Gazeta Insajderi ka siguruar videon që dëshmon se si nisi operacioni dy-mujor drejt zbulimit të plantacionit të substancës narkotike të lojit marihuanë në Pejë.
Në këtë video, shihen shtetas të Shqipërisë të dyshuar për kultivimin e marihuanës në plantacion.
Në videon që sjell Insajderi, janë tre persona e që të tre janë në kërkim për këtë rast.
SHIH VIDEON:
Kjo ka qenë videoja që ka kapur muaj më parë Prokuroria Themelore në Pejë dhe ka qenë si indicie për të filluar hetimin. Nga burime të tjera kanë siguruar informacione të mjaftueshme për ta lokalizuar plantacionin në fjalë.
Policia e Kosovës për këtë rast ka kapur Aleks Gerbin nga Shqipëria. Në dosjen e Prokurorisë thuhet se janë në kërkim edhe nëntë persona për veprën penale “kultivimi i bimëve narkotike dhe përpunimi i tyre”.
Prokuroria në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit bën të ditur se 2850 është numri i bimëve të mbjella narkotike.
Prokuroria dyshon që të njëjtit janë pjesë e grupit që po dyshohen për kultivim të marihuanës në Klinë, e të cilët janë ende në kërkim nga Policia e Kosovës.
Këtë operacion e ka udhëhequr zëvendëskryeprokurori i Pejës, Ersan Qavolli.
Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë e Pejës në gusht të këtij viti në fshatin Perqevë të Klinës kanë zbuluar 965 bimë kanabisi.
Për këtë rast u arrestua Silver Qebini nga Tepelena. Policia e Kosovës që nga atëherë për kultivimin e kanabisit shpalli në kërkim pesë persona: Gzim Gashin, Faik Gashin, Selim Gashin, Marglen Çomanin dhe Albion Kalemin.
Gzim Gashi, sipas burimeve Brenda prokurorisë, është recidivist dhe ka dosje të trashë kriminale. Atij iu janë regjistruar 61 incidente, ku në shumicën e tyre ka qenë i përfshirë si i dyshuar.
Ai ka shënuar incidentet e para penale që nga 2004-a e deri në fund të 2023-ës. Gashi dyshohet për posedim ilegal të armëve, ngacmim, sulm, prerje ilegale e drunjve, lëndim trupor, falsifikim dokumentesh, prishje e rendit dhe qetësisë, vjedhje, mashtrim, kanosje, sulm ndaj personit zyrtar, grabitje, e shumë e shumë vepra penale.
Ndaj tij janë realizuar 12 urdhër-arreste, ku ndër të tjera është arrestuar edhe për furnizim, transportim dhe prodhim ilegal të armëve.
Në anën tjetër, i dyshuari tjetër Faik Gashi ka regjistruar gjithsej dy incidente: Njërën për falsifikim të dokumentit zyrtar dhe tjetër për falsifikim dokumentesh.
Ndërkaq, Selim Gashi është hetuar si i dyshuar për nëntë vepra penale në pesë vitet e fundit: shmangie nga tatimi, kanosje, vjedhje, lëndim i rëndë trupor, lëndim i lehtë trupor, sulmi dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve. Ai është edhe përsëritës i disa veprave penale, sikurse është kanosja dhe lëndimi trupor.
Atij iu kishte sekuestruar këtë vit një pistoletë. /Insajderi.org/