Granit Paqarizi, biznesmeni nga Prizreni, që është i afërt me zyrtarët e lartë të Partisë Demokratike të Kosovës, ka kërcënuar drejtorin e Shërbimeve Publike, Çelë Lamaj dhe stafin e tij.
Kërcënimi ka ndodh të hënën, në zyret e kësaj drejtorie në komunën e Prizrenit.
Paqarizi i ka thënë Lamajt dhe stafit të tij, se “nuk guxojnë ta ndërpresin kontratën e projektit: Instalimi i ndriçimit publik dhe riparimi i ndriçimit publik ekzistues në Komunën e Prizrenit”, kontratë kjo që ishte fituar nga miqtë e biznesmenit prizrenas, shkruan Gazeta Insajderi.
Megjithatë, duket se ky kërcënim i bërë midis ambienteve të komunës së udhëhequr nga Shaqir Totaj i Partisë Demokratike të Kosovës, është tentuar të kalohet në heshtje.
Kjo pasi, Paqarizi është një nga njerëzit më të afërt të Totajt, i cili e ka mbështetur fuqimisht atë gjatë zgjedhjeve të fundit lokale.
Pavarësisht kësaj, Totaj e ka konfirmuar se kërcënimi ka ndodhur, dhe se rasti është lajmëruar në Polici.
Kështu së paku tregon një komunikimi të cilin e ka siguruar Gazeta Insajderi.
“Drejtori dhe unë tashmë jemi konsultuar lidhur me këtë rast, pastaj drejtori Lamaj ka kontaktuar me shefin e Policisë, dhe po mirremi me rastin”, ka thënë Totaj në komunikimin e siguruar nga Gazeta Insajderi.
Megjithatë, jo si kërcënim, por si keqkuptim, e ka konsideruar rastin në fjalë, drejtori i Shërbimeve Publike, Çelë Lamaj.
“Me atë çështje është e njoftuar Policia, kështu që unë nuk kam çka të them më tepër. Më shumë ka qenë keqkuptim ma merr mendja mu – diçka më tepër nuk ka. Personi në fjalë ka qenë në zyrë, dhe është një njeri që ne e njohim, ka qenë pak i tensionuar dhe i keqinformuar”, ka thënë Lamaj për Gazetën Insajderi.
“Kryetari e ka njoftu Policinë, kemi qenë në polici, kemi biseduar me ata kurgja diçka më shumë nuk ka”.
Kur Gazeta Insajderi e ka pyetur Lamajn përse e ka lajmëruar Policinë, pasi sipas tij “gjithçka ka qenë një keqkuptim”, i njëjti ka thënë se nuk mund të flas sepse është duke vozitur.
Për rastin në fjalë, për Gazetën Insajderi ka folur edhe vetë i involvuari në rast, Paqarizi. Ai e ka mohuar kërcënimin, duke thënë se ka qenë në komunë për tu interesuar për mungesën e ndriçimit publik në lagjen e tij.
“Sa i përket stafit ne një ditë që isha për tu interesuar jo për projektin në fjalë, por për ndriçimin e lagjeve tona që na kanë ngel në terr nga mospuna në terren aty kishte dhe 1-2 zyrtarë të tjerë kur mes bisedës diskutuam që për ne është turp që Prizrenit të qëndrojë në terr, përderisa keni kompani të kontraktuar me tender. Dhe nëse ky është kërcënim atëherë vaj halli për ne ku na paska shkuar liria e fjalës”, ka thënë Paqarizi për Gazetën Insajderi.
Paqarizi më tej ka thënë se ai nuk është ftuar nga Policia, për tu pyetur rreth çështjes në fjalë.
Kush është Granit Paqarizi, dhe cilat janë lidhjet e tij me Partinë Demokratike të Kosovës
Lidhjet e Granit Paqarizit, ndërmarrësit që ka në pronësi disa biznese, me zyrtarët e lartë të Partisë Demokratike të Kosovës, nuk janë të vonshme.
Zanafilla e tyre ka nisur nga momenti kur ish-Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i cili për shumë vjet e ka drejtuar PDK-në, ia kishte falur Paqarizit një vit nga dënimi me burgim.
I njëjti ishte i përfshirë në një në një përleshje masive në vitin 2013, ku kishte edhe persona të plagosur nga arma e zjarrit.
Ai ishte akuzuar për armëmbajtje pa leje për çka edhe ishte shpallur fajtor mirëpo prokurori e kishte rihapur rastin duke e akuzuar për të dytën herë, për veprën penale vrasje e rëndë në tentativë, shkruan Gazeta Insajderi.
Pas lirimit nga burgu, si për ta falënderuar ish-Presidentin për veprimin, Paqarizi pinte birra së bashku me djalin e Thaçit, Endritin, dhe e kujtonin atë, e Kadri Veselin që gjenden në Hagë.
Paqarizi shoqëri kishte dhe me Veselin, kur ku i fundit ishte i lirë – dilnin dhe bënin gëzuar me shampanjë në prag të zgjedhjeve lokale të viti 2017, në Prizren.
Aty nuk mungonte as Totaj, kryetari i tanishëm i komunës së Prizrenit. Miqësia e tyre kishte vazhduar edhe më tej.
Paqarizi ishte një nga njerëzit që e kishte mbështetur fuqishëm Totajn në zgjedhjet e fundit lokale, duke treguar publikisht se votën ia ka dhënë Partisë Demokratike të Kosovës.
“Unë afërsi kam me gjithë anëtarët e PDK-së në Prizren, pasi që jam votues i kësaj partie, por që në asnjë mënyrë nuk qëndron ndonjë kërcënim për z. Lamaj ku afërsia është e njëjtë sikur me z. Totaj”, ka thënë Paqarizi për Gazetën Insajderi.
Gazeta Insajderi i ka shkruar Totaj mbi kërcënimin që miku i tij ua ka bërë vartësve të tij, por i njëjti nuk ka kthyer përgjigje deri tash.
Kush janë miqtë e Paqarizit për të cilët ai i kërcënoi zyrtarët e komunës së Prizrenit
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, në janar të vitit 2022, kishte ngritur aktakuzë ndaj tre miqve të Granit Paqarizit, për të cilët ai i kishte kërcënuar të hënën zyrtarët e komunës së Prizrenit duke iu thënë se “nuk guxojnë ta ndërpresin kontratën e projektit: Instalimi i ndriçimit publik dhe riparimi i ndriçimit publik ekzistues në Komunën e Prizrenit”.
Aktakuzë kundër të tre personave ishte ngritur për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik dhe falsifikim të dokumenteve.
G.P., S.S., B.S., si persona përgjegjës në kuadër të personave juridik akuzohen për veprat penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” në tenderin “Instalimi i ndriçimit publik dhe riparimi i ndriçimit publik ekzistues në Komunën e Prizrenit”.
Gazeta Insajderi pati mësuar se tre biznesmenët e arrestuar janë Gent Pupa, Sahin Skeya dhe Bekim Syla, persona me të cilët Paqarizi ka lidhje miqësie, fakt ky që tregohet edhe në postimet e tij në Facebook.
Gent Pupa dhe Sahin Skeya, nga Prizreni janë pronarë të kompanisë private “NABS” Sh.P.K. kurse Bekim Syla nga Prishtina është pronar i kompanisë “Cons ENG”, shkruan Insajderi.
Që të tre këta biznesmen dyshohet se përfituan jashtëligjshëm kontratën që peshonte 1.3 milionë euro.
Sipas aktakuzës, Gent Pupa dhe Sahin Skeya, afaristë nga Prizreni, kanë shkelur rregullat e prokurimit publik gjatë ofertimit për tenderin e vlefshëm 1.3 milion euro. Që të dy këta biznesmen akuzohen se kanë paraqitur dokumente të rreme me qëllim të mashtrimit në këtë tender.
“Me qëllim të plotësimit të kushteve për pjesëmarrje në tender, për ta dëshmuar kapacitetin teknik dhe profesionale të biznesit, prezantojnë faturën fiktive të datës 01.05.2020, kinse kanë në pronësi semafor mobil për menaxhimin e trafikut në rrugë, si dhe prezantojnë listën fiktive të punëtorëve kinse i kanë 10 (dhjetë) punëtorë të punësuar, me të cilin veprim arrijnë të bindin autoritetin kontraktues dhe përfitojnë lidhjen e kontratës të datës 22.02.2021, me ç’rast përfitojnë në vlerë të kontratës në shumën prej 1,394,853.90 €uro”, thuhet në aktakuzë, transmeton Gazeta Insajderi.
Ndërkaq, më 26 qershor 2020 Bekim Syla dyshohet se si drejtor i kompanisë “CONS ENG”, i ka lëshuar një faturë fiktive firmës private që përfitoi tenderin milionësh të Komunës së Prizrenit.
“Po ashtu, të pandehurit G.P., dhe S.S., si pronarë dhe persona përgjegjës të personit juridik në kuadër të veprimtarisë së tyre afariste, me dije përdorin dokumentin e falsifikuar si origjinal, ashtu që paraprakisht merren vesh me të pandehurin B.S., si pronar i personin juridik, ku ky i pandehur iu lëshon faturën e datës 01.05.2020 me përmbajtje të rreme”, thuhet në aktakuzë, transmeton Gazeta Insajderi.
Me këto veprime, Pupa, Skeya dhe Syla ngarkohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” sipas Kodit Penal.
Se “keqkuptimi” ka ndodhur për këtë kontratë e ka konfirmuar për Gazetën Insajderi, drejtori i Shërbimeve Publike, Çelë Lamaj.
“Kjo kontrata është legjitime, sepse një pjesë e kontratës është në procedurë gjyqësore, kështu që derisa drejtësia nuk merr ndonjë vendim të prerë, dhe edhe me dashtë me ndërpre nuk mund ta ndërpremë kontratën”, ka thënë Lamaj.
Keqpërdorimet e dyshuara në këtë aktivitet të prokurimit publik ishin raportuar nga Organizata jo-qeveritare, AVONET, vitin e kaluar.
Siç raportoi AVONET-i, Komuna e Prizrenit, i dha operatorit ekonomik “NABS” Sh.P.K. kontratën me vlerë mbi 1 milion euro, me dokumente fiktive në procesin e instalimit të ndriçimit publik në këtë komunë.
Kjo organizatë e ka ngritur zërin edhe ndaj çështjes së kërcënimit, duke i bërë thirrje Prokurorisë së Prizrenit që ta hetojë rastin në fjalë./Gazeta Insajderi/