Derisa ushtria e Kosovës ka aspirata që t’i bashkohet aleancës ushtarake të NATO-së, Ministria e Mbrojtjes ka bërë një lëvizje që e rrezikon këtë nismë. Insajderi ka zbuluar se kjo ministri e ka shpërblyer me kontratë për pastrimin e rrobave e mbulesave një kompani që ka ortak një shtetase kineze.
Gazeta Insajderi
Aleanca më e madhe ushtarake në botë, NATO po planifikon që të hapë zyrë ndërlidhës në Japoni për t’u koordinuar me aleatët e saj aziatik. “Reuters“ njoftoi të enjten se kjo e ka shqetësuar Republikën Popullore të Kinës që doli me një deklaratë së ka ngritur nivelin e vigjilencës për këto lëvizje të NATO-s.
Ushtria e Kosovës (FSK) ka aspirata që një ditë të jetë pjesë e kësaj aleance ushtarake. Pavarësisht kësaj, Insajderi ka zbuluar se ky institucion kas shpërblyer me kontratë për pastrimin e rrobave e mbulesave të ushtrisë kosovare kompaninë që ka ortak një shtetase kineze.
Më 3 mars të këtij viti, Zyra e Prokurimit e Ministrisë së Mbrojtjes ka nxjerr dokumentin zyrtar ky e njofton kompaninë “ECO CLEAN CORPORATION” Sh.p.k. se atyre u është dhënë kontrata nga tenderi “Shërbimet e pastrimit të rrobave dhe mbulesave për nevojat e FSK-së”, tender I nisur më 22 shkurt të këtij viti.
Në këtë kompani që Ministria e Mbrojtjes e shpërbleu me kontratë, 20 % të aksioneve i mban shtetasja kineze, Wenyun Yang, e lindur në qershor 1990. Sipas të dhënave në Regjistrin e Bizneseve ajo del që kur u themelua kjo kompani, në gusht 2019, ka investuar 80 mijë euro, derisa 320 mijë euro të tjera i ka investuari shtetasi kosovar, Arbër Gashi që mban 80 % të aksioneve në këtë firmë.
Insajderi ka më shumë se një javë që e ka pyetur Ministrinë e Mbrojtjes për këtë kontratë dhe faktin që ortak në biznesin që e shpërblyen me kontratë është një shtetase kineze, por të njëjtit nuk kanë pranuar deri tash të komentojnë.
Nuk kanë pranuar që të komentojnë as për një ankesë që është bërë kundër këtij vendimi për ta shpërblyer, kompaninë “ECO CLEAN CORPORATION” Sh.p.k. e ku ankuesi ua përmend një sërë shkeljes të ligjit të prokurimit.
Jemi edhe kompani amerikane, e kemi njoftuar ambasadën
Gazeta Insajderi ka kontaktuar me kompaninë “ECO CLEAN CORPORATION” Sh.p.k. dhe ortaku i madh në firmë, Arbër Gashi i ka thënë gazetës se Wenyun Yang është shtetase e Kinës, por me të janë takuar gjatë studimeve në Amerikë.
“Wenyun Yang është investitorë. Atë e kam takuar në Amerikë dhe kemi vendosur që të dertojmë një biznes në Kosovë. Unë nuk po shoh ndonjë problem këtu”, ka thënë Gashi për Insajderin.
Edhe pse ortakja e tij në biznes është shtetase kineze, ai thotë se kur ofertoi për tenderin e pastrimit të rrobave e mbulesave të FSK-së, ky institucion nuk i ka kërkuar ndonjë dokument në lidhje me këtë partnere në biznes.
“Ajo ka leje qëndrimi të rregullt në Kosovë. Nuk na është kërkuar ndonjë dokument tjetër, pos asaj që janë kërkuar në njoftimin për kontratë”, ka thënë Gashi në një prononcim përmes telefonit për Insajderin.
Sipas Gashit, kompania është e regjistruar në Kosovë, por është edhe kompani amerikane. Por, për këtë deklarim ai nuk ka dërguar ndonjë dëshmi që kompania e tij dhe e shtetases kineze, Wenyun Yang është edhe kompani amerikane.
Ai i ka thënë Gazetës Insajderi se kjo nuk është hera e parë që e fitojnë këtë tender në FSK.
“Kjo është hera e dytë që po e fitojmë këtë tender, por edhe herën e parë edhe tash është ankuar një kompani, që e paska këtë tender me vite. Ne kemi qenë me letra në rregull, dhe më të lirë. Ia kemi lënë ligjit të vendos, por në ndërkohë e kemi njoftuar edhe Ambasadën Amerikane në Prishtinë për këtë rast”, ka thënë Gashi për Insajderin.
I pyetur se cila ka qenë përgjigja e Ambasadës Amerikane, ai ka thënë që deri tash nuk kanë marrë përgjigje, pasi që deri tash nuk kanë kërkuar diçka nga ta, pos i kanë njoftuar.
Ankuesi pretendon që Ministria shkeli 4 nene të ligjit për hesap të “ECO CLEAN…”
Në lidhje më këtë tender, me të cilin u shpërblye “ECO CLEAN CORPORATION” Sh.p.k., që për pronar ka kosovarin Arbër Gashi dhe shtetasen kineze Wenyun Yang, në OSHP është deponuar në ankesë nga kompania tjetër në garë, “A.L. Dushi Sh.p.k.”.
Kompania pretendon se Ministria e Mbrojtës kur mori vendim që ta shpërblente firmën “ECO CLEAN CORPORATION” Sh.p.k., ka shkelur 4 nene të Ligjit të Prokurimit.
Dhe ata pretendojnë që kjo firmë nuk i ka plotësuar kriteret e tenderit, por megjithatë u shpërblye. “A.L. Dushi Sh.p.k.”. pretendon se “ECO CLEAN…” u shpërblye edhe pse në dokumente nuk arrin që të e mbush as njërin nga kriteret bazë që është vlera e qarkulluar e shërbimeve që nuk duhej të ishte më pak se 100 mijë euro në tri vitet e fundit.
“ECO CLEAN…”, sipas ankuesit ka futur në dosje të aplikimit për tender edhe shërbime të tjera që ka kryer për kilentë në sektorin privat, e që nuk janë vetëm të pastrimit, siç është kërkuar nga FSK-ja, por edhe shërbime të tjera siç është furnizimi me pije, por këto iu pranuan si referenca nga Ministria e Mbrojtjes.
Aty janë bërë vërejtje, dhe ngritur madje edhe dyshime se disa nga mjetet, përfshirë këtu edhe një veturë, që janë paraqitur si të kompanisë “ECO CLEAN…”, a janë ende në pronësi të kompanisë në fjalë apo jo, dhe se kjo do të duhej ta diskualifikonte kompaninë nga gara.
Pavarësisht këtyre vërejtjeve tashmë të bëra publike, kompania ankuese kishte bërë një kërkesë që para se të shkonte me ankesë në OSHP të bëhej edhe një ri-vlerësim i këtij tenderi, por Ministria e mbrojtjes e refuzoi këtë kërkesë dhe e shpërbleu me kontratë kompaninë “ECO CLEAN CORPORATION” Sh.p.k.
/GazetaInsajderi