Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka njoftuar sot se edhe për këtë vit tekstet shkollore do të ofrohen përmes subvencionimit të prindërve. Ndaj këtij vendimi të MASHT-it ka reaguar kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës së Kosovës, shkruan Insajderi.
SBASHK e ka cilësuar si vendim të gabuar teksa kanë deklaruar se Këshilli i Prindërve duhet ta thotë fjalën e vetë lidhur me “këtë veprim të gabuar e të përsëritur të MASHTI’it.
Ata thonë se nuk janë marrë parasysh kritikat e këshillat e tyre e as të prindërve.
“U pa se MASHTI nuk ka dëgjuar kritikat e arsyeshme e as këshillat tona, të Këshillit të prindërve e as të palëve tjera dhe do ta përsërisë gabimin. Konsiderojmë se Këshilli i prindërve duhet ta thotë fjalën e vet lidhur me këtë veprim të gabuar e të përsëritur të MASHTI-t sepse ata janë zëri i prindërve të Kosovës, ndërsa ne do të vazhdojmë të jemi zë i anëtarësisë sonë në kërkim të dialogut dhe realizimit të kërkesave.
Edhe njëherë SBASHK ka konfirmuar se janë të bllokuar nga veprimet e Nagavcit, mungon dialogu.
“Zonja Nagavci duhet të merret me këto kërkesa, që në mënyrë të shkruar prapë ia kemi ripërsëritur dhe ia kemi dorëzuar zëvendësministrit Kelmendi në takimin me ftesën e tij. Për këshillat e saj se çfarë duhet të bëjë SBASHK nuk kemi nevojë se ne veprojmë bazuar në zërin dhe kërkesat e anëtarësisë. Të gjithë duhet ta arsyetojmë e respektojmë besimin e atyre që përfaqësojmë”, thuhet në reagim.