Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe dy vartës të tij kanë harxhuar 12 mijë e 663 euro në vizitën e fundit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gazeta Insajderi sjell ekskluzivisht detajet e këtyre shpenzimeve.
I pari i ekzekutivit të vendit, as këtë herë s’i ka marrë mëditjet për vizitën zyrtare që e ka realizuar në fund të korrikut në tokën përtej Atlantikut.
Kurti edhe kësaj radhe i ka shpenzuar paratë e buxhetit vetëm për biletën e udhëtimit, dhe akomodimin në Amerikë.
Për rrugën nga Kosova në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku u prit nga sekretari i Shtetit, Antony Blinken, kryeministri kosovar ka paguar 2 mijë e 802 euro.
Derisa për akomodimin, nga data 25 kur e ka shkelur Amerikën, dhe deri më 29 korrik kur e ka lënë shtetin e Joe Biden, shefi i qeverisë ka shpenzuar 1 mijë e 300 euro.
Kështu, Kurti nga buxheti i shteti gjithsej ka harxhuar 4.103.07, derisa në kategorinë dreka/darka, apo edhe të tjera, nuk ka shpenzuar asnjë cent.
Të dhënat ekskluzive janë siguruar nga Gazeta Insajderi përmes kërkesës për qasje në Dokumente Publike, në Zyrën e Kryeministrit.
Luan Dalip s’e le mëditjen me i “ik”
Shefi i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, gjatë udhëtimit të tij katër ditor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka shpenzuar pak më shumë se shefi i tij.
Nga arka e shtetit ai ka harxhuar 4 mijë e 590 euro, zbulon Gazeta Insajderi, pas kërkesës për qasje në Dokumente Publike.
Vetëm për mëditje ai ka marrë 577 euro, derisa bileta e udhëtimit i ka kushtuar 2 mijë e 800 euro, ndërsa akomodimi 1 mijë e 210 euro.
Edhe Dalipi sikur Kurti nuk ka shpenzuar për dreka/darka, apo edhe çështje të tjera, shkruan Gazeta Insajderi.
Për çështje të tjera sikur taksi, ka harxhuar Lum Mita, Koordinatori Nacional në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës për Zhvillimin e Programit Kompakt me MCC.
Në këtë kategori sipas të dhënave të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit për Gazetën Insajderi ai ka shpenzuar 76 euro.
Pak më pak sesa Kurti e Dalipi, Mita ka harxhuar për biletën dhe akomodimin. Bileta e tij ka kushtuar 2 mijë e 467 euro, derisa qëndrimi në hotel ka pasur koston e 733 eurove.
Derisa 693 euro të tjera, Kordinatori i MCC për Kosovë, i ka marrë mëditje, duke shpenzuar në total 3 mijë e 969 euro, shkruan Gazeta Insajderi.
Çfarë mesazhe sollën Kryeministri bashkë me Presidenten nga SHBA?
Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, thanë se gjatë vizitës së tyre në Shtetet e Bashkuara është rikonfirmuar mbështetja e Uashingtonit për Kosovën, si në fushën e ekonomisë, por edhe të integrimeve evropiane.
Osmani dhe Kurti qëndruan për katër ditë në SHBA, ku u takuan me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, dhe morën pjesë në nënshkrimin e një marrëveshjeje në vlerë prej mbi 200 milionë dollarësh me Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC).
Pas kthimit në Kosovë, në një konferencë për media në aeroportin “Adem Jashari”, Osmani tha se në takim, Blinken ka konfirmuar qëndrimi që dialogu me Serbinë të përqendrohet në njohje reciproke.
“Në këtë temë është tejet me rëndësi që sërish është rikonfirmuar qëndrimi amerikan që asesi nuk shtyjnë përpara një zgjidhje që do ta prekte integritetin territorial, sovranitetin e Republikës së Kosovës apo edhe rregullimin kushtetues të Kosovës”, tha Osmani, më 30 korrik, shkruan Gazeta Insajderi.
Kryeministri Kurti tha se takimi me sekretarin Blinken ishte i “veçantë” dhe i “dobishëm” për Kosovën. Duke folur për dialogun, ai tha se Prishtina dhe Uashingtoni pajtohen se si duhet të përmbyllet procesi.
“Dhe si duket formula e këtij normalizimi, përsëri ne pajtohemi plotësisht me SHBA-në. E ajo është: marrëveshje ligjërisht e obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve e cila në qendër ka njohjen reciproke”, tha Kurti, më 30 korrik, shkruan Gazeta Insajderi.
Kosova dhe Serbia që nga viti 2011 zhvillojnë bisedime me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, me qëllim të normalizimit të raporteve.
Rundet e reja të bisedimeve ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë zhvilluar dje me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Por, takimet e 18 gushtit në Bruksel, në kuadër të dialogut, nuk prodhuan asnjë marrëveshje.
Megjithatë, nga BE-ja thanë se palët do të vazhdojnë dialogun për çështjen e targave dhe dokumenteve serbe, që rritën tensionet në veri të Kosovës më 31 korrik dhe 1 gusht, shkruan Gazeta Insajderi.
Rundi i ri i dialogut u mbajt tri javë pasi serbët lokalë bllokuan rrugët që çojnë në dy pikëkalimet kufitare – Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë, në shenjë pakënaqësie me dy vendimet e Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe.
Barrikadat u hoqën pasditen e 1 gushtit dhe Kosova shtyu zbatimin e vendimeve deri më 1 shtator.
Vendimi i parë ka të bëjë me lëshimin e një dokumenti për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë, me të hyrë në Kosovë. Serbia e aplikon këtë masë ndaj shtetasve të Kosovës qe 11 vjet.
Ndërkaq, vendimi i dytë ka të bëjë me riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia. Kosova i konsideron joligjore targat me akronime të qyteteve të Kosovës të tilla si UR, PZ, KM e të ngjashme.
Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, tha se takimet e 18 gushtit nuk ishin takime normale të dialogut, por “takime për menaxhimin e krizës”.
Ai tha se BE-ja dhe palët do të vazhdojnë të punojnë për të arritur një zgjidhje për çështjen e targave e dokumenteve, por edhe për përparimin drejt arritjes së një marrëveshjeje gjithpërfshirëse për normalizimin e raporteve.
Por, Kosova dhe Serbia kanë dallim edhe sa i përket epilogut të dialogut. Përderisa, Prishtina insiston që marrëveshja finale të përfshijë edhe njohjen reciproke, Serbia kërkon një zgjidhje kompromisi.
Vizita e kaluar e Kurtit në SHBA i kushtoi Kosovës afro 37 mijë euro
Gati 37 mijë euro kanë qenë shpenzimet që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me kabinetin e tij i ka bërë në vizitën zyrtare prej 16 ditësh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në maj.
Së bashku me pesë vartëstë tij, Kurti ka shpenzuar 36 mijë e 722 euro e 47 cent për vizitën nga 6 deri më 22 maj.
Veç kreu i Qeverisë, gjithsej ka shpenzuar 9 mijë e 304 euro e 80 centë, prej tyre 4 mijë e 853 euro e 68 cent për akomodim, 4 mijë e 279 euro për bileta, dhe 172 euro e 12 cent shpenzime të tjera, detaje për të cilat nuk janë dhënë.
Më shumë se Kurti, shkaku i mëditjes së marrë, janë regjistruar shpenzime në emrin e shefit të stafit, Luan Dalipi. 9 mijë e 480 euro e 94 centë është gjithsej shuma e shpenzuar nga ai. Sipas të dhënave të siguruara përmes qasjes në dokumente zyrtare, Dalipi ka shpenzuar 4 mijë e 770 euro e 97 centë për akomodim, 2 mijë e 984 euro e 75 centë për biletë e 1 mijë e 617 euro për mëditje e 108 euro e 22 centë shpenzime të tjetra.
Por, mëditje me shumë se sa shefi i stafit, ka marrë fotografi Patrik Domi. Totali i shpenzimeve të Domit kalon shumën prej 9 mijë e 413 euro. Prej tyre 4 mijë e 324 euro e 67 cent për akomodim, 3 mijë e 47 euro e 95 cent për biletë, dhe 1 mijë e 963 euro e 50 cent për mëditje.
8 mijë e 523 euro e 34 cent të tjera janë shpenzuar nga tre këshilltarët e tjerë të Kurtit, shkruan Gazeta Insajderi.