Dikur të privilegjuar si pasojë e politikës së aparteidit, tani ata po përballen me të njëjtat probleme.
Pluhuri i kuq i krahinës Highveld të Afrikës së Jugut ngjason me një mjegull mbi Munsieville-n, kampin që ndodhet vetëm një orë larg metropolit Johannesburg. Fëmijë këmbëzbathur luajnë me çfarëdolloj gjëje që gjejnë përpara barakave ku ata jetojnë. Të rritur të papunë rrinë ulur në stola përballë banesave, sepse nëse mbyllen brenda temperature është e padurueshme. Një skenë e tillë ishte diçka e zakonshme për familjet e zezakëve përgjatë periudhës së aparteidit.
Për shumë, kushtet e jetesës nuk janë përmirësuar që kur vendi deklaroi barazinë kushtetuese në vitin 1994.
Leigh Du Preez, themeluesi i Projektit të Ndihmës Familjare afrikano-jugore (SAFRP), thotë se politikat e përpiluara për të rregulluar dekada të një pabarazia të detyruar nuk kanë pasur efektin e dëshiruar.
Por ajo nuk po flet për familjet me ngjyrë. Du Preez thotë se shumë e më shumë të bardhë kanë qenë të papunë dhe të uritur, të detyruar që të ruajnë veten në mes të tensioneve racore në rritje.
“Ne po humbim punët tona për shkak të ngjyrës së lëkurës sonë, sepse ne jemi të bardhë”, u shpreh Du Preez për “Deutsche Ëelle”.
Më pak se 10 për qind e popullsisë së vendit është e bardhë, duke iu referuar censusit të 2014-ës dhe më pak se 10% e të bardhëve jeton në atë lloj varfërie, që kërkon ndihmën e “SAFRP”-it.
Për këtë arsye, nuk përbën çudi kur Du Preez thotë se ka pak interesim rreth çështjes së rritjes së varfërisë te të bardhët. Ajo thotë se popullsia me ngjyrë merr të gjithë vëmendjen dhe ndihmën.
I ndërtuar në një vend ku grumbulloheshin mbeturinat, kampi që ofron strehim falas, është projekti më i madh i SAFRP-it, me më shumë se 300 familje, të cilat jetojnë në lagje ngjitur me njëra-tjetrën.
“Këtu më parë nuk kishte asgjë. Nuk kishte kushte higjenike, ujë apo elektricitet. Tani ka një tualet të lëvizshëm për çdo tri familje. Kundërmon kudo”, tha ajo, duke shtuar se mungesa e kushteve higjenike ka bërë që të mbijnë sëmundje si bronkiti, pneumonia apo infeksione lëkure.
“Ata të gjithë po përpiqen që ta bëjnë këtë vend sa më të jetueshëm që të jetë e mundur, me çfarëdolloj gjëje të vogël që kanë”, tha Marius Du Preez, bashkëshorti i Leigh-it.
Kur Mariusi humbi punën e tij përpara disa vitesh, familja Du Preez thuajse përfundoi në një kamp pa pagesë si ai i Munsieville-s. “Nëse nuk do të ishte për miqtë dhe familjen, ku do të qe realiteti ynë”, tha Leigh. “Kështu që unë ndihem e detyruar që të bëj diçka. Qeveria nuk bën asgjë për ne. pra, ne duhet ti ndihmojmë vetë njerëzit tanë”.
Ajo është krenarë që SAFRP merr donacione si nga zezakët, ashtu edhe të bardhët. Por shumica, sipas saj, vjen nga jashtë.
“Ndonjëherë t’i duhet që të humbësh gjithçka që të mund të ngrihesh sërish në këmbë, për të vlerësuar ato çfarë ke”, u shpreh Estelle Floot, një nga banoret e kampit.