Bordi i ankesave për bizneset që shqyrton ankesat e këtyre të fundit ndaj vendimeve të Doganës dhe Administratës Tatimore të Kosovës, ende s’është formuar. Kjo po dëmton bizneset në disa forma.
Përkundër që Ministria e Financave e ka krijuar shpalljen publike për përzgjedhjen e anëtarëve të bordit të ankesave më 7 maj të këtij viti, deri më tani s’ka përfunduar as procesi i përzgjedhjes së kandidatëve e as formimi i këtij bordi, shkruan Insajderi.
Për këtë, qeveria obligohet edhe me ligj. Ligji për Administrimin e Procedurave Tatimore parasheh formimin e një bordi, të përbërë nga kryesuesi dhe tetë anëtarë në një mandat prej katër vitesh, me mundësi vazhdimi edhe me një mandat të dytë.
Si shkak i mos-formimit të bordit, subjekteve tatimpaguese nuk iu është shqyrtuar ende asnjë ankesë. Pasojat që ka sjellë kjo vonesë është edhe pranimi automatik i ankesave në favor të palëve, duke krijuar situata të pabarabarta.
Po ashtu, vonesat çojnë në kosto shtesë të bizneseve për shkak të pamundësisë të vijimit të aktivitetit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 2020-ën përpara përfaqësuesve të bizneseve ishte zotuar për rifunksionalizimin e Bordit të Ankesave. Ai ishte zotuar se do të rifunksionalizohej si organ i pavarur dhe se “është i dobishëm për biznese”.
Përkundër që nuk ka formuar bordin që do të mundësonte të zgjidhte ankesat mes bizneseve dhe Doganës së Kosovës, kujtojmë që akterët qeveritarë shfrytëzojnë statistikat e kësaj të fundit për t’i prezantuar sukseset qeverisëse.
Qeveria Kurti pati vështirësi edhe në formimin e bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP). /Insajderi.org/