Organizata joqeveritare Ec Ma Ndryshe, ka thënë se, gjetja arkeologjike në Sheshin e Lidhjes në Prizren edhe gjatë këtij dimri ka mbetur pa masa mbrojtëse kundër ngricave.
Kjo gjetje, sipas kësaj organizate, ka mbetur e hapur prej vitit 2015, duke iu nënshtruar kushteve të jashtme, ndërkohë që ditëve të fundit është mbuluar nga bora dhe moti i ftohtë dhe ngricat.
“Instituti Arkeologjik i Kosovës gjatë vitit 2016 ka vazhduar gërmimet me karakter shpëtimi në Sheshin e Lidhjes dhe ka konstatuar se bëhet fjalë për një mbetje arkitektonike të periudhës klasike romake, përkatësisht të shekullit II-III. Njëkohësisht ka paralajmëruar mbulimin provizor të monumentit për ta mbrojtur gjatë stinës së dimrit”, thuhet në reagimin e Ec Ma Ndryshe.
Bazuar në vëzhgimin në terren, sipas kësaj organizate, në këtë hapësirë nuk është vërejtur zbatimi i ndonjë mase mbrojtëse kundër borës e ngricave.
“EC Ma Ndryshe përkujton se edhe një vit më parë pat reaguar, duke kërkuar aplikimin e masave mbrojtëse në këtë lokalitet arkeologjik, i cili qe zbuluar në fund të vitit 2014, gjatë punimeve infrastrukturore në Sheshin e Lidhjes. Vitin e kaluar si pasojë e motit të ftohtë pat ardhur deri te shpërthimi i gypave të ujit që kalojnë nëpër këtë hapësirë, duke mbuluar kështu me ujë pjesë të caktuara të lokalitetit”, vazhdon reagimi.
Prandaj, Ec Ma Ndryshe sërish i bën thirrje institucioneve përgjegjëse që këtë vlerë të trashëgimisë kulturore ta trajtojnë me seriozitet, të ndërmarrin veprime adekuate për mbrojtje gjatë të ftohtit, dhe në kohën më të shkurtër të fillojë trajtimi profesional i lokalitetit konform legjislacionit dhe praktikave të mira për mbrojtjen e trashëgimisë arkeologjike, në mënyrë që ai të vihet në shërbim të publikut dhe vizitorëve të Prizrenit./Insajderi.com