Komuna e Gjilanit, e udhëhequr nga Alban Hyseni, ka dërguar në Prokurorinë Themelore një kallëzim penal ndaj kompanisë ndërtuese “Euro Abi”, pas identifikimit të shkeljeve të rënda në një projekt ndërtimi. Projekti përfshin ndërtimin e një kompleksi banesor në Gjilan, ku kompania ka tejkaluar kufijtë e lejes ndërtimore duke shtuar një kat shtesë pa autorizim. Kjo nuk është hera e parë që biznesmeni, Kadrush Rexhepi bie ndesh me ligjin. Insajderi ju sjell detajet.
Bëhet fjalë për projektin “Ndërtim i ndërtesës shumë banesore & afariste – Blloku A2”, i njohur si Kompleksi “Fati” në Gjilan, që ka etazhitetin “B+P+8”.
Gazeta Insajderi ka kërkuar një sqarim nga Komuna e Gjilanit, konkretisht nga Drejtoria e Inspeksionit, për të kuptuar nëse janë ndërmarrë hapa në lidhje me rastin në fjalë.
Në përgjigje tyre, nga Komuna e Gjilanit kanë bërë me dije se tashmë kanë ndërmarrë masa ndaj kompanisë ndërtuese “Euro Abi”, pronë e Rexhepit. Kjo pas identifikimit të shkeljeve të rënda në ndërtimin e një kompleksi banesor.
“Inspektorët e ndërtimit realizuan inspektime rutinore, gjatë të cilave u konstatua se punimet në terren kishin kaluar kufijtë e lejes ndërtimore të dhënë”.
Për rastin, thonë se ishin kryer tri inspektime.
“Më 1 nëntor 2024, inspektorët hartuan një procesverbal, ku theksohet se kompania kishte filluar punimet pa u respektuar afatet dhe masat e lejuara nga leja ndërtimore. Për pasojë, është urdhëruar ndalimi i menjëhershëm i punimeve dhe largimi i skeletit të armaturës së shtyllave në një afat prej 3 ditësh”.
Gjithashtu, shtuan se është bërë shiritimi i zonës së tejkaluar për të parandaluar ndonjë rrezik për sigurinë.
Në një inspektim të dytë më 7 nëntor 2024, autoritetet konstatuan se kompania dhe punëkryesi nuk e kishin zbatuar urdhrin për ndalimin e punimeve.
“Gjatë riinspektimit me datë: 07.11.2024, kemi konstatuar se poseduesi i lejës ndërtimore dhe punëkryesi nuk e kanë përfillur urdhërin e inspektorëve duke vazhduar me punime ndërtimore.Po në këtë ditë palët e përfshira në ndërtim janë gjobitur me gjobë mandatore sipas Ligjit L-087, neni 56, paragrafi 2,3“.
Më 12 nëntor 2024, Komuna e Gjilanit ka dorëzuar një kallëzim penal në Prokurorinë Themelore të Gjilanit për poseduesin e lejes ndërtimore dhe punëkryesin, duke kërkuar ndjekjen e tyre për shkelje ligjore.
Po ashtu, sektori juridik ka nxjerrë një aktvendim për rrënimin e pjesës së tejkaluar të ndërtimit, i cili është dorëzuar me datë 12 nëntor 2024 tek poseduesi i lejes ndërtimore.
“Aktvendimi për rrënim e obligon poseduesin e lejës ndërtimore që të bëjë vetë rrënimin e pjesës tejkaluese. Nëse pala nuk vepron sipas Aktvendimit për rrënim, rrënimin do t’a bëjë Drejtoria e Inspeksionit, ndërsa shpenzimet do të bien në barrën e poseduesit të lejes ndërtimore. Për këtë vendim të inspektorëve të ndërtimit, është njoftuar udhëheqësi i inspektimeve, si dhe menaxhmenti tjetër i drejtorisë”, thuhet në përgjigjen e tyre për Gazetën Insajderi.
Insajderi ka tentuar që të marrë një përgjigje edhe nga vet biznesmeni Rexhepi, për të parë se si do të veprojë në rastin konkret, por i njëjti nuk ka kthyer përgjigje.
Rasti tjetër ku Kadrush Rexhepi u përball me ligjin
Ky nuk është rasti i parë që Kadrush Rexhepi, pronar i kompanisë “Euro Abi”, ka probleme me ligjin.
Në mars të vitit 2023, ai ishte përfshirë në një aksion të gjerë të Policisë së Kosovës kundër praktikave të fajdes, ku biznese të ndryshme, përfshirë “Euro Abi”, u bastisën për dyshime për aktivitete të tilla.
Kjo çështje ka përfshirë gjithashtu arrestimin e 14 personave.
Përveç kësaj, në janar të vitit të kaluar Rexhepi është shpallur fajtor nga Gjykata Themelore për falsifikimin e kontratës së punës.
Së fundmi, kompania e tij është shpërblyer në një tender për ndërtimin e një projekti urban në Prishtinë, një tjetër zhvillim që ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik.
/Insajderi