Gjyqtari i Gjykatës Themelore të Prishtinës, Vehbi Kashtanjeva, me kërkesë të Prokurorisë Speciale, ka vendosur që t’ua vazhdojë edhe 3 muaj paraburgimin të dyshuarve për terrorizëm
Prokuroria Speciale ka kërkuar vazhdimin e paraburgimit kundër 8 të pandehurve edhe për tre muaj, pasi ekziston dyshimi i bazuar se ata i takojnë organizatës terroriste ISIS.
Sipas dokumentit që arsyeton vendimin e paraburgimit, të akuzuarit dyshohet se kanë marrë pjesë edhe në luftën në Siri gjatë muajve shtator-tetor të këtij viti, shkruan lajmi.net.
“Sipas udhëzimeve të ish udhëheqësit të shqiptarëve në Siri, Lavdrim Muhaxherri, të gjithë të pandehurit ishin në përgatitje të sulmeve terroriste në territorin e Ballkanit, duke filluar në Kosovë”, thuhet ndër të tjera në këtë dokument.
“Poashtu, pas analizimit të informacioneve dhe implementimit të masave të fshehta, ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtit paraqesin rrezik potencial për sigurinë në territorin e Kosovës dhe shteteve në rajon”, konstatohet tutje në dokument.
Aty theksohet se për këtë periudhë tremujore pritet të përfundojnë hetimet.
Grupi prej 17 personash, dyshohet se kanë kryer veprën penale “Përgatitje e veprave terroriste” ose vepra kundër Rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës së Kosovës.