Instituti për Politika Zhvillimore ka organizuar sot një konference për të shënuar fundin e javës së Eficiencës së Energjisë, meqë rast u diskutua për rëndësinë e zbatimit të masave për eficiencë të energjisë në zhvillimin ekonomik.
Burim Ejupi, drejtor ekzekutiv në INDEP, ka theksuar se qëllimi kryesor i këtij projektit ishte të edukoj bizneset dhe qytetarët për përfitimet nga aplikimi i masave të efiçiencës së energjisë.
“Shuma e financimit të projekteve ka qenë simbolike, më së shumti 2500 euro, por vetëdijesimi i bizneseve dhe nxitja e tyre për të investuar janë sukseset më të mëdha të projektit”, ka thenë Ejupi.
Ejupi gjithashtu informoi të pranishmit që përfitues të grantit kanë qenë projekte që kanë investuar në masa të ndryshme të efiçiencës.
“Nga këto grante kanë përfituar gjithsej 48 biznese por në implementim e sipër më shumë se 200 biznese në 5 komuna kanë përfituar nga sesionet informuese dhe trajnimet që kemi mbajtur në lidhje me efiçiencën e energjisë”, shtoj me tej.
Në anën tjetër, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë që është edhe financuese e projektit, vlerësoi se efiçienca e energjisë është një faktor kyç që kontribuon në rritje ekonomike dhe zhvillim të qëndrueshëm.
“Jam i lumtur të dëgjoj që ky projekt ka kontribuar në rritjen e vetëdijes për efiçiencën e energjisë dhe se bizneset kanë pasur mundësi të implementojnë masa të efiçiencës”, u shpreh Libor Chlad nga Zyra e BE-së në Kosovë.
Ky projekt përfshiu trajnime të më shumë se dyqind përfaqësuesve të bizneseve, zyrtarëve komunal dhe të organizatave të shoqërisë civile, dhënie të granteve në vlerë prej njëqind mijë euro për dyzet e tetë biznese dhe kursim të mbi njëzet e pesë mijë eurove në fatura vjetore të energjisë elektrike./Insajderi