Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë e Pejës në gusht të këtij viti në fshatin Perqevë të Klinës zbuluan 965 bimë kanabisi. Për rastin po kërkoheshin pesë persona, në mesin e tyre edhe Faik Gashi, i cili sot për pak u kap nga Policia e Kosovës gjatë një patrullimi në Pejë. Dikush tjetër që po e shoqëronte në veturë, u arrestua sot. Insajderi sjell detajet.
I dyshuari Faik Gashi siç ka mësuar Gazeta Insajderi ishte duke u vozitur me veturën e tipit Golf 4, nga familjari i tij Arjanit Krasniqi, e me të cilin tentuan të arratiseshin, duke mos përfillur kërkesën e policit për ndalim.
Derisa shoferi, Arjanit Krasniqi u kap nga Policia, i dyshuari për rastin e drogës, Faik Gashi arriti t’i ikë policisë.
Vetura në fjalë është sekuestruar.
Por si ndodhi rasti?
Një operacion policor në rajonin e Pejës ka rezultuar në ndalimin e një automjeti pa regjistrim dhe arrestimin e një personi të dyshuar, pas një ndjekjeje të shpejtë.
Ngjarja ka ndodhur sot, më 4 tetor 2024, rreth orës 09:50, kur një patrullë policore, duke përdorur veturën inteligjente, identifikoi një veturë Golf 4 të kuqe, me targa…, që nuk kishte regjistrim dhe sigurim.
Një nga policët, i cili ishte i veshur me jelek reflektues, doli për të ndaluar automjetin duke ngritur shenjën STOP, por shoferi refuzoi të ndalonte dhe tentoi të godiste policin me veturë.
Polici arriti t’i shmanget dhe nisi ndjekja e automjetit të dyshuar, i cili përfundoi kur pasagjeri hapi derën dhe të dy personat braktisën automjetin duke u larguar në drejtim të pyllit.
Shoferi i veturës, Arjanit Krasniqi, u arrestua pas ndjekjes.
Gjatë hetimeve, u zbulua se pasagjeri në automjet ishte Faik Gashi, i cili kërkohet nga autoritetet dhe është në kërkim nga policia dhe prokuroria.
Autoritetet kanë njoftuar prokurorët për veprimet e mëtejshme, duke përfshirë intervistimin e të dyshuarit për veprat penale të “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale” dhe “Sulm ndaj personit zyrtar”.
Shoferi është ndaluar për 48 orë dhe pritet të dalë në gjyq për kallëzim penal.
Prokuroria ka udhëzuar që të vazhdojë hetimi për përfshirjen e personave të tjerë të dyshuar në këtë ngjarje.
Gjithashtu, bëhet me dije se me urdhër të Prokurorisë, policia do të bastisë shtëpinë e të dyshuarit në fshatin Llashkadrenocë-Malishevë. Vetura e dyshuar është sekuestruar për mungesë të sigurimit dhe regjistrimit, dhe pritet të trajtohet sipas ligjit për kundërvajtje.
Theksojmë se për këtë rast u arrestua Silver Qebini nga Tepelena. Policia e Kosovës që nga atëherë për kultivimin e kanabisit shpalli në kërkim pesë persona: Gzim Gashin, Faik Gashin, Selim Gashin, Marglen Çomanin dhe Albion Kalemin.
/Insajderi