×
  • Lajme
  • Lajme / Shqipëri/Rajon

    Edi Rama: Nuk dua të jap mend, por për Italinë mirëpritja e refugjatëve afganë është një detyrë

    Insajderi
    19 August 2021 - 13:23
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    “Për Italinë unë them se mirëpritja e refugjatëve afganë është një detyrë” – thotë Edi Rama.

    Ky është titulli i medias italiane e cila ka zhvilluar një intervistë për ”pataten e nxehtë” humanitare që i ka ngelur në derë Amerikës dhe Evropës në këto ditë gushti.

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shpjeguar për të përditshmen italiane “Il Foglio”, qëndrimin e tij për t’i hapur dyert refugjatëve afganë, ndërsa italianëve u ka bërë thirrje të bëjnë të njëjtën gjë.

    “Historia jonë na e imponon këtë gjë”, ka thënë Rama. “E kemi jetuar luftën dhe kujtesën e saj e kemi të freskët”.

    E përditshmja, e përshkruan këtë qëndrim të kryeministrit shqiptar si një “manifest ndaj evropianëve ‘hipokritë dhe pa kujtesë’”.

    “Nëse Evropa është e dyzuar edhe për Afganistanin”, thotë Rama, “është sepse nuk e mbajnë më mend historinë”.

    Ndërsa pranimin e afganëve në Shqipëri, e ka cilësuar si një vendim shumë të natyrshëm, i cili i vë shqiptarët në kahun e duhur të historisë.

    Gazeta e vijon rrëfimin, me faktin se shija e Ramës në Itali, mbeti ajo e një kryeministri nga vendi i vogël fqinj, i cili ofroi mjekët e pakët që kishte, për të ndihmuar Italinë gjatë pandemisë.

    Sot, ai është sërish aty, gati për të ndihmuar. Por, këtë herë, një vend pak a shumë i madh sa rajoni i Lombardisë në Itali, do të mirëpresë dy deri në tre mijë afganë.

    Ndërsa Shqipëria flet për mijëra afganë, në Itali, vend shumë më i madh, flitet vetëm për dhjetëra refugjatë.

    Ndaj, pyetja shtrohet: A duhet Evropa dhe Italia në veçanti, të marrin shembull nga Shqipëria?

    “Nuk i jap leksione askujt”, ka nënvizuar Rama. “Aq më pak Italisë, ndaj të cilës jam shumë i lidhur. Por, do të them se pritja e refugjatëve, është detyrim i yni”.

    “Unë mbaj mend Millosheviçin, mbaj mend luftën, refugjatët, vdekjen torturat. Ishim ne afganët dikur, për ju italianët”.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark