Burbuqe Hana, kryeshefja ekzekutive e Telekomit, ka marrë vendim për shkëputje të kontratës pa mundësi ankese në komision për tre punëtorë të Telekomit: Merita Krasniqin, Kushtrim Vrajollin dhe Arif Musën. Për Krasniqin dhe Musën vendimi është marrë gjatë kohës sa këta të dy gjinden në pushim mjekësor. Insajderi ju sjell detaje ekskluzive nga vendimi:
Gazeta Insajderi ka arritur të sigurojë dokumentet ku dëshmohet vendimi për shkëputje të marrëdhënies së punës për të tre të angazhuarit në Telekom tash e mbi 10 vite.
Në vendimet e marra që mbajnë nënshkrimin e Burbuqe Hanës, dëshmohet se që të tre të liruarve nga puna nuk iu është dhënë mundësia e ankesës në komision.
Insajderi ka marrë vesh se Merita Krasniqi është mbesa e ish-presidentit Hashim Thaçi, e cila ka mbajtur pozitë koordinuese në Departamentin e Marketingut. Krasniqi ishte degraduar në pozitë nga ajo e zëvendësdrejtoreshës në atë koordinuese nga Hana, ku ndërmarrja publike ku udhëheq ishte pasuar me masë ndëshkimore nga Inspektorati i Punës.
Njësoj ka vepruar edhe me Arif Musën, i cili ka mbajtur pozitë menaxheriale deri në momentin e ardhjes së pozitës së Burbuqe Hanës, të cilin e ka degraduar më pas në një pozitë më të ulët.
Në anën tjetër, Kushtrim Vrajollit në vendimin për shkëputjen e kontratës ndaj tij pretendohet se të njëjtit iu është ofruar kontratë të re pune dhe i njëjti e ka refuzuar.
“Deri tek ndërprerja e marrëdhënie së punës për arsye teknike dhe organizative ka ardhur vetëm pasi që punëdhënësi në pajtim me Nenin 17, paragrafi 2 të Ligjit të Punës i’a ka ofruar të punësuarit një pozitë të re të punës, sipas organogramit/skemës se re organizative sipas përgatitjes se tij profesionale duke i ofruar të njëjtit sistemim në një vend/pozite tjetër të punës dhe që më për së afërmi i përshtatet punës që i njëjti ka qenë duke e kryer”, thuhet ndër të tjera në arsyetimin për vendim.
Megjithatë, në një komunikim që Vrajolli ka pasur me menaxhmentin e lartë të Telekomit, të cilin e ka parë Insajderi, pretendohet se të njëjtit iu kishte ofruar kontratë me pagë më të ulët dhe në një periudhë tre-mujore. Madje thotë se të njëjtit iu është protokolluar kontrata pa pëlqimin e tij nga ana e kryeshefes.
“Kontrata mu ofru për lexim dhe ishte në përfshirë nivelin e pagës dhe kohëzgjatjen e kontratës që ndryshonin nga kontrata aktuale. Për sqarim mu tha se këto ndryshime nuk janë bërë nga menaxheri i BNJ por është bërë me kërkesë të drejtorit Avni Tafilaj përgatitur ishte ushtrues detyre afat 3 mujor dhe grade 9 nga data 24.05.2024 deri më 23.08.2024 dhe ishte e nënshkruar nga krye shefja Burbuqe Hana dhe protokolluar nga arkiva me numer 2532/24 datë 27.05.2024 14 vite punë në TK) ri sistemim apo kamuflim për ndërprerje të kontratës së punës me qëllim”, thuhet në emailin e Vrajollit drejtuar menaxhmentit të Telekomit.
Nga Zyra për Informim në Telekomin e Kosovës për Insajderin kanë deklaruar se këtyre të punësuarve u është ofruar pozitë pune ekuivalente me përgatitjen profesionale, mirëpo që s’e kanë shfrytëzuar të drejtën.
