Gjatë ditës së djeshme, presidentja e vendit, Vjosa Osmani u pa duke u vozitur me një veturë luksoze teksa po takohej me kryetarin e Vitisë. Veturë e tipit Mercedes G-Class e blinduar, e cila në treg sillet me çmim deri në 500 mijë euro.
Pas kësaj në media u raportuar se si Osmani dikur si opozitare fliste për varfëri, e ndërkohë sot si presidente ka ndryshuar situata.
Pas këtyre lajmeve ka reaguar edhe Zotëria i Parë, Prindon Sadriu, duke i dalë në mbrojtje Osmanit, shkruan Insajderi.
Si zakonisht, i sulmoi mediat, duke thënë se “disa portale janë në gjendje që edhe një Golf 2 ta paraqesin si luksoze”.
Për më tepër, ai ka thënë se Osmani përdor veturën më të vjetër nga të gjithë bartësit e institucioneve qendrore dhe lokale.
“Disa portale janë të afta ta paraqesin edhe një Golf 2 si veturë luksoze, mjafton që në të të vozitet Presidentja. Por, faktet flasin ndryshe nga propaganda: Presidentja përdor veturën më të vjetër nga të gjithë bartësit e institucioneve qendrore dhe lokale në Kosovë. #Disinfo #FakeNews”, ka shkruar Sadriu.
Mbrëmë edhe Presidenca e Kosovës ka dal me reagim duke mbrojtur Osmanin, pas lajmit të Gazetës Insajderi, “Varfëria” e politikanëve- Vjosa Osmani zbret nga ‘Mercedes G-Class’ në Viti“.
Në reagimin e presidencës thuhet se se Osmani nuk është duke përdorur automjetin luksoz të lartpërmendur.
Sipas tyre vetura është e institucioneve të sigurisë në Kosovë dhe nuk shfrytëzohet vetëm nga presidenca.
“Disa portale online sot publikuan lajme me titullin “’Varfëria’ e politikanëve- Vjosa Osmani zbret nga ‘Mercedes G-Class’ në Viti”, ose tituj të ngjashëm I njoftojmë qytetarët e Kosovës se ajo veturë nuk është pronë personale e Presidentes Osmani e as veturë e Presidencës, por veturë e institucioneve të sigurisë në Kosovë, e cila është shfrytëzuar rregullisht edhe nga institucionet e tjera.”, thuhet në reagim.
Nga Presidenca deklaruan se kjo veturë po përdoret, pasi vetura që e kishin në përdorim deri më tani ka defekte.
“Tani po shfrytëzohet përkohësisht nga Presidenca ngase vetura që është shfrytëzuar deri tash ka defekt teknik dhe për shkak të vlerësimeve nga institucionet e sigurisë për sa i përket llojit të automjeteve që mund të përdoren për kreun e shtetit”, thuhet në reagim.
Ndonëse Gazeta Insajderi në artikullin në fjalë nuk e ka përmendur asnjëherë se vetura është e presidentes.
Në shkrimin e Insajderit theksohet vetëm se Osmani u pa tek zbriste nga një veturë luksoze e tipit ‘G-Class’.
Artikulli i Insajderit:
“Varfëria” e politikanëve- Vjosa Osmani zbret nga ‘Mercedes G-Class’ në Viti
Presidentja Vjosa Osmani sot ishte në Viti në vizitë me kryetarin e Komunës së Vitisë dhe mori pjesë në festën e Zojës së Madhe në Letnicë të kësaj komune.
Mirëpo, agjenda e saj nuk ishte gjëja më karakteristike e kësaj vizite. Osmani u pa tek zbriste nga një veturë luksoze e tipit ‘G-Class’.
Në pamjet që ka shpërndarë Ekonomia Online, shihet si Osmanit i hapet dera e veturës ‘Mercedes G-Class’ nga mbrojtja e afërt përpara takimit me kryetarin e Vitisë, Sokol Haliti.
Osmani s’ishte parë më herët me ‘G-Class’ nëpër evente, andaj nuk dihet nëse është veturë e re e Presidencës.
Ajo përpara “14 shkurti të madh” në fitoren e përbashkët me kryeministrin aktual Albin Kurtin, fliste për varfërinë në Kosovë dhe shkaqet e saj. Thoshte se korrupsioni masiv dhe haraçi ishin shkaktarët kryesorë të varfërisë.
“Ky vend nuk është i varfër për shkak të njerëzve që kanë punuar me nder e me përkushtim brenda vendit e jashtë vendit, por është i varfër për shkak të politikanëve, që kanë shndërruar biznese të tëra, nëpërmjet haraçit, nëpërmjet zhvatjes, nëpërmjet marrjes së përqindjeve edhe investitorëve të huaj, nëpërmjet krimit e korrupsionit masiv, saqë organizatat ndërkombëtare sot thonë se mbi 300 milionë në vit ne i humbasim vetëm nga ky korrupsion. Kjo është arsyeja pse mbi 100 mijë qytetarë sot në Kosovë jetojnë me më pak se një euro“, deklaronte Osmani.
Nga Vitia, Osmani që fitoi zgjedhjet bashkë me Kurtin duke premtuar zbutje të varfërisë, sot sulmoi këtë të fundit. Ajo foli për çështjen e Urës së Ibrit, e cila tha se aleatët ndërkombëtarë duan ta shohin hapjen e Urës së Ibrit si triumf të përhershëm e jo momental. /Insajderi.org/