‘Po’ të drejtave dhe lirive të serbëve, ‘Po’ një autonomie lokale, ‘Po’ pjesëmarrjes në nivel shtetëror. Por, ama ‘Jo’ një modeli që mund të krijojë ‘shtet brenda shtetit’. Kështu thotë ish-Presidenti i Kroacisë, Ivo Josipoviq, në një intervistë me Insajderin pyetur rreth Marrëveshjes Bazë për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e cila u pajtua fillimisht në Bruksel e më pastaj edhe në Ohër për pjesën e Zbatimit, ku Kosova u zotua “të nis menjëherë” zbatimin e Nenit 7 për “dhënien e një niveli të duhur vetëmenaxhimi për komunitetin serb të Kosovës”. Josipoviq është krejt në favor një aranzhimi për minoritetin serb që Kosovës nuk ia cenon funksionalitetit e saj të shtetit.
Josipoviq ka edhe një ide se si mund të bëhet një aranzhim i tillë që u garanton të drejtat dhe liritë serbëve të Kosovës, por ama pa defunksionalizuar shteti. Si shembull që liderët në Kosovë mund ta marrin, ai thotë se është modeli kroat. “Mendoj se modeli kroat i vendosur me Ligj Kushtetues për të drejtat e pakicave kombëtare është model i mirë që mund të frymëzojë liderët në Kosovë. Definitivisht, modeli duhet të sigurojë të drejtat e serbëve, e jo të krijojë ‘shtet-brenda-shtetit’”, thotë ish-presidenti kroat.
Megjithatë, Josipoviq është krejtësisht i qartë në atë se “çfarëdo plani që garanton paqe dhe njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë ia vlen ta ketë mbështetjen tonë”. Por, shprehet ai, gjatë tërë këtyre viteve është ndërtuar atmosferë që e ka penguar dhe vazhdon ta pengojë këtë. “Pengesa më e madhe në pranimin e cilitdo plan është klima politike që është ndërtuar për shumë, shumë vite, që realitetin e ri e ka bërë të papranueshëm për Serbinë”, na thotë Ivo Josipoviq.
Sa i përket palës së Kosovës dhe shqiptarëve, Josipoviq bën thirrje edhe për mirëkuptimin e tyre. “Shqiptarët duhet të kuptojnë ndjenjat dhe frikat e serbëve dhe të pranojnë zgjidhje që garanton siguri dhe barazi për serbët si qytetarë të Kosovës, të mbrojnë nevojat dhe traditat e tyre kulturore dhe fetare, dhe një autonomi të përshtatshme në pjesët e vendit ku numri i banorëve i etnisë serbe është i lartë”, thotë ai.
Të njëjtën gjë e thotë edhe për palën serbe. “E sot, pas luftës krejtësisht të panevojshme dhe të dëmshme të nisur nga Sllobodan Millosheviqi, është e qartë se realiteti i Kosovës dhe e ardhmja e saj është e pavarur. Dhe, Serbia këtë nuk mund ta ndryshojë. Liderët serbë që do ta kuptojnë këtë dhe që do të jenë të gatshëm të gjejnë paterna për bashkëjetesë miqësore mes dy shteteve dhe dy kombeve duhet të trajtohen si heronj, e jo si tradhtarë. Por, atyre u duhet të kenë partnerë edhe në Kosovë”, shprehet ish-Presidenti i Kroacisë.
Intervista e plotë me Ivo Josipoviq:
Insajderi: Do të doja të nisja me marrëdhëniet mes Kroacisë dhe Kosovës të cilat kanë gëzuar nivel të lartë mbështetje dypalëshe përgjatë viteve. Sidoqoftë, ndonëse Presidenti Milanoviq njihet për mbështetës të madh të Kosovës, dha një deklaratë kontraverze kur tha se “Kosova u vodh/ekstraktua” nga Serbia dhe se Kroacia morri pjesë në këtë “vjedhje”. Kjo u brohorit fort nga mediat serbe si konfirmim i narrativës së tyre. Më vonë Presidenti e korrigjoi deklaratën. Si e lexuat ju këtë dhe a besoni se mund të dëmtojë marrëdhëniet Kosovë-Kroaci?
Ivo Josipoviq: Definitivisht që Presidenti Zoran Milanoviq është mbështetës i Kosovës. I tillë ka qenë që nga fillimi i pjesëmarrjes së tij në politika të larta. Por, na ndodh të gjithëve të bëjmë formulime të paqarta, e madje edhe të gabuara. Shumë shpejt Presidenti shpjegoi se nënkuptoi krejt tjetër gjë, që pavarësia e Kosovës erdhi si zhvillim i situatës në ish-Jugosllavi. Milanoviq u deklarua vetiu si mbështetës i njohjes së menjëhershme të pavarësisë së Kosovës.
Insajderi: Kroacia në një numër rastesh ka konfirmuar mbështetjen ndaj anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe aspiratat për integrime euro-atlantike të Kosovës. Sa të gjallë dhe të rëndësishme e shihni ju rolin e Kroacisë në ndihmën e saj ndaj Kosovës për të arritur shtetësinë e plotë dhe vendin e saj në komunitetin ndërkombëtar?
Ivo Josipoviq: Po, Kroacia mun të ndihmojë dhe tashmë po ndihmon. Por, disa krahasime të rreme të Kosovës me disa prej situatave në vende evropiane, si Spanja, parandalojnë njohjen ndërkombëtare të Kosovës. Gjithashtu, disa vende, siç është Azerbaixhani, gjithashtu nuk janë të gatshme ta njohin Kosovën për shkak të situatës në Karabak. Mund t’i kuptojmë frikërat e tyre që Kosova mund të jetë njëfarë precedani në miratimin e separatizmave në vendet respektive. Sipas mendimit tim, avokimi i njohjes së Kosovës dhe pranimin e saj në organizata të ndryshme ndërkombëtare, përfshirë NATO-n dhe BE-në, duhet të përfshijë edhe shpjegime se pse frikërat e tyre janë të pabaza dhe se rasti i Kosovës është ndryshe nga situatat në vende tjera ku tendenca për shkëputje të pjesëve të vendit ekzistojnë edhe sot.
Insajderi: Ju jeni në dijeni për Plan-Propozimin evropiano-amerikan në dialogun Kosovë-Serbi. Kosova duhet të merr njohje “de facto” ndërsa serbëve të Kosovës duhet t’u jepet njëfarë platforme vetëqeverisje (d.m.th, Asociacionin e Komunave të populluara me shumicë serbe). Çfarë është vlerësimi juaj për të?
Ivo Josipoviq: Çfarëdo plani që garanton paqe dhe njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë ia vlen ta ketë mbështetjen tonë. Por, përfundimisht, janë vetëm Kosova dhe Serbia ata që mund të marrin vendimet e duhura dhe të pajtohen për një të ardhme të përbashkët miqësore. Pengesa më e madhe në pranimin e cilitdo plan është klima politike që është ndërtuar për shumë, shumë vite, që realitetin e ri e ka bërë të papranueshëm për Serbinë. Ne duhet të kuptojmë ndjenjat dhe frikat e serbëve duke e pasur ndërmend që për ta Kosova në njëfarë mënyre ka qenë njëfarë lloj djepi i Serbisë. Por, e rëndësishme ka qenë edhe për shqiptarët e Kosovës! E sot, pas luftës krejtësisht të panevojshme dhe të dëmshme të nisur nga Sllobodan Millosheviqi, është e qartë se realiteti i Kosovës dhe e ardhmja e saj është e pavarur. Dhe, Serbia këtë nuk mund ta ndryshojë. Liderët serbë që do ta kuptojnë këtë dhe që do të jenë të gatshëm të gjejnë paterna për bashkëjetesë miqësore mes dy shteteve dhe dy kombeve duhet të trajtohen si heronj, e jo si tradhtarë. Por, atyre u duhet të kenë partnerë edhe në Kosovë. Shqiptarët duhet të kuptojnë ndjenjat dhe frikat e serbëve dhe të pranojnë zgjidhje që garanton siguri dhe barazi për serbët si qytetarë të Kosovës, të mbrojnë nevojat dhe traditat e tyre kulturore dhe fetare, dhe një autonomi të përshtatshme në pjesët e vendit ku numri i banorëve i etnisë serbe është i lartë. Gjithashtu, pjesëmarrja e serbëve në institucionet qendrore të shtetit duhet të aranzhohet. Mendoj se modeli kroat i vendosur me Ligj Kushtetues për të drejtat e pakicave kombëtare është model i mirë që mund të frymëzojë liderët në Kosovë. Definitivisht, modeli duhet të sigurojë të drejtat e serbëve, e jo të krijojë “shtet-brenda-shtetit”.
Insajderi: Në një intervistë të mëparme që kemi bërë ju jeni thënmë se të drejtat e pakicës serbe në Kosovës do të jenë “matëse të evropianizimit të Kosovës” derisa Kosova frikësohet se dhënia e një autonomie të tillë për rajonet e udhëhequra nga serbët do të shërbejë si një platformë për Serbinë që ta defunksionalizojë Kosovës. A besoni që frikat e tilla të Kosovës janë tamam të bazuara?
Ivo Josipoviq: Të dy palët, shqiptarët dhe serbët, Kosova dhe Serbia kanë pritshmëri dhe frika legjitime që duhet të kuptohen. Por, siç e kam përmendur, zgjidhje fer dhe funksionale mund të gjenden. Po, për të drejtat dhe liritë e serbëve, po një autonomie lokale, po pjesëmarrjes në nivel shtetëror, por ‘Jo’ ndaj një modeli që mund të krijojë “shtet-brenda-shtetit”. Kosova duhet të jetë shtet funksional, e në të njëjtën kohë të ruajë interesat legjitime të serbëve të saj lokalë.
Insajderi: Kjo Marrëveshje Bazë e mbështetur nga BE dhe ShBA është e ndërmjetme. Supozohet të shtrojë rrugën për të ashtuquajturën “marrëveshje ligjërisht të detyrueshme dhe gjithëpërfshirëse” e cila duhet të përfundojë me njohje “de jure” të ndërsjellë, së paku kështu deri kur Kosova, veçanërisht Serbia si shtete kandidat, do të afrohen në fazat e fundit të anëtarësimit në BE. A e shihni Serbinë, kur (dhe nëse) të anëtarësohet në BE, duke bërë hapin e njohjes së Kosovës?
Ivo Josipoviq: Zgjidhja më e mirë dhe më e sigurta është që Serbia dhe Kosova të hynë në BE dhe atë sa më parë të jetë e mundur. Evropa nuk është e kompletuar pa shtetet e Evropës Juglindore, përkatësisht Serbinë, Kosovën, Bosnje-Hercegovinën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. Pranimi i këtyre vendeve në BE është i rëndësishëm dhe jo vetëm për këto vende, por edhe vetë BE-në. Por, shumë nga këto vende kanë probleme të brendshme të mëdha, janë të nivel nënzhvillimi, korrupsion, si dhe progres të vogël në reforma, probleme politike përfshirë ndikime nga shtete të huaja që synojnë destabilizim….Nëse tempoja e reformave nuk përfshpejtohet si dhe negociatat me shtetet fqinje rreth çështjeve të hapura, nuk mund të presim anëtarësimin e tyre në BE së shpejti. BE-ja mund të ndihmojë, por s’mund ta kryejë atyre reformat. Këtë ata duhet ta bëjnë vet./Insajderi/