Megjithëse udhetarët nga Kosova që frekuentojnë bregdetin shqiptarë janë pro taksës rrugore prej 5 eurove për një automjet, rruga e Kombit edhe këtë sezonë verore nuk do të jetë me pagesë. Këtë e ka konfirmuar komisari i policisë rrugore të Shqipërisë Sokol Zefi.
E përfolur për mungesë të elementeve të sigurise, “Rruga e Kombit” pritet të ketë edhe taksën e saj për mirmbajtje, e që qytetarët e Kosovës, e mirëpresin vendimin që pritet të marrë Qeveria e Shqipërisë për dhënien me konçesion të kësaj rruge, njofton Televizioni Publik i Kosovës.
Sokol Zefi komisari i policisë rrugore të Shqipërisë deklaroi se janë marrë të gjitha masat dhe po punohet maksimalisht në rregullimin e sinjalistikave dhe mbylljen e kyqjeve të paligjshme në rrugën Kukës – Durrës. Por sipas tij, edhe në këtë sezonë turistike asgjë nuk do të ndryshojë për pushuesit nga Kosova përsa i përket pagesës rrugore.
Pagesa në “Rrugën e Kombit”, sipas njoftimeve të Ministrisë së Transporteve të Shqipërisë , do të jetë 5 euro për automjet.
Vetëm në 2015-ën, sipas të dhënave të Policisë Kufitare në Morinë ,janë regjistruar 5 milionë e 412, 238 hyrje-dalje të personave dhe 1 milionë 849,987 hyrje-dalje të automjeteve.