Për prioritetet e Ministrit të Shëndetësisë Rifat Latifi, në Telemjekësi tani edhe zyrtarisht do të kujdeset miku i tij i afërt. Ismet Lecaj është zgjedhur drejtor i Telemjekësisë, ani pse ai nuk i plotësoi kriteret e kërkuara me konkurs. E ka pranuar edhe vet Lecaj se nuk posedon licencë të mjekut e as specializim. Pavarësisht kësaj ai mori detyrës e drejtuesit të Qendrës Kombëtare të Telemjekësisë
Njeriu i afërt i ministrit të Shëndetësisë Rifat Latifi, Ismet Lecaj, është renditur si i pari me më së shumti pikë në konkursin për drejtor në Shërbimi Klinik Universitar të Kosovës.
Ai sipas dokumentit që e ka siguruar Gazeta Insajderi ka marrë 85.2 pikë në total, 34.2 prej të cilave në intervistë. Kështu, Lecaj zyrtarisht është bërë drejtor në Qendrën Kombëtare të Telemjekësisë.
Vetë ministri Rifat Latifi në vazhdimësi e ka përmendur si top prioritet zhvillimin e Telemjekësisë që nga dita e parë kur edhe e mori zyrtarisht detyrën e ministrit. Ai në po thuajse të gjitha takimet e ka theksuar rolin e zhvillimit të telemjekësisë dhe qasjes së të gjithë pacientëve përmes teknologjisë.
Madej edhe iniciativa për themelimin e Qendrës Kombëtare të Telemjekësisë ishte ndërmarr nga Latifi në vitin 2000 ndërsa projekti kishte përfunduar në vitin 2007 me donacione nga BE dhe SHBA përmes Fondacionit të Latifit i cili quhet ‘International Virtual E-Hospital’ në vlerë rreth 1.5 milionë Euro.
Përmes Telemjekësisë synohet që të ofrohen shërbime mjekësore nga distanca, përmes përdorimit të teknologjisë së informacionit duke shkëmbyer informacione shëndetësore si diagnozën, trajtimin dhe parandalimin e sëmundjeve.
Por në krye të kësaj Qendre nga tash do të jetë personi që është i afërt me ministrin Latifi, por që nuk ka përgatitjen e duhur. Të paktën jo sic ishte kërkuar në konkursin të Shërbimit Spitalor të Kosovës.
Gazeta Insajderi, ka raportuar se më 14 mars të këtij viti, Shërbimi Klinik Universitar i Kosovës ka rishpallur konkurs për drejtor të Qendrës Kombëtare të Telemjekësisë. Dhe se si kësaj pozite Ismet Lecaj ia ka mësyer pa licencë valide të mjekut të lëshuar nga Oda e Mjekëve të Kosovës.
Por pavarësisht kësaj, ai në listën e kandidatëve ishte renditet në listën e persona që plotëson kriteret e këtij konkursi.
Por se nuk ka licencë u konfirmua zyrtarisht nga Gazetën Insajderi, kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu.
“Ju njoftojmë se Dr Ismet Lecaj, nuk është anëtarë i Odës së Mjekëve të Kosovës, andaj nuk kemi informata lidhur me licencën e tij”, tha Sejdiu për Insajderin.
Në këtë konkurs shkollimi i kërkuar që kandidatët duhet të kenë krahas kualifikimit specialistik ishte edhe titulli i doktorit.
Por, edhe përkundër kësaj Lecaj nuk ishte penguar që të marrë pjesë në testin me shkrim të këtij konkursi.
Madje, sipas dokumenteve që posedon Gazeta Insajderi, në rezultata përfundimtare të testit me shkrim Lecaj arriti të mbledh vetëm 42 pikë.
Lidhur me mos plotësimin e kritereve bazike nga Lecaj për të aplikuar për këtë pozitë, nga Zyra e Sektorit të Burimeve Njerëzore në SHSKUK kishin një shpjegim tjetër.
Thoshin se i kanë pranuar dokumentet e Lecajt në mungesë të kandidatëve tjerë që i plotësojnë këto dy kushte.
“Jo të gjitha njësitë kanë karakteristika profesionale dhe menaxheriale të njëjta, prandaj për pozitën Drejtor i Qendrës Kombëtare të Telemjekësisë janë pranuar kandidatet të cilët kanë të kryer vetëm Fakultetin e Mjekësisë. Ndërsa licenca nga Oda e Mjekëve nuk është kërkuar për asnjë kandidat sepse konkursi ka qenë për pozitë të drejtorit të institucionit, drejtori i institucionit nuk ofron shërbime shëndetësore, në këtë rast Qendra Kombëtare e Telemjekësisë nuk ofron shërbime shëndetësore për pacientë”, thuhet në përgjigje e tyre. /Gazeta Insajderi