
Ngadhnjim Kastrati u shkarkua nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, me 19 janar 2022, shkruan Insajderi.
Bordi i Radio Televizionit të Kosovës pas vendimit të shpallur tha se ish-drejtori i përgjithshëm ka dështuar në kryerjen e punëve të tij në mënyrë efikase dhe ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për RTK-në.
Në arsyetimin e vendimit thuhet se Kastrati ka dështuar të sigurojë respektimin e kërkesave që dalin nga Ligji për RTK-në Nr,04/L/046.
“Drejtori i Përgjithshëm për gati tri vite të mandatit të tij, ka dështuar të hapë konkurse për të rekrutuar punëtorët e nevojshëm për funksionimin siç duhet të RTK-së”, thuhet në vendim.
Po ashtu, në vendim renditen shkeljet që i janë bërë Ligjit për RTK-në.
“Ka dështuar të sigurojë respektimin e kërkesave dhe detyrave që dalin nga rregulloret, ligji dhe statuti me të cilin operon RTK, ku për pasojë Njësia e Auditimit të Brendshëm (NjAB) ka evidentuar shkelje të ndryshme dhe mos-sanim të situatës, përkatësisht shkeljeve pas dhënies së rekomandimeve”, thuhet tutje në vendim.
Disa muaj pas shkarkimit të tij, autoriteti kompetent për mbrojtjen e ligjit të punës ka dalë kundër vendimit të këtij bordi.
Inspektoriati i Punës në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transferev ka dalur me një raport zyrtar pas ankesës së drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, Ngadhnjim Kastratit, për shkarkim nga puna.
Inspektoriati ka vlerësuar se Bordi i Radio Televizionit të Kosovës, nuk e ka respektuar kontratat e punës duke shkelur kështu ligjin.
Në përmbajtjen e kontratës thuhet se ajo mund të shkëputet 60 ditë pas paralajmërimit me shkrim nga Bordi i RTK-së.
Nga Inspektoriati kanë vlerësuar se Bordi i RTK-së ka shkarkuar jashtëligjshëm nga pozita Ngadhnjim Kastratin.
Sipas tyre ky shkarkim bie në kundërshtim me Ligjin e Punës dhe të Kontratës së Punës.
Ditë më parë, në mbledhjen e mbajtur me 22 mars 2022, Bordi i RTK-së ka anuluar konkursin për drejtor të përgjithshëm.
Sipas tyre, një rezultat i tillë ka ardhur për shkak të mungesës së bazës së qartë ligjore qe do te garantonte përfundimin e procesit.
“Rrjedhimisht, për të evituar shkeljet ligjore, Bordi i RTK-së njofton se e ka përmbyllur procesin e konkursit duke mos e votuar asnjë kandidat për Drejtor të Përgjithshëm të RTK-së, duke mos paragjykuar profesionalizmin dhe vizionin e disa kandidateve për zhvillimin e RTK-së”.
Kujtojë se për procesin e zgjedhjes së drejtorit të ri të RTK-së në ditët e fundit ka patur presion dhe sulme me deklarata publike ndaj bordit të televizionit publik, nga ana e pushtetit dhe mediave të afërta me Qeverinë.