Gjatë ditës së djeshme, Sami Kurteshi i Vetëvendosjes akuzoi ish-prokurorin Sylë Hoxha duke e quajtur “vrasës” dhe “kriminel”.
Kurteshi në një studio televizive tha se Hoxha e ka vendin në burg.
“Ai është kriminel! Ai është vrasës! Dhe e ka vendin në burg,” – tha z. Kurteshi për RTV Dukagjinin, duke e nisur interpretimin politik të rastit Dehari.
Në lidhje me deklaratën e Kurteshit është kundërpërgjigjur ish-prokurori.
Ai tha për Insajderin se deklarata e Kurteshi është e papërgjegjshme.
“Kjo deklaratë është totalisht e papërgjegjshme dhe nëse unë do të isha vrasës e kriminel organet përgjegjëse do duhej ta kryenin këtë punë më herët me mua. Kush është ai me i thënë këto fjalë, nuk e kuptoj si mundet”, tha Hoxha për Insajderin.
Kurteshi kishte vazhduar diskutimin në studio duke e lidhur rastin Dehari me një rast tjetër të quajtur “Syri i Popullit”. Dhe se këto dy raste i kishte organizuar Partia Demokratike e Kosovës me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Provat e vetme që e dëshmonin pretendimin e tij, sipas Kurteshit, ishin deklaratat publike të eksponetëve të PDK-së e LDK-së në Kuvend e në media.
“Atë që ne kemi dyshu se rastin Dehari dhe rastin Syri i Popullit e kanë organizu PDK-ja, LDK-ja së bashku! Deklaratat publike në Kuvend të Kosovës, në media, dëshmojnë se ka qenë ndërmarrje e përbashkët kriminale kundër Lëvizjes Vetëvendosje…” – u shpreh z. Kurteshi.