×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Ekskluzive: Pazari 16 milionësh – Auditori që zbuloi keqpërdorimin shqetëson shefat, rrezikon ndëshkimin

    Insajderi
    05 July 2022 - 13:59
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Hysen Durimishi, zëvendësministri i Liburn Aliut, ka paralajmëruar masa ndaj Begzad Musliut, drejtorit të Njësisë së Auditmit të Brendshëm në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, pasi ky i fundit ka zbardhur keqpërdorimet në tenderin madhor, që peshon mbi 16 milionësh për mirëmbajtjen e autostradave.

    Hysen Durimishi, zëvendësi i Liburn Aliut, ka paralajmëruar se mund të merren masa ndaj Begzad Musliut, drejtorit të Njësisë së Auditmit të Brendshëm në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

    “Na tash i marrim masat që duhet të mirren, faktikisht ministri [Liburn Aliu] – sepse ai i raporton ministrit – masat administrative që janë të parapara me Ligj, kur një zyrtar nuk i respekton ato”, ka thënë Durmishi për Gazetën Insajderi.

    Deklarata e numrit dy të ministrisë së Infrastrukturës ka ardhur pak ditë pasi Auditori i Brendshëm, Musliu, i ka kërkuar ministrit Liburn Aliut, që ta anulojë tenderin që peshon mbi 16 milionë euro për mirëmbajtjen e dy autostradave të Kosovës. 

    Bazuar në të gjeturat e theksuara më lartë, konsolidojmë se ky Aktivitet i Prokurimit është i manipuluar, kurdisur dhe koordinuar me operatoret ekonomik të caktuar. Është një konstruksion korruptiv me pasoja të mëdha të humbjeve financiarë për MMPHI”, thuhet në raportin e Musliut që mban vulën e datës 23 qershor 2022, shkruan Gazeta Insajderi.

    Prandaj, sipas auditorit, për të shpëtuar nga dëmet e më tejme, ai ka rekomanduar që të anulohet menjëherë ky aktivitet i prokurimit dhe të kthehet në fazën e planifikimit të mirëfilltë.

    “Ju duhet