Zakoni për punësime familjare po vazhdon ende në Qeverinë e Albin Kurtit. Tashmë kryeministri Kurti ka zgjedhur Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë për të ‘rahatuar’ mbështetësit e tij, shkruan Insadjeri.
Blerim Llunji, është punësuar si inspektor në Regjionin e Prishtinës pas kërkesës së kryeministrit për punësimin e 85 inspektorëve për të menaxhuar situatën e paraqitur së fundmi me Covid-19 në Kosovë.
Gazeta Insadjeri merr vesh se kandidati i përzgjedhur del të jetë bashkëshorti i kandidates për deputete, Venera Llunjit. Ajo në vitin 2019 kishte kandiduar në listën e Vetëvendosjes për deputete por nuk arriti të marr votat e mjaftueshme.
Sot, emri i bashkëshortit të saj, Blerimit është në mesin e 85 inspektorëve që do të angazhohen në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë.
Ministria e Shëndetësisë kishte hapur konkurs në muajin gusht, më saktësisht më 20 gusht. Angazhimi i këtyre inspektorëve do të jetë me kohë të caktuar, 3 muaj me mundësi vazhdimi me pagë në vlerë 520 euro.
Ish- kandidatja për deputete e VV-së, Venera Llunjin në një përgjigje për Gazetën Insadjeri ka mohuar të ketë ndikuar në përzgjedhjen e bashkëshortit të saj.
“Burri im eshte me dy diploma Masteri te perfunduar ne menaxhment shendetesor, nje ne Tirane dhe tjetrin ne Prishtine dhe i ka plotesuar te gjitha kriteret e kerkuara. Ka hyre ne gare me konkurs te shpallur. Jo, nuk kam intervenuar!” thuhet në përgjigjen e Llunjës.
Ndonëse sa ishin në opozitë Lëvizja Vetëvendosje ishte partia më kritikuese për nepozitëm nga qeveritë e kaluara, tash në pozitë e kanë bërë të zakonshme ‘rahatimin’ në pozita të familjarëve. /Gazeta Insadjeri/