Kryediplomatja Donika Gërvalla ka vendosur të shkelen rregullat e ministrisë në favor të ambasadorit Mehdi Halimi. Ka lejuar që të paguhen 2 mijë e 600 euro më shumë se sa që e lejon rregullorja për një banesë me dy sallone për ambasadorin Halimi. Kaq zemërgjerë Gërvalla nuk ishte treguar me të tjerët. Një diplomat e kishte detyruar që të kthehej në Kosovë brenda 24 orëve, meqë nuk gjente banesë në përputhje me çmimet e lejuara me rregulloren e MPJD-së.
Banesat e zakonshme me një sallon nuk janë të preferuarat e ambasadorit të Kosovës në Francë, Mehdi Halimit. Ai ka preferuar që të jetoj në një banesë me hapësirë shumë më të madhe se banesat e zakonshme. Ka përzgjedhur një banesë prej 180 metrash katrorë me dy sallone, në qytetin e shtrenjtë të Parisit.
Qiraja e kësaj banese kushton më shumë se dyfish më shtrenjtë se sa që lejohet me rregullore të MPJD-së. Për të jetuar në këtë banesë ambasadorit Halimi i është dashur aprovimi i kryepdiplomatës Gërvalla. Shefja e MPJD-së ka vendosur pro kërkesës së Halimit, ndonëse ndryshe kishte vepruar me diplomatët tjerë.
Një diplomat e kishte detyruar që të kthehej në Kosovë brenda 24 orëve, meqë nuk kishte gjetur banesë që ka qiranë në përputhje me rregulloren e MPJD-së. Rasti i fatkeqit Viskont Jakupi dhe plotësimi i kërkesave luksoze të ambasadorit fatmirë Mehdi Halimi shpërfaqin standardet e dyfishta që aplikon ministrja Gërvalla.
Insajderi sjell prapaskenën se si u bë aprovimi për banesën e shtrenjtë të ambasadorit Halimi që përben shkelje të rregullores së ministrisë.
Mehdi Halimi në nëntor të 2021-ës pranoi detyrën e ambasadorit. Me të pranuar detyrën, filluan edhe kërkesat e tij për një banesë jo të zakonshme. Një më të madhe e më të shtrenjtë.
Prej kohës që ai ka marrë postin e ambasadorit, shteti i Kosovës ka paguar për të një shumë prej 36 mijë e 568 euro më shumë se sa që e lejojnë rregullat e MPJD-së për pagesa të objekteve të banimit për diplomatët.
Rregullorja përcakton se ambasadorit i lejohet marrja me qira e një banese që nuk ka çmim më të lartë se sa shumë prej 2 mijë e 400 eurosh.
Por, ndryshe është vepruar me ambasadorin Halimi. Shefi i Ambasadës në Francë, qysh në muajin shkurt të 2021-ës i është drejtuar me kërkesë MPJD-së që t’i lejohet tejkalimi i vlerës për qiranë.
Ai i ishte drejtuar me një email ministrisë së Gërvallës, duke kërkuar që t’i lejohet qiraja në vlerë prej 4229 euro. Si arsyetim ka dhënë “tregun e shtrenjtë”, duke cituar se edhe gazeta CNN e ka renditur Parsin të dytin pas TelAviv për kah çmimet e larta.
Pas kërkesës së Halimit, Ministria e Gërvallës në mënyrë të kundërligjshme, i ka lejuar tejkalimi për 1899 euro më shumë. Me aprovimin e kërkesës ambasadorit do t’i lejohej pagesë për qira në vlerën prej 4 mijë e 299 euro. Por, edhe kjo vlerë u tejkalua. Një tjetër shkelje u krye.
Burime të Gazetës Insajderi bëjnë me dije që ambasadori Halimi ka mashtruar mbi çmimin e përgjithshëm të pagesës së qirasë. Ai paguan qira në vlerë prej 5012 euro dhe jo 4299 siç pretendonte. Ambasadori në kërkesën e tij te çmimi total nuk futi edhe pjesën e taksave që duhet ta paguaj shteti për të.
