Instituti për Shëndetin publik në Mal të Zi mori konfirmimin nga laboratori gjerman i klinikës Charite në Berlin, se në mostrat e dërguara atje ishte identifikuar varianti britanik i Covid – 19.
Pasi kemi të bëjmë me virus, i cili ka një përhapje shumë të lartë, sipas ekspertëve, gjatë ditëve të fundit është shtuar dukshëm numri i të infektuarve me ketë virus. Mali i Zi, aktualisht renditet i pari në rajon me 1.376 të infektuar me koronavirus për 100.000 banorë. Për shkak të situatës tejet të rëndë epidemiologjike dhe numrit të shtuar të të sëmurëve dhe viktimave, pas mbylljes së Budvës dhe Tivatit, me urdhër të institucioneve përkatëse u mbyllën të gjitha objektet e hotelierisë në Nikshiq, Cetinjë, Podgoricë, Herceg Novi, Ulqin dhe Kotorr.
Ndërkohë që situata është tejet alarmante e tërë vëmendja është e përqendruar tek vaksinat.
Të mërkurën (17.02) në Mal të Zi mbërriti kontigjenti i parë me vaksina kundër koronavirusit, të cilat janë dhuratë nga Serbia. Në aeroportin e Podgoricës Kryeministri Zdravko Krivokapiq priti homologen e tij serbe Ana Brnabiq, të cilën e falënderoi dhe i tha, që ”ky donacion është dëshmi e respektit të madh. Ky veprim do të jetë një fillim i ri në zhvillimin e marrëdhënieve misi dy vendeve që në një periudhë të caktuar kohore kishin shënuar ngecje”, është shprehur Krivokapiq.