“Telekomi i Kosovës Sh. A., nuk i ka shkarkuar të tre punëtorët në fjalë. Të njëjtëve u është ndërprerë marrëdhënia e punës sipas ligjit të punës dhe akteve të brendshme të kompanisë, të cilat qartësisht janë arsyetuar në vendimet përkatëse të secilit prej tyre”, ka deklaruar Fadil Lepaja, Drejtor i Marrëdhënieve me Publikun në ndërmarrjen publike.
“Meqenëse pozitat të cilat i mbanin janë shuar, apo janë plotësuar përmes konkurseve të hapura, të njëjtëve nga punëdhënësi u është ofruar kontratë e re e punës, duke u kujdesur në tërësi që të respektohen të gjitha dispozitat e aplikueshme ligjore”, ka thënë tutje ai.
“Pasi procesi i konkurrimit në konkurset publike është bojkotuar nga ana e tyre dhe nuk i kanë pranuar kontratat e ofruara, TK ka marrë vendim për ndërprerjen e marrëdhënies së tyre të punës, duke u kujdesur për afatet e njoftimit dhe duke u kujdesur që vendimet të jenë në harmoni me ligjin e punës”.
Insajderi ka arritur të sigurojë edhe kontratën të cilën ia kishte ofruar Vrajollit Hana. Aty konfirmohen pretendimet e tij që i kishte shkruar në email, se iu kishte ofruar pozita ushtrues detyre dhe se kohëzgjatja e kontratës ishte tre muaj. Po ashtu, edhe niveli i pagës ishte më i ulët.
“Standardet e dyfishta” të Burbuqe Hanës
Burbuqe Hana nuk kishte vepruar njëjtë kur kishte ndërprerë kontratën e punonjësit Skender Bylykbashi. Atij ia kishte dhënë mundësinë ta apelojë vendimin në komisionin e ankesave, e cila rregullohet me rregulloren përbrenda Telekomit.
Në vendimin që ka parë Insajderi, precizohet tek këshilla juridike se të njëjtit iu kishte dhënë mundësia të ushtronte ankesë prej tetë ditësh në komisionin e ankesave.
Problemet e natyrës së mos-ofrimit të pagës dhe gradës së njëjtë në kontrata të reja nga ana e menaxhmentit të Hanës janë evidentuar edhe nga Zyra Kombëtare e Auditimit. Në gjetjet e tyre u tha se në testet e listës së pagave të punonjësve tregojnë se për 31 pozita, punonjësit nuk paguhen me grada të njëjta për pozitën e njëjtë.
“Testet tona të listës së pagave të punonjësve, tregojnë se për 31 pozita, punonjësit nuk paguhen me grada të njëjta për pozitën e njëjtë. Edhe pse gjatë vitit 2023 ka filluar zbatimi i rregullores për sistematizimin e vendeve të punës dhe rregullores për marrëdhënie pune, ende nuk ishte zbatuar në tërësi procesi i ristrukturimit për të gjitha pozitat. Pritjet e menaxhmentit janë se ky proces do të finalizohet gjatë vitit 2024”, thuhet në gjetjet e ZKA’së.
Gazeta Insajderi në vazhdimësi ka raportuar për skandalet në Telekomin e Kosovës në kohën sa këtë ndërmarrje publike e menaxhon Burbuqe Hana.
Më 23 gusht të vitit të kaluar, Insajderi pati raportuar se si Telekomi ia pa sherrin Burbuqe Hanës, duke u dënuar me gjoba dhjetëra mijëra euroshe nga Inspektoriati i Punës.
E ky raportim u konfirmua edhe në raportin e Auditorit për vitin 2023.
Aty përmenden gjoba të majme që kapin shifrën deri në 46 mijë euro ndaj Telekomit.
19 gjoba u shqiptuan gjithsej ndaj kësaj ndërmarrje.
Saktësisht siç pati raportuar Insajderi, edhe në raport të Auditorit përmendet se Telekomi kishte amandamentuar rregulloren e brendshme për marrëdhënien e punës duke paraparë edhe mundësinë e eliminimit me shkrim. Kjo dhe disa raste të tilla të ndërmarra nga Telekomi i kanë kushtuar gjobë afër 50 mijë euro. /Insajderi.org/