Disa nga zëdhënësit e Policisë së Kosovës për Gazetën Insajderi kanë rrëfyer rastet më të ndjeshme për të cilat iu është dashur të raportojnë në media.
Raportimet nga “kronika e zezë”, siç theksojnë vet zëdhënësit ndikojnë shumë në gjendjen e tyre emocionale.
Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti thotë se rastet me të cilat përballen çdo ditë janë shqetësuese.
“Rastet me të cilat përballemi çdo ditë, janë shqetësuese, secila në mënyrën e tyre. Është e pamundur me qenë indiferent, para së gjithash jemi njerëz dhe bashkëndiejmë me secilin, sidomos në rastet ku janë të përfshirë fëmijët” – tha Ahmeti për Gazetën Insajderi.
Se natyra e informatave policore hynë në informata që janë më të ndjeshme, thotë edhe zëdhënësi i Policisë Bajram Krasniqi.
“Duke qenë se para së gjithash ne jemi qenie njerëzore, kemi ndenja dhe shumë raste na vënë në gjendje më të rëndë emocionale. Fatbardhësisht shumicën e informatave i japim me shkrim në mënyrë që të ruajmë profesionalizmin duke duke mos u vërejt emocionet” – tregon Krasniqi.
Ai tutje, tha se prej rasteve që kanë ndikuar më shumë në gjendjen e tij emocionale është një ngjarje e vitit 2019, kur kishte ndodhur një vrasje e dyfishtë.
“Mbaj mend që në shtator 2019, në një rast vrasjeje e dyfishtë, ka qenë më e vështirë të jap informata në vend-ngjarje vetëm disa minuta pasi kishte ndodhur rasti. Mbajtja nën kontroll e emocioneve në këso rastesh nuk është e lehtë. Ne vazhdojmë të punojmë me shpresë që për sa më pak raste të rënda të ofrojmë informata” – tha Krasniqi.
Vesel Gashi zëdhënës nga Policia e Prizrenit thotë se raportimi i rasteve nga “kronika e zezë” ndikon në humor edhe në raste festash.
“Ka pasë raste si çdo regjion, por ajo më e rënda është rasti i një 26 vjeçari në Grajkoc të Prizrenit, ditën e bajramit është raportu si rast. Ai për ne ka qenë rast i njeshëm, sepse ende pa fillu procedurat shumë herët lidhur me këtë rast kanë dalë disa të paqenë. Fillimisht është rrah, pastaj është ndarë nga e dashura. Një djalë i një dëshmori, edhe ishte festë – bajrami. Ky ka qenë rasti që na ka bërë mos me u ndi mirë askush”- tha Gashi.
Derisa, Ismet Hashanin nga Policia e Gjilanit vrasja e katërfisht në Pozhoran e kishte bërë të ndihej shumë keq.
Ai madje thotë se edhe po të jetonte një qind vjet nuk do ta harrojë atë rast.
“Rasti në viti në Pozhoran vrasje e katërfisht, që unë edhe 100 vjet me jetu ma keq nuk jam ni. Por këtë vit prej rasteve të rënda po jam më i prekur për raportimet për dhunimet ndaj të miturave” – tha Hashani.
Ndryshe, Gazeta Insajderi ka raportuar në vazhdimësi për rastet që kanë ndodhur në Kosovë gjatë vitit 2022.