Egjipti ka vendosur që ta shtyjë paraqitjen e propozim-rezolutës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, me të cilën bëhet thirrje për ndaljen e ndërtimeve të vendbanimeve izraelite në tokën, të cilën palestinezët e synojnë që të jetë e shtetit të tyre të ardhshëm.
Egjipti është pajtuar që ta shtyjë këtë dokument, pasi presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, e ka thirrë presidentin e Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi, ka njoftuar sot presidenca egjiptiane.
“Të dy liderët janë pajtuar për rëndësinë e dhënies së rastit për administratën e re, që të veproj në mënyrë gjithpërfshirëse me të gjitha aspektet e çështjes palestineze për të arritur zgjidhje gjithpërfshirëse”, thuhet në kumtesën e zyrës së presidentit al-Sisi.
Zoti Trump dje e ka mbështetur thirrjen e kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, që Uashingtoni të vendos veto në propozim-rezolutën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.