
Zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka, është liruar nga akuza, ndërsa Egzon Azemi është shpallur fajtor dhe është dënuar me gjashtë muaj burgim për kanosje. Fajtorë janë shpallur edhe Qerkin Elshani dhe Edi Zenelaj, të cilët janë dënuar me nga gjashtë muaj burgim.
Ky aktgjykim është shpallur të premten nga kryetari i trupit gjykues në Gjykatën Themelore në Prishtinë, gjykatësi Arben Hoti derisa të akuzuarit nuk ishin prezentë në seancë.
Egzon Azemi është dënuar pasi vepra penale ndaj tij është ricilësuar nga “nxitja e urrejtjes dhe mosdurimit” në “kanosje”.
Qerkin Elshani është dënuar për kanosje, ndërsa Edi Zenelaj është shpallur fajtor për “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit”, pasi vepra penale ndaj tij është ricilësuar nga “kanosja”.
Tre të dënuarit , secili veç e veç, obligohen të paguajnë nga 100 euro për shpenzimet e procedurës penale dhe 100 euro të tjera për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 8 nëntor 2023 ka ngritur aktakuzë ndaj Arlind Manxhukës, Egzon Azemit, Qerim Elshanit dhe Edi Zenelajt, të cilët ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Kanosja” dhe “Mxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.
Sipas aktakuzës të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Manxhuka dhe Azemi ngarkohen për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”, ndërkaq Elshani dhe Zenalaj akuzohen për “Kanosje”. Të njëjti po akuzohen se me dashje kanë kanosur të dëmtuarit, gjykatësin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special Mentor Bajraktari dhe prokurorin special Afrim Shefkiu.