E zhdukur prej ditësh, gjendet e vrarë 22-vjeçarja shqiptare në Itali - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    E zhdukur prej ditësh, gjendet e vrarë 22-vjeçarja shqiptare në Itali

    Insajderi
    02 April 2025 - 11:07
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Një ngjarje e rëndë raportohet të ketë ndodhur në Itali, ku 22-vjeçarja shqiptare Ilaria Sula, e cila ishte raportuar e zhdukur prej 25 marsit në Romë, është gjetur e vdekur në një zonë të pyllëzuar në Poli.

    Corriere della Sera raporton se trupi i saj ishte futur në një valixhe. Po ashtu bëhet me dije se disa persona që frekuentojnë një zonë pyjore në Poli, në periferi të kryeqytetit, e kanë gjetur të renë pa shenja jete, e mbyllur brenda një valixheje të hedhur në një humnerë, transmeton Insajderi.

    Aktualisht, nuk dihen shkaqet e vdekjes. Në vendngjarje ndodhen hetuesit e skuadrës kriminale së bashku me zjarrfikësit për të marrë trupin e saj. Sipas verifikimeve të para, e reja kishte pasur së fundmi një lidhje me një shtetas filipinas, i cili është identifikuar.

    Ilaria studionte Statistikë në universitetin “Sapienza”. Përveç familjarëve të saj, të cilët kishin ngritur alarmin në rrjetet sociale të martën, edhe shoqe e kolege ishin mobilizuar për ta gjetur duke publikuar fotografi të shumta të saj.

    Hetimet morën një kthesë dramatike gjatë natës, kur policia mbërriti në apartamentin e shtetasit filipinas në rrugën Homs, në lagjen Africano, ku mëngjesin e sotëm u krye një kontroll nga policia shkencore. I njëjti person, me të cilin viktima kishte shkëmbyer mesazhe për një kohë të gjatë natën e zhdukjes, është identifikuar nga policia dhe shoqëruar në komisariat për t’u marrë në pyetje. Ai mund të ndalohet së shpejti.

    Mbrëmjen e zhdukjes, Ilaria kishte dalë nga shtëpia me nxitim për të takuar dikë. Prindërit e saj, të cilët jetojnë në Terni, thanë se ajo nuk kishte marrë asgjë me vete, madje as sendet personale, ndërsa telefoni i saj kishte qëndruar i ndezur për njëfarë kohe dhe dikush madje kishte kthyer përgjigje në disa mesazhe. Nuk është e qartë nëse ishte vërtet ajo. Më pas, asnjë gjurmë nga e reja shqiptare, raporton A2Cnn.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark