
Inxhinieri i elektronikës, Gjergji Shaskaj, ditë më parë bashkë me një ekip inxhinierësh përfunduan makinën e parë elektronike të tipit Hummer EV, të cilin e promovoi vetë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, shkruan Gazeta Insajderi.
Gjergj Shaskaj, inxhinieri që së bashku me një ekip krijoi makinën e parë elektronike të tipit Hummer EV, në një intervistë ekskluzive për Gazetën Insajderi ka rrëfyer detaje interesante nga jeta e tij personale, përshtypja e presidentit Biden për makinën Hummer EV, si dhe ka treguar në detaje për shpejtësinë e makinës e cila sipas tij është më e shpejtë sesa një Ferrari.
“Me qindra inxhinierë punuan për ta bërë këtë makinë në prodhim për shumë vite më radhë. Është një statisfaksion pasi performanca e kësaj makine krahasohet me një Ferrari. Nga 0 deri në 100 kilometra shkon për 3 sekonda, ndërkohë Ferrari që mbahet si makinë sportive merr më shumë kohë” – deklaroi ai për Gazetën Insajderi.
“Pjesa e makinës që unë jam përgjegjës është Electrical Power Train, që do të thotë bateria që është pjesa më e rëndësishme e makinës” – vijoi ai.
Shaskaj, tregoi se çmimi i makinës nis nga 80 mijë dollarë, teksa zbuloi edhe përshtypjet e presidentit Biden pasi provoi një xhiro me këtë makinë.