë terroriste ruse hodhën disa bomba të fuqishme në spitalin e fëmijëve. Ata shkatërruan një nga ndërtesat e spitalit të qytetit. Rreth 50 njerëzit u dogjën të gjallë. Ndërtesa e teatrit në qytetin ku fshiheshin më shumë se 900 njerëz u bombardua. Këto janë vetëm disa shembuj të shkatërrimit të synuar të popullsisë civile të Mariupolit”, tha ai.

    • Moska: Ukraina pengon procesin e shkëmbimit të robërve

    Ministria ruse e Mbrojtjes pretendoi se pala ukrainase pengon procesin e shkëmbimit të ushtarëve të kapur rob në luftë.

    Mikhail Mizintsev, kreu i Qendrës Kombëtare të Kontrollit në Ministrinë e Mbrojtjes së Rusisë, bëri deklarata në kryeqytetin Moskë lidhur me procesin e shkëmbimit të robërve të luftës me Ukrainën.

    Për ushtarët ukrainas të kapur në luftë janë siguruar kushtet në përputhje me Konventat e Gjenevës, deklaroi Mizintsev dhe shtoi:

    “Ushtarët qëndrojnë në kushte të mira, atyre u jepen tre vakte në ditë, kujdesi mjekësor ofrohet në kohë. Ndaj ushtarëve nuk ka dhunë dhe presion psikologjik.”

    Mizintsev deklaroi se në listën e përgatitur për shkëmbimin e robërve janë 251 ushtarë dhe pretendoi se Ukraina po e pengon procesin e shkëmbimit të robërve

    Administrata e Kievit ka penguar për një kohë të gjatë shkëmbimin e robërve sipas kushteve të dakorduara paraprakisht. Shkëmbimi i robërve i planifikuar për sot (06.04.2022) u bllokua nga Ukraina. Pala ukrainase gjithashtu vepron në mënyrë kontradiktore për këtë çështje humanitare. Kjo është një arsye për të menduar se ushtarët rusë të kapur rob nuk janë në gjendje të mirë”,- argumentoi ai.

    Duke shprehur se ushtarët rusë të kapur rob janë torturuar, Mizintsev tha se kjo nuk është regjistruar nga Kombet e Bashkuara (OKB), Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC).

    Mihail Mizintsev u shpreh se përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare që merren me ndihmat humanitare duhet të lejohen të vizitojnë ushtarët rusë.

    “Nëse Kryqi i Kuq dhe organizatat e tjera humanitare nuk ndërmarrin veprime në këtë drejtim, Federata Ruse mund të thërrasë një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së sa më shpejt të jetë e mundur dhe të kërkojë raport të detajuar nga përfaqësuesit ukrainas dhe zyrtarët e Kryqit të Kuq për shëndetin dhe kushtet në të cilat ndodhen ushtarët rusë të kapur rob”, shtoi ai.

    Duke argumentuar se ka pasur një “provokim” në lidhje me vdekjen e civilëve në qytetin Buça, zyrtari rus theksoi se ky incident duhet të vihet në pikëpyetje nga organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

    Mizintsev pohoi gjithashtu se administrata e Kievit po përgatit provokime të reja duke përdorur civilët në kryeqytetin Kiev dhe Sumi.

    • Rusia godet 4 baza karburanti dhe 29 njësi ushtarake të Ukrainës

    Zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Igor Konashenkov, njoftoi të enjten se kanë goditur 4 baza karburanti në Ukrainë me raketa me precizion të lartë nga deti dhe ajri.

    Igor Konashenkov dha informacione në lidhje me veprimet e njësive ushtarake ruse në luftën që vazhdon prej 24 shkurtit (2022) në Ukrainë, gjatë një konference shtypi në Moskë.

    Ai bëri me dije se njësitë e armatosura të separatistëve morën nën kontroll qytetin Sladkoe dhe se sulmet e ushtrisë ruse ndaj objekteve të infrastrukturës ushtarake të Ukrainës vazhdojnë.

    “Gjatë natës, 4 baza karburanti që siguronin lëndë djegëse për njësitë ushtarake ukrainase u goditën në Mikolaiv, Zaporizhie, Harkov dhe Çuhuiv me raketa me precizion të lartë nga deti dhe ajri”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë.

    Sipas tij, Forcat Ajrore të Rusisë kanë shkatërruar 29 njësi ushtarake të Ukrainës brenda një dite.

    “Deri më sot janë asgjësuar 125 avionë, 93 helikopterë, 413 mjete ajrore pa pilotë, 227 sisteme raketore të mbrojtjes ajrore, 1.987 tanke dhe mjete të blinduara, 218 raketahedhës shumëgrykësh, 866 obusë e mortaja, si dhe 1.894 mjete ushtarake speciale të ushtrisë ukrainase”, tha Konashenkov mes të tjerash.

    Trupat ruse filluan një sulm në Ukrainë më 24 shkurt (2022)./Insajderi/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark