×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Ekskluzive: Biznesmeni Tahiri i Damastion që u denoncua në Prokurori nga zvministri Durmishi mori hise në tenderin 16 milionësh

    Insajderi
    02 July 2022 - 19:13
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gazeta Insajderi

    Kompania “Damastion Project”, pronë e Visar Tahirit ka marrë hise në tenderin e dyshimtë që peshon mbi 16 milionë euro në ministrinë e drejtuar nga Liburn Aliu.

    Biznesmeni e ka fituar llotin e tretë të kontratës publike për mirëmbajtjen verore dhe dimërore të autoudhës “Arbër Xhaferi”, si lider i grupit.

    Njoftimi për dhënie të kontratës është bërë më 27 qershor të këtij viti, shkruan Gazeta Insajderi.

    Ndërmarrja që merret me asfaltimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve ka marrë hise në këtë tender, pavarësisht se në të kaluarën e kishte mashtruar shtetin.

    “Damastion Project” dhe një kompani tjetër të kontraktuar nga MMPHI, në vitin 2020 e patën gërryer asfaltin për disa kilometra në të dy anët e rrugës nacionale Prishtinë – Pejë, konkretisht në mes të fshatrave Komoran e Llapushnik. Rruga nuk ishte asfaltuar kurrë dhe ministria nuk e kishte ndëshkuar kurrë kompaninë po ashtu.

    Kompania nuk e kishte asfaltuar rrugën në fjalë, ngase kur kishte ofertuar për tender nuk ia kishte marrë mendja se do të shfaqej nevoja për asfaltim, por vetëm për mirëmbajtje. Andaj kishte vendosur çmim “për toke” tek pozicioni i asfaltit. Fiks 5 cent e kishte vënë ofertën për m2 për shtrimin e asfaltit, ndërse tek elementet tjera të mirëmbajtjes i kishte fryrë çmimet. Në fund, kishte dalë kompania më e lirë dhe ishte shpërblyer me kontratë.

    Udhëheqja e re e prokurimit të MMPHI, ka vendosur që të shpërblejë përsëri me tender për mirëmbajtjen e autostradave kompaninë në fjalë. Ndryshe nga hera e kaluar, kur kompania kishte vendosur çmime prej 5 cent për m2 për asfaltit deri në 4.5 cm, tash kompania kanë vendosur çmim prej rreth 7 euro për m2.

    Zëvendësministri, Hysen Durmishi kishte lëshuar një deklaratë tejet kundërthënëse, kundruall vendimit që ka marr ministria për ta shpërblyer me kontratë kompaninë “Damastion”, dhe për t’i lëshuar referencë për punët që si ka kryer. Deklarata e tij sikur ishte në cilësinë e personit që operon si i pavarur nga ministria, dhe jo si autoriteti kryesor aty.

    Pas të gjitha këtyre veprimeve, Drumishi në një intervistë televizive pati thënë se me kontratën e “Damastion”, duhet të merret prokuroria.

    “Kemi situata kur çmimi i asfaltit ka qenë 1 cent e 5 cent. Në çmimet e tregut për atë pozicion ka qenë 10 euro, tash është edhe më shumë. Pra, ka pasur pozicion 200 mijë m2, çmimin në kontratë e ka pasur 5 cent, që për krejt bëjnë 10 mijë euro, kurse çmimi i tregut është 2 milionë euro, dhe më pastaj nuk i ka realizuar punimet, sepse janë marr veshë paraprakisht që ne po e qesim këtë pozicion dhe ti me këtë pozicion e fiton kontratën, po ti s’ki me punë këtë punë. E me këtë duhet të merren gjykatat dhe prokuroria”, kishte thënë shprehimisht Durmishi në ATV-në, transmeton Gazeta Insajderi.

    Historiku i tenderit 16 milionësh për të cili raportoi ekskluzivisht Gazeta Insajderi

    Në fillim të qershorit, 2022, emri i Liburn Aliut po shkonte trending në mediat e vendit. “E ka jaran Liburnin”, ishte vetëm njëra nga pjesët e përgjimit që ishte publikuar në aferën njohur si ‘Liburnia’ e përmes së cilës dëshmohet se daja i këshilltarit të minsitrit Liburn Aliu, Florent Ramqajt është i përfshirë në marrje të ryshfetit. 30 mijë euro kërkohen nga një biznesmen në emër të kompanisë “Infratek”, që udhëhiqet nga daja i Ramqajt, Halil Jahaj.

    Insajderi do të publikonte edhe lidhje më direkte mes Liburn Aliut e Halil Jahajt. Aliu edhe Jahaj janë pjesë e një bordi të përbashkët. Ata janë anëtarë të Bordit Industrial të Fakultetit të Ndërtimtarisë.

    Audi-incizimi i ryshfetit dhe lidhja me tenderin 16 milionësh

    Ministri Aliu, që drejton një konglomerat ministrish, atë të Mjedisit e Infrastrukturës, të bashkuara tash, do të dilte në televizion për tu sqaruar për atë audio-incizim ku përmendej edhe emri i tij.

    Në një intervistë të gjatë në Presing të T7 Ailu do të tregonte se beson që ky publikim erdhi pasi që ai mori veprime për të pezulluar një tender fortë të shtrenjtë- tenderin për mirëmbajtjen e autostradave. Hiç më pak se sa 16 milionë euro.

    Ai në këtë intervistë tha që ka kërkuar hetim të brendshëm, pasi që dyshohej se si u shpallën fitues në këtë tender 16 milionësh kompanitë që në mars 2022 u rekomanduan për këtë kontratë.

    Kompanitë që fituan 16 milionëshin për herën e parë

    Në atë dokument del që kompanitë që ishin bërë gati ta merrnin këtë tender ishin: lot 1: grupi i kompanive me lider “Lika Company”, loti 2: grupi i kompanive me lider  kompaninë “2A Group”, loti 3: grupi i kompanive, me lider kompaninë “Damastion Project”  dhe loti 4: grupi i kompanive me lider kompaninë “Arbotec”, shkruan Gazeta Insajderi.

    Dokumenti:

    Liburn Aliu duke folur se si nxjerrja në publik e audio-incizimit për dyshime për ryshfet lidhej me pezullimin e këtij tenderi, tha edhe që për këtë ka kërkuar “auditim special”. Se e ka pezulluar.

    Për më shumë, ai kishte mohuar se po për këtë tender ka prishje të raporteve mes tij dhe Hysen Durmishit, zëvendësit të tij në Ministri, që ka përgjegjësi më shumë Ministrinë e Infrastrukturës.

    “Unë kam qenë në burg me Hysen Durmishin. Sot i kemi raportet shumë të mira. Sot jemi taku, kemi pi kafe bashkë”, tha Aliu.

    Kompanitë që fituan 16 milionëshin pas ‘auditimit special’

    Duke folur rreth tenderit, ku thuhet se zë fill përplasja mes tyre, Aliu mohoi se Durmishi po hetohet, por theksoi se ai ka kërkuar auditim. “Hysen Durmishi e ka kërkuar auditimin…ai ka iniciuar auditimin, jo hetimin, ne s’bëjmë hetim”, shtoi ai.

    Por, ende pa u bërë një muaj nga këto deklarime, duket që ‘hetimi’ i Liburn Aliut ka përfunduar. Nuk ka gjetur asgjë të keqe. Kjo pasi që më 27 qershor, 2022 Ministria që ai drejton ka bërë njoftimin e fundit për dhënie të kontratës për mirëmbajtjen dimërore të Autostradave ‘Ibrahim Rugova” e Arbën Xhaferi”, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Vlera e parashikuar e kontratës: 16 434 000 euro”, thuhet në këtë dokument.

    Edhe në këtë njoftim, si në atë që e dërgoi në ‘auditim special’ Liburn Aliu e Hysen Durmishi, rezultati është i njëjti.

    Loti 1 i është dhënë grupit të kompanive me lider “Lika Company”, loti 2 iu dha grupit të firmave që udhëhiqet nga “2A Group”, loti 3 iu dha grupit të kompanive me lider “Damastion Project”  dhe loti 4: grupi i kompanive me lider kompaninë “Arbotec”.

    Pos auditimit që Liburn Aliu bëri me dije që ka kërkuar për këtë tenderi 16 milionësh, e që tha që u bë me kërkesën e zëvendësit të tij, Hysen Durmishi, po për të njëjtin disa firma që ishin në garë ishin ankuar në Organin Shqyrtues të prokurimit.

    Insajderi merr vesh se po për këtë tender në Gjykatën e Tenderëve deri tash janë deponuar hiç më pak se katër ankesa nga katër kompani të ndryshme.

    Derisa, Auditori i Brendshëm i ka kërkuar Liburn Aliut, ministrit që drejton Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës që ta anulojë tenderin me peshë 16 milionë euro për mirëmbajtjen e dy autostradave të Kosovës.  

    “Konkluzioni i Përgjithshëm: Bazuar në të gjeturat e theksuara më lartë, konsolidojmë se ky Aktivitet i Prokurimit është i manipuluar, kurdisur dhe koordinuar me operatoret ekonomik të caktuar. Është një konstruksion korruptiv me pasoja të mëdha të humbjeve financiarë për MMPHI”, thuhet në konkluzionin e përgjithshëm.

    Prandaj, sipas auditorit, për të shpëtuar nga dëmet e më tejme, ai ka rekomanduar që të anulohet menjëherë ky aktivitet i prokurimit dhe të kthehet në fazën e planifikimit të mirëfilltë.

    “Ju duhet të ndërmerrni të gjitha masat ligjore dhe disiplinore për ti rivendosur kontrollet menaxheriale në Departament të Infrastrukturës rrugore dhe në Divizionin e Prokurimit, sepse Ju nuk keni besueshmërinë minimale objektivë dhe ligjore në kontrollet menaxheriale të apostrofuar”, thuhet në këtë raport i cili mbanë vulën e datës 23 qershor 2022.

    Për gjetjet e apstrofuara ende nuk ka reaguar ministri Liburn Aliu dhe as zëvendësi i tij Hysen Durmishi./Gazeta Insajderi/

    Lexo edhe:

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    22 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark