Ministria e Shëndetësisë në krye me Arben Vitinë po vazhdon me punësimet e të afërmeve e familjarëve të partisë. Kësaj radhe ‘fatlum’ ka qenë vëllai i nënkryetarit të Vetëvendosjes në Vushtrri, Sylejman Mehollit, Mensur Meholli. Madje ‘fatlum’, dy herë.
Në listën e siguruar nga “Gazeta Insajderi”, emri i Mensur Mehollit për të njëjtën pozitë, si staf mbështetës nëpër klinikat me Covid-19 figuron dy herë. Ai është punësuar në këtë pozitë në komunën e Vushtrrisë dhe në atë të Mitrovicës.
Mensur Meholli është kontaktuar nga “Insajderi”, për ta kuptuar nëse ai është punësuar në të dyja pozitat dhe për lidhjen e tij me nënkryetarin e Vetëvendosjes në Vushtrri, Sylejman Meholli.
Fillimisht konfirmoi se është punësuar në të dyja spitalet, pra në Vushtrri dhe Mitrovicë. Por, mohoi se e ka vëlla nënkryetarin e VV-në në Vushtrri, Sylejman Mehollin, pra gënjeu. Madje, me ton të ngritur ka kërkuar që të mos telefonohet kurrë.
“Po është e vërtetë që jam punësu – çka kërkohet prej neve si staf mbështetës bëjmë. Prej kujna je ti që po më interviston kështu, çka po don. Unë skam lidhje hic, kushëri e kam – kurrfarë lidhje skom hiç edhe mos me thirrni me më bë kësi intervista palidhje – mos më thirrë kurrë më hiç”, i tha Insajderit.
Insajderi, ka provuar ta kontaktojë edhe nënkryetarin e Vetëvendosjes në Vushtrri, Sylejman Mehollin. Sapo i jemi prezantuar e ka ndalur telefonin.
Nuk ka vonuar shumë. Mensur Meholli ka telefonuar sërish në numrin e redaksisë së Gazetës Insajderi. Ndonëse, më herët tha se e ka vetëm kushëri Sylejman Meholli, kësaj radhe konfirmoi se e ka vëlla.
“Ju keni bo spekulime, unë e kam vëlla Sylejmanin, vëllau jem nuk ushtron asnjë post prej prishjes së koalicionit në Vushtrri, është shkurt qytetar i thjeshtë doktor i shëndetësisë dhe nuk ka kurrfarë lidhje me këtë punë pikë”, është shprehur ai derisa ka rënë ndesh me deklaratën e mëhershme ku u shpreh se e ka kushëri, Sylejmanin.
Edhe njëherë ai është pyetur, se a është vëllai i tij nënkryetar i degës së Vetëvendosjes në Vushtrri. I njëjti ka ironizuar duke thënë se edhe për Albin Kurtin e dinë që është kryeminsitër.
“Po cka ka lidhje që është nënkryetar i degës në Vushtrri edhe Albin Kurti është kryeministër, e dinë ti e dinë krejt Kosova”, është shprehur ai derisa ka kërcënuar gazetarën për “spekulime”.
Sylejman Meholli ka qenë drejtor i Shëndetësisë nga radhët e Vetëvendosjes në komunën e Vushtrrisë sa kanë qenë në koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Ai njihet si person i afër me ministrinë e Shëndetësisë, Arben Vitia.
Theksojmë se Lëvizja Vetëvendosje ka ardhë në pushtet duke u zotuar se më nuk do të ketë nepotizëm, por kjo gjë tanimë është bërë e zakonshme edhe qeverisjen e Kurtit./Insajderi.org