Si ndodhi kjo, Insajderi ju sjell detajet
Gazeta Insajderi, mëson se si qira bazë, ambasadori ka paraqitur vlerën prej 3 mijë e 900 euro, duke mos përmendur edhe pagesat e tjera, si për qira shtesë 545 euro si dhe tarifat/shpenzimet komunale në vlerë prej 567 euro.
Që i bie, në total se nga buxheti i shtetit për qiranë e ambasadorit paguhen, hiç më pak se 5 mijë e 12 euro.
Për një mandat 4 vjeçar, vlera e dëmit veç për pagesën e vendbanimit të ambasadorit shkon në mbi 125 mijë euro. Ose thënë më saktë, 125 mijë e 376 euro dëm buxhetit të Kosovës.
Çka përmban apartamenti luksoz i ambasadorit, Mehdi Hamili, i vendosur në qendër të Parisit?
Shefi i misionit diplomatik, Mehdi Halimi siç mëson Insajderi ka mbi 25 vite që jeton në Francë. Atje jeton vetëm me gruan dhe dy fëmijët. Ndonëse ka një familje të vogël, asgjë se ka ndaluar që të marrë me qira një apartament tejet luksoz.
Ky apartament ndodhet në qendër të Parisit, njihet si ndër lagjet më të shtrenjta, ndodhet në rrugën “AvLissone”. Ka një hapësirë prej 180 metra katror, i pajisur me ashensor, në katin e dytë.
Ka një kuzhinë, dy sallone, 3 dhoma të gjumit si dhe dy banjo (WC dhe dush).
Sa i pasur është Mehdi Halimi?
Në Agjencinë Kundër Korrupsion është bërë e ditur pasuria e ambasadorit. Vetëm pasuri të paluajtshme ka në vlerë prej 120 mijë euro. Ai ka deklaruar se ka një banesë në vlerë prej 75 mijë euro, një tokë, 30 mijë euro dhe një tokë tjetër në vlerë prej 15 mijë euro.
Halimi ka deklaruar se vozitë një veturë të tipit Toyota RAV 4, e cila kap vlerën e 23 mijë eurove.
Afro 200 mijë euro, ka para të gatshme në një bankë në Paris teksa vetëm 80 euro ka deklaruar se i ka në një bankë të Kosovës.
Ai ka deklaruar edhe parat e bashkëshortes. 6 mijë e 700 euro në Prishtinë e 17 mijë 900 euro në Paris.
Si pagë vjetor figuron se ka marrë 4 mijë e 667 euro.
Ambasadori që dikur punonte si përkthyes në Francë, po ashtu ka deklaruar se shteti francez i ka borxh atij 125 mijë euro. Që sipas tij “duhen të derdhen në intervale të ndryshme në llogarinë time bankare, në muajt dhe vitet në vazhdim”.
Deklarimin e pasurisë e gjeni KËTU.
Heshtja e MPJD-së
Gazeta Insajderi ka afro 2 javë që ka kërkuar qasje në dokumente publike në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPDJ), për ambasadorin Halimi, por të njëjtit deri tani nuk kanë kthyer përgjigje.
Kujtojmë që një veprimtari e tillë jo ligjore i është lejuar edhe ambasadorit të Kosovës në Angli, Ilir Kapiti. Qiraja që e banesës së tij është 4 mijë e 175 euro. Për 1 vit MPJD dëmton buxhetin e shtetit në vlerën prej 37 mijë euro për shkak pagesës për qira.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) derisa tani nuk ka dhënë sqarime për këto tejkalime.
Siç mëson Insajderi tejkalime ka edhe në qendra të tjera të misioneve diplomatike, e për të gjitha këto keqpërdorime janë në dijeni si ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz ashtu edhe edhe Presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
/GazetaInsajderi