“Ec ma ndryshe”  ka kërkuar para tre muajsh që shteti t’ia marrë objektin Kishës Katolike - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    “Ec ma ndryshe”  ka kërkuar para tre muajsh që shteti t’ia marrë objektin Kishës Katolike

    Insajderi
    03 July 2016 - 19:45
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Objekti i trashëgimisë kulturore i mbrojtur me Ligj e që është aset i përfshirë në Listën e Trashëgimisë Kulturore nën Mbrojtje të Përkohshme të MKRS-së, si pjesë e Kompleksit të Kishës Katolike, Zonja Ndihmëtare, është përfshirë nga zjarri për të tretën herë.

    Organizata që merret me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në Prizren, “Ec ma ndryshe”, në fakt qysh në djegien e dytë të këtij objekti kishte kërkuar nga Ministria e Kulturës si organi kompetent që ta marrë nën mbrojtje këtë objekt, pasi Kisha Katolike e ka dëshmuar se nuk ka kapacitete ta mbrojë.

    “Para tre muajve, menjëherë mas djegies se dytë kemi kërkuar prej institucioneve të ja marr ndërtesën Kishës Katolike, sepse ketë e parasheh ligji, po asnjë veprim nuk është ndërmarrë prej asaj kohe. As hetime e ndonjë aktakuzë”, ka thënë Hajrullah Çeku, për Insajderin.

    Në komunikatën e 9 prillit të “Ec ma ndryshe” i bëhet thirrje autoriteteve shtetërore që për këtë monument në përputhje me dispozitat e Ligjit për Trashëgimi Kulturore të iniciojnë kalimin dhe vendosjen në të drejta pronësore nën kontrollin dhe pushtetin e institucionit kompetent meqenëse shfrytëzuesi aktual ka ndërmarrë veprime të pamjaftueshme për ta mbrojtur atë.

    Insajderi më herët ka raportuar se Kisha Katolike në fakt dëshiron ta shkatërrojë këtë objekt. Bazuar në deklarimet e Ministrisë së Kulturës, Kisha ka dorëzuar në Ministri kërkesën që ky objekt të shkatërrohet por nuk ka ofruar as fakte se pse duhet të shkatërrohet e as ndonjë plan konkret se çka të ndërtohet aty.

    “Edhe sa herë duhen me ja shti flakën asaj ndërtese që komuna e Prizrenit, Ministria e Kulturës e Prokuroria me ndërmarr diçka? Çka jeni tu prit ma shumë, tri herë e kallën. Mosveprimi juaj nënkupton nxitje të atyre që po tentojnë me e heq qafe atë monument”, ka thënë Çeku.

    E përderisa në rastin  dytë të përfshirjes nga zjarri të kësaj  shtëpie, autoritetet e Komunës së Prizrenit kishin hedhur dyshime se “zjarri është shkaktuar nga faktori njeri” në rastin e tretë ata nuk kanë edhe ende komente.

    Insajderi ka tentuar të kontaktoj Drejtorinë e Emergjencave në Komunë por nuk janë lajmëruar. Ndërsa zëdhënësi i Komunës është shprehur të jetë i painformuar për djegien teksa drejtori i Qendrës Rajonale të Trashëgimisë në Prizren, ka thënë të jetë në pushime, jashtë vendit./Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark