Kosova ka marrë indikacione se nuk do t’i largohen masat për shkak të “veprimeve të njëanshme” të Qeverisë. Shqetësim tjetër nga diplomacia ndërkombëtare është përmendur edhe ngritja e çështjes së hapjes së Urës së Ibrit.
Një burim diplomatik ka bërë të ditur ekskluzivisht për Gazetën Insajderi se kanë marrë indicie që nuk do t’i largohen masat e caktuara për shkak të “veprimeve të një-anshme”.
Siç e ka shpjeguar ky burim, çështja e largimit të masave është diskutuar në tri niveli: heqja e plotë, heqja graduale dhe mbajtja e tyre si të tilla.
“Një diplomat ka bërë një rezyme nga vendosja e masave deri tek disponimi i shteteve të BE-së tani, duke theksuar se janë tre grupe me qëndrime të ndryshme në BE: 1. Heqja e plotë e masave, 2. Heqja graduale e masave ku akoma nuk ka pajtim se çfarë nënkupton termi “gradual” por Franca bën pjesë në këtë grup, dhe 3. Mbajtja e masave si të tilla. Ka vetëm 2 shtete që rregullisht kanë kërkuar heqjen e masave, ndërkaq shumë shtete tjera iu kanë bashkuar këtij grupi sidomos pas Banjskës. Tani, për shkak të veprimeve të njëanshme të Kosovës në veri sidomos pas veprimeve të 12 majit, ky numër po zvogëlohet”, ka sqaruar ky burim për Insajderin.
Ky burim diplomatik ka bërë të ditur se Franca, Italia dhe Gjermania kanë filluar angazhimin për heqjen e masave që nga janari i këtij viti, por që “situata është me të vërtetë e komplikuar”.
I njëjti ka bërë të ditur për Insajderin se aktualisht është vetëm një shtet që kërkon heqjen e plotë të masave ndaj Kosovës.
Ai citon një raport ndërkombëtar ku ngre shqetësimet e aleatëve ndërkombëtarë për një deklaratë të Bislimit për hapjen e urës së Ibrit.
“Është shqetësuese që zëvendëskryeministri Besnik Bislimi gjatë demarshit të së mërkurës thotë se “masat janë vonuar shumë” ku ndër të tjera ka thënë se do ta hapin urën mbi lumin Ibër, në vend se të tregonte se si Kosova do të deeskalojë situatën”, citon ky burim diplomatik një raport ndërkombëtar për Insajderin.
Ky burim diplomatik për Insajderin citon akterët ndërkombëtarë të kenë thënë se Kosova “nuk duhet të dërgojë më “sinjale me ethe” tek aleatët e vetë”, duke iu referuar veprimeve të njëanshme për aksionet në veri të vendit.
Çdoherë duke iu referuar burimit diplomatik, kori diplomatik ndërkombëtar nënvijëzon se “për largimin e masave nevojitet: deeskalimi, mbajtja e zgjedhjeve në komunat veriore (dorëheqja e kryetarëve të komunave veriore ngelet opsioni më i mirë) dhe largimi i njësisë speciale nga veriu, duke shtuar se “serbët po ankohen për militarizimin e zonës nga Kosova me hapjen e shumë qendrave policore””.
Borrell ka dorëzuar tek shtetet anëtare të BE-së raportin e tij për mundësinë e heqjes se masave Kosovës. Zëdhënësi i BE’së, Peter Stano, refuzoi dje që të spekulojë lidhur me përmbajtjen e raportit, për të cilin disa zyrtarë të Prishtinës kanë paralajmëruar se do jetë pozitiv.
“Pra, natyrisht, nuk kemi nevojë që dikush nga jashtë të përpiqet të spekulojë për përmbajtjen dhe afatet kohore. Do të bëhet në atë kohë që është e përshtatshme për Përfaqësuesin e Lartë dhe shtetet anëtare. Ndërsa përmbajtja e raportit do zbardhet fillimisht për shtetet anëtare fillimisht të cilët do e shohin dhe do diskutojnë mbi raportin, dhe më pas marrin vendimet e nevojshme”, ka deklaruar Stano. /Insajderi.org/