Ekipi i Universitetit të Prishtinës lë prapa atë të SHBA-së në garën e sigurisë kibernetike – Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    Ekipi i Universitetit të Prishtinës lë prapa atë të SHBA-së në garën e sigurisë kibernetike

    Insajderi
    19 May 2022 - 20:45
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ekipi i studentëve të FakuItetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike të Universitetit të Prishtinës me emërtimin garues “Runtime TERROR”, doli i pari në garën e sigurisë kibernetike.

    Prapa vetes ekipi kosovarë la atë të SHBA-së për pothuajse 120 pikë. Kurse vendin e tretë e zuri poashtu ekipi tjetër i UP-së i quajtur “It’s not a bug, it’s a feature”.

    Kjo garë u zhvillua si fryt i bashkëpunimit të Kosovës me Iowa-në, SHBA, gjegjësisht i Forcës së Sigurisë së Kosovës me Gardën Kombëtare Ajrore nga Iowa.

    Fortesa Mujaj, studente në këtë fakultet dhe njëkohësisht antare e ekipit që fitoi vendin e tretë tha për Insajderin se ishte një eksperiencë e paharueshme pavarësisht orëve të gjata që qëndruan në komjuter.

    “Ishte një eksperiencë e paharrueshme. Kaluam 6 orë duke mbrojtur dhe siguruar serverët e IOWA nga sulmet e ekipës së Kuqe (Red Team), por këto orë kaluan shumë shpejt dhe në fund në të vërtetë ja vlejti. Gara filloi në orën 14:00 dhe mbaroi në orën 20:00, fituesit më pas u shpallën në orën 21:00” tha Mujaj për Insajderin

    Kontribut në fitoren e ekipeve kosovare dha edhe profesori Blerim Rexha i cili i përgatiti ata.

    “Fokusi dhe energjia e studentëve të të gjitha universiteteve pjesëmarrëse ishte e jashtëzakonshme. Falenderimi shkon për IOWA State University, që bëri këtë eksperiencë të mundur, dhe profesor Blerim Rexha, i cili dha një kontribut të jashtëzakonshëm në përgaditjen tonë për garën CDC”, shtoi studentja

    Një aktivitet e bashkëpunim të tillë e përshëndeti edhe rektori i UP-së, Naser Sahiti.

    “Nismat e tilla të cilat e kanë studentin në qendër, janë vitale për UP-në. Njëherësh, fakti që në këtë kompeticion marrin pjesë edhe studentët e Universitetit Shtetëror të Iowa-s, na ndihmon edhe në vetë-evaliumin e punës sonë në fushën e rëndësishme të sigurisë kibernetike”, tha Rektori.

    Në ueb faqen e UP-së thuhet se kjo është e gara e parë e llojit të tillë në Kosovë, ku pjesëmarrëse ishin 12 ekipe (me rolin mbrojtës të njohur si “blue teams”) nga institucione të ndryshme arsimore (universitete, kolegje dhe shkolla të nivelit të pestë të studimeve) në vend.

    Ekipet garuese kanë punuar në mbrojtën e resurseve digjitale (si: server, kompjuter, shërbime në internet, etj.) nga “sulmuesit” (red teams) që janë nga shteti i Iowa-s.  Për më shumë,  një ekip monitorues “White team” nga Iowa ka qenë i pranishëm në Kosovë dhe së bashku me pjesëtarët e FSK-së kanë monitoruar garën gjatë tërë kohës.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark