Sot Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të suspendohet përmbaruesi privat, Ilir Mulhaxha, vëllau i deputetes, Fatmire Mulhaxha Kollçaku, për shkak të një borxhi prej 6 milionë eurosh të llogaritur gabimisht të Telekomit.
Drejtori i financave të Telekomit, Feim Kelmendi kishte akuzuar rëndë Mulhaxhën. Ai kishte shkruar në profilin e tij në “Facebook” se ndaj tij po ushtrohet dhunë psikologjike sa që i ndodhte edhe në ëndërr ta shihte Ilir Mulhaxhën.
“Kur jemi të dhuna psikologjike unë personalisht qe një kohe të gjatë e ndjej që është duke u ushtruar dhunë aq e madhe psikologjike ndaj meje nga një përmbarues privat (Ilir Mulhaxha) sa që me ndodh shpesh që edhe ëndërr e shoh atë kriminel”, kishte shkruar ai.
Po ashtu Kelmendi kishte shtuar se nëse do kishte shtet vëllau i deputetes, Fatmire Mulhaxha do përfundonte në burg te përjetshëm.
“Po të kishte instrument që mat nivelin e dhunës që unë e ndjej që më shkaktohet nga ky person dhe po të kishte shtet siç duhet ky njëri do të përfundonte në burg te përjetshëm. Fatkeqësisht kam bindje që ky person ka një mburoje të hekurt nepër institucione që askush nuk guxon të mirret me të. Fal zotit që nivelin e durimit e kam shumë të lartë sepse përndryshe moti do të kisha përfunduar unë në burg në vend të tij”, pëfundoi Kelmendi.
Zëvëndësministri i Ministrisë së Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka njoftuar se ka marrë vendim që të suspendohet përmbaruesi privat, Ilir Mulhaxha, vëllau i deputetes, Fatmire Mulhaxha Kollçaku, për shkak të një borxhi prej 6 milionë eurosh të llogaritur gabimisht të Telekomit.
“Në bazë të kompetencave ligjore, sapo nënshkrova Vendimin për suspendimin e përmbaruesit privat që deri pasnesër do ta përmbaronte një borxh mbi 6 milionë euro (të llogaritur gabimisht) të Telekomit”.
Tutje Sallahu ka shkruar se ka kaluar koha kur financat e Telekomit shërbenin si plaçkë.
“Ka kaluar koha kur financat e Telekomit shërbenin si plaçkë për t’i pasuruar orkestruesit e tenderëve që lidheshin qëllimisht në disfavor të Kompanisë!”, ka shkruar Sallahu.