×
Analiza

E tmerrshme | Mbi 80 mijë burra bëhen bashkë në një grup në Telegram për të shpërndarë material diskreditues për gratë

Insajderi
16 January 2024 - 16:26
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Një grup i tmerrshëm është formuar në rrjetin social “Telegram”. Aty, me të madhe po denigrohet figura e gruas e vajzës. Po iu shpërndahen materiale diskredituese. Fotografi eksplicite, të dhënat e tyre personale, si numrat, vendbanimi, llogaritë e tyre nëpër rrjetet sociale. Madje, iu është vendosur edhe çmimi për shërbime seksuale. Përveç këtyre, promovohet edhe pedofilia. Insajderi ju sjell detaje.

“Albkings”, është emri i këtij grupi, i cili është aktiv që nga janari i 2023-ës. Numëron afro 84 mijë anëtarë. Mesazhet brenda një 24 orësh janë të shumta, qindra-mijëra. Pjesëmarrësit e këtij grupi edhe shtantazhojnë.

Asnjëri prej tyre nuk është me emrin e vërtetë, shumica përdorin pseudonime apo “nicknames”.

Mënyra se si funksionon grupi është tejet e ulët.

Fillimisht publikohet një fotografi e një gruaje apo vajze, të tjerët me radhe pastaj shkruajnë komente prej më të ndryshmeve. Pas fotos, iu publikohen të dhënat si emri e mbiemri, numri kontaktues, llogaria në Facebook apo Instagram, tutje edhe i vendosin çmimin “200-500 euro për një natë”, ndërkohë një tjetër shkruan “kjo është kurv* ta jep pa pare”, “m’doket so e Kosovës hiç” – e të tilla komente, me qëllimin e vetëm denigrimin/prishjen e reputacionit të këtyre grave/vajzave.

Përveç fotografive, publikohen edhe video, ku shihen duke kryer akte seksuale, teksa tutje vazhdojnë komentet linçuese, bullizuese e degraduese.

Në një rast është parë një video tejet e rëndë, një grua më në moshë teksa shihet duke kryer akte seksuale me një fëmijë.  

Nga informacionet që posedon Insajderi, deri më tani askush nuk është përgjigjur penalisht për keqpërdorimin e të dhënave personale dhe shfrytëzimin e femrave në këtë platformë.

Gazeta Insajderi ka kërkuar përgjigje nga Policia e Kosovës për të parë nëse janë duke u marrë me rastin, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Rastet e tilla, të shantazhit, të kërcënimit me publikim të fotografive intime shpesh kanë ditur të përfundojnë me fatalitet. I tillë është rasti i fundit që ndodhi, në fillim të vitit në Shqipëri përkatësisht në Durrës, një grua vrau veten si pasojë e bullizmit.

41 vjeçarja kreu vetëvrasje si pasojë e hapjes së një profili denigrues në TikTok, ajo ishte nënë e katër fëmijëve. Viktima përdori një helm të rrezikshëm për t’i dhënë fund jetës, fotoksinë.

E ndjera, sipas raportimeve ka qenë nën trysninë e opinionit publik, kolegëve të punës dhe bashkëfshatarëve, pasi fotoja e saj në Tik-Tok shoqëruar me fjalë fyese kishte marrë 30.000 shikime.

/Insajderi

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark