Pozita e Drejtorit të Zyrës për Partitë Politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve i është dhënë Besnik Buzhalës. Britanikët që kanë qenë pjesë e procesit kanë dalë me rekomandim se asnjë kandidatë nuk i ka arritur pikët e kërkuara, por megjithatë KQZ-ja ka vendosur që të procedoj me zgjedhjen e Buzhalës.
Gazeta Insajderi
Ishte fundi i orarit të punës në administratën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Një njoftim i rëndësishëm u shpall në korridoret e këtij institucioni, diçka që KQZ ende nuk e ka dhënë në publik.
Gazeta Insajderi merr vesh që ky institucion ka vendosur që pozitën Drejtor i Zyrës për Regjistrim Certifikim dhe Kontrollim Financiar të Subjekteve Politike të zgjidhet Besnik Buzhala.
Për të njëjtën pozitë, komponenti britanike në konkurset publike, sipas një memorandumi që Republika e Kosovës ka me Ambasadën Britanike ka vendosur krejt ndryshe.
“Kandidatët që kanë arritur 70% ose më shumë konsiderohet që mund të emërohen (sipas poentimit të Partnerit Zbatues) (Pikët maksimale 100%). Asnjë kandidat nuk është poentuar me 70% ose më tepër:, ka njoftuar Ambsada Britanike në Kosovë.
Pavarësisht kësaj, KQZ ka proceduar me përzgjedhjen e kandidati Buzhala.
Ngriten dyshime për kandidatin që përzgjodhi KQZ
Kandidati Besnik Buzhala, të cilit KQZ-ja ia dha pozitën Drejtor i Zyrës për Paritë Politike, njëra nga pozitat më të rëndësishme në këtë institucion nuk është ishte i vetmi në garë.
Pos tij në garë ka qenë edhe Ish-Kryeshefi ekzekutiv, Enis Halimi. Insajderi e ka kontaktuar atë, por ai nuk ka dashur të komentoj.
Personi tjetër në garë ka qenë edhe Ish-Drejtori i po të njëjtës zyrë, që tash mban një pozitë tjetër brenda KQZ-së, Nexhmedin Hyseni.
I kontaktuar nga Insajderi ai ka thënë që nuk është në dijeni për vendimin e KQZ-së, por ka shprehur dyshimet e tij rreth kandidatit të përzgjedhur.
“Unë nuk kam njoftim zyrtar, porsa ta marrë njoftimin zyrtar përgjatë procesit unë i kam vërejtur disa çështje… Nuk e di se si, ai (Besnik Buzhala) nuk konsiderojë që nuk e ka plotësu një kriter (përvojën menaxheriale) sipas konkursit edhe pasi të marrë njoftimin zyrtar unë do ti drejtohem gjykatës kompetente”, deklaroi ai.
Insajderi nuk ka mundur që deri tash të bie në kontakt me kandidatin e përzgjedhur, Besnik Buzhala.
Burime të Insajderit brenda KQZ-së bëjnë me dije që përvoja e tij menaxheriale nuk i përmbush kriteret e konkursit, që kanë qenë 5 vite përvojë menaxhuese pasi që ai në pozita menaxhuese është që nga viti 2019.
Rreth këtij emërimi Gazeta ka kërkuar përgjigje edhe nga kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi e zëdhënësi Valmir Elezi, por të njëjtit nuk qenë të çasshëm.
Kujtojmë që me 14 qershor pas shkarkimit që i bëri Valdete Dakës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, e ka emëruar gjyqtarin Kreshnik Radoniqi si kryetar të ri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Ditë më parë pushteti aktual u përplas me britanikët e përfshirë në konkurse për pozita publike edhe në rastin e zgjedhjes së Kryshefes së Telekomit.
Vlerësimi i kompanisë britanike BDO në konkursin për kryeshef të “Telekomit të Kosovës”, ka tmerruar bordin e kësaj ndërmarrje publike dhe zyrtarët e Qeverisë Kurti.
Kompania britanike e përzgjedhur si trupë profesionale për të bërë poentimin e kandidatëve e ka vlerësuar me më së shumti pikë një ish-anëtar të Partisë Demokratike të Kosovës. Kreshnik Domin. Ai para pesë viteve kishte qenë kandidat për asamblenë komunale të Prishtinës nga radhët e PDK’së.
Aktualisht mbanë pozitën e drejtorit të shitjës në “Telekomin e Kosovës”. Bordi i drejtorëve në Telekomin e Kosovës, i emëruar aty nga Qeveria Kurti menjëherë janë barrikaduar kundër britanikëve.
E kanë shpërfillur kategorikisht këtë vlerësim. Ia kanë bërë të qartë britanikëve se në postin e kryeshefit të Telekomit do të vendoset dikush tjetër. Burimet e Insajderit kanë treguar se e preferuara e bordit është Burbuqe Hana, pjesëmarrësja e protestave të dikurshme të Lëvizjes Vetëvendosje.
Bordi i Telekomit ende nuk ka dërguar ndonjë njoftim zyrtar për emërimin përfundimtar të ndonjë kandidati dhe nuk ka komentuar zhvillimet e fundit në këtë ndërmarrje. Megjithatë, bordi drejtues i kësaj ndërmarrje edhe më herët ka shfaqur preferencën për kandidaten Burbuqe Hana.
Ia ka mundësuar që të jetë ushtruese e detyrës së kryeshefës për mbi një vit, ndonëse rregullat përcaktojnë se vetëm gjashtë muaj mund të ushtrohet një pozitë e lartë publike.
Derisa, më 24 prill 2020, Burbuqe Hana u emërua Ushtruese e Detyrës së Kryeshefës së Telekomit.
Hana në këtë pozitë e zëvendësoi Bedri Istrefin, që u shkarkua nga kjo pozitë nga Bordi i emëruar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Më 2016-të, Burbuqe Hana kishte qenë pjesë e protestave të Vetëvendosjes në sheshet kryesore të Prishtinës.
Mediat kishin raportuar se Burbuqe Hana e ka edhe vëllanë të punësuar në Telekom, Burim Hana si dhe gruan e vëllait, Luljeta Maloku Hana. Dyshohet edhe për një person të tretë të afërm më Hanën që është i punësuat në Telekom.