Kryeministri shqiptar ka postuar të hënën mbrëma një fotografi nëpërmjet të cilës ka treguar dizajnin zyrtar të festimeve të Pavarësisë së Shqipërisë, por fakti që brenda shqiponjës është vendosur edhe një yll, ka zgjuar interesimin e ndjekësve të tij.
Dikush e ka lidhur yllin edhe me simbolin e komunizmit por i menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministrit Rama.
Rama është treguar edhe ironik kur i është përgjigjur një qytetari.
“Ai ylli është shenja e atyre që dhanë jetën që edhe ti Ermir të bësh hihihihi hahahaha si njeri i lirë në vendin tënd, ndërsa ajo shqiponja është shkaba dykrenare e flamurit të pavarësisë dhe 28 nëntori është data e ngritjes se atij flamuri, kurse 29 nëntori është data e çlirimit të këtij vendi!”, ka thënë Rama.
“Dhe e gjitha është një kartolinë e bërë me dorë, për t’u uruar thjesht këto dy festa të mëdha kombëtare, të gjithë miqve të këtij rrjeti, pa dallim feje, krahine e ideje”, ka shtuar kryeministri.
Rama ka vazhduar tutje me sqarimin ndaj qytetarit.
“Kështu që bëjë hihihihi hahahaha sa të kesh qejf, po mos i ngatërro as shqiponjën e atyre që sollën pavarësinë dhe as yllin e atyre që u vranë për lirinë tënde, me askënd e me asgjë që në kohë të zymta i bëri edhe shqiponjën edhe yllin, simbole të dhunës ideologjike kundër lirisë së njerëzve të këtij vendi”, ka shkruar Rama.