
Mbrëmjen e kaluar në zonën e Freskut, pranë Teleferikut në Tiranë, një grua ka hedhur qenin e saj nga kati i gjashtë i pallatit, i cili pas disa orësh vuajte vdiq.
Pavarësisht thirrjeve, gruaja hodhi pa mëshirë kafshën në tokë.
Ishin qytetarët ata të cilët e dërguan qenushin te spitali i kafshëve por nuk ia doli dot, pasi kishte shumë plagë.
Në rrjet, njerëzit e indinjuar nga ajo që ndodhi, kërkonin arrestimin e gruas që kreu aktin e rëndë.
Nesër, ata do zhvillojnë homazhe në vendin ku u hodh kafsha e gjorë, duke vendosur aty një karafil të bardhë.
Pas disa orësh, Policia e Shtetit doli në një njoftim për mediat, ku bën të ditur se kanë nisur hetimet për rastin në fjalë.
Forcat blu, sqarojnë se gruaja do të hetohet për veprën penale “Vrasja me dashje e kafshës së shoqërimit”.
Njoftimi i policisë:
Në lidhje me një video të postuar në portale, në të cilën shfaqet një shtetase duke keqtrajtuar një kafshë (qen), ju sqarojmë se: Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas publikimit të pamjeve filmike, menjëherë kanë filluar hetimet për rastin në fjalë, sipas të gjitha dispozitave të parashikuara në Kodin Penal, dhe në përfundim të veprimeve kanë referuar materialet në Prokurori, për veprën penale “Vrasja me dashje e kafshës së shoqërimit”.
Mirëpo, në njoftim nuk specifikohet nëse është kryer arrestimi i gruas apo jo. Themi këtë, pasi njoftimi nuk ka as inicialet e as moshën e gruas që ndërmori aktin barbar.