Çka thuhet në dosjen për Venhar Hanën dhe Dritmir Islamin – afera milionëshe që raportoi Insajderi - Insajderi
×
  • Hulumtime/Analiza
  • Analiza

    Çka thuhet në dosjen për Venhar Hanën dhe Dritmir Islamin – afera milionëshe që raportoi Insajderi

    Insajderi
    13 June 2025 - 10:08
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Policia e Kosovës ka arrestuar të mërkurën dy persona: avokatin Venhar Hana dhe inspektorin Dritmir Islami. Ndaj të njëjtëve, prokuroria ka paraqitur sot kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit.

    Seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj Hanës dhe Islamit pritet të mbahet sot.

    Gazeta Insajderi ka siguruar dosjen hetimore që hedh dritë mbi dyshimet serioze për përfshirjen e tyre në një aferë milionëshe, e cila ka të bëjë me manipulime të mundshme rreth pronës së ish-Radio Televizionit të Prishtinës – një rast për të cilin Insajderi raportoi ekskluzivisht.

    Dokumentet që kanë çuar në arrestimin e avokatit Venhar Hana dhe inspektorit Dritmir Islami zbulojnë një skemë të përpunuar mashtrimi dhe falsifikimi, që synonte përvetësimin e një prone me vlerë mbi 12 milionë euro në lagjen Veternik të Prishtinës.

    Hetimet zbulojnë se prona i takonte më parë ish-Radio Televizionit të Prishtinës dhe ishte nën administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

    Sipas dosjes hetimore të siguruar nga Insajderi, dyshimet e Prokurorisë lidhen me falsifikimin e një aktgjykimi të Gjykatës së Prizrenit të datës 28 prill 1976, që më pas ishte përdorur për të pretenduar se Slavica Mikiq kishte të drejtë mbi një sipërfaqe prej 3.92 hektarësh në Veternik.

    Fillimisht, në fillim të vitit 2021, një person tashmë i ndjerë me inicialet F.K. kishte kontaktuar Slavica Mikiqin duke i premtuar ndihmë për rregullimin e dokumentacionit të një prone në rrugën “Sylejman Vokshi”.

    Ai kishte aplikuar në emër të saj në Arkivin e Kosovës për tërheqjen e një dokumenti – një aktgjykim që rezultoi i falsifikuar dhe u fut në mënyrë të kundërligjshme në arkiv.

    Pas vdekjes së F.K., Venhar Hana dhe Dritmir Islami vazhduan procesin, duke qenë plotësisht në dijeni për falsifikimin.

    Sipas dosjes, Hana i komunikon Mikiqit se prona ishte regjistruar në emrin e saj dhe se ajo do të përfitonte një banesë dhe para në dorë. Më pas, Islami dhe Hana e takojnë atë në një lokal në lagjen Ulpiana, ku pas konsultimeve ajo i jep një autorizim të përgjithshëm avokatit Hana për të vepruar në emrin e saj.

    Pavarësisht dy refuzimeve nga Drejtoria për Gjeodezi dhe Kadastër në Prishtinë për shkak të mungesës së vlefshmërisë së aktgjykimit, Hana i drejtohet Agjencisë Kadastrale të Kosovës. Më 16 maj 2022, kjo e fundit aprovon ankesën dhe urdhëron regjistrimin e pronës në emër të Mikiqit, bazuar në dokumentin e falsifikuar.

    Kështu, ajo regjistrohet si pronare e një parcele të madhe toke në Veternik – një prej zonave më të shtrenjta në kryeqytet – e cila më parë kishte qenë pronë shoqërore. Veprimet e ndërmarra janë cilësuar nga Prokuroria si mashtrim i qëllimshëm për përfitim pasuror të kundërligjshëm.

    Dosja e Prokurorisë përmban edhe detaje shtesë: pas legalizimit të pronës, Venhar Hana e paraqet atë për regjistrim dhe shitje pranë noterit Sefedin Blakaj më 21 qershor 2022. Më pas, prona parcializohet dhe pjesë të saj u shiten disa kompanive ndërtimore si “Wisdon Shpk”, “Korabi Shpk”, “Lirimi Group” dhe individit Bensnik Dushku.

    Pronat më vonë janë shitur te persona të tretë, duke i shkaktuar dëm pronës publike dhe duke sjellë përfitime të jashtëligjshme për të dyshuarit – që arrijnë vlerën e rreth 2 milionë eurove.

    Ndërkohë, Dritmir Islami, përmes një autorizimi për llogarinë bankare të Slavica Mikiq, ka përvetësuar dhe tërhequr mbi 189 mijë euro në mënyrë të paligjshme.

    “Po ashtu, i pandehuri Dritmir Islami, duke përdorur autorizimin e të bashkëpandehurës Slavica Mikiq për qasje në llogarinë e saj bankare, ka pranuar dhe tërhequr shumën prej 189,300 euro, duke përfituar në mënyrë të paligjshme”.

    Bazuar në të gjitha këto veprime, Prokuroria dyshon se Venhar Hana, Dritmir Islami dhe Slavica Mikiq, së bashku me persona të tjerë ende të paidentifikuar, kanë kryer disa vepra penale, përfshirë: Falsifikimi i dokumentit, legalizimi i përmbajtjes së rreme dhe mashtrimi.


    Lexo edhe:


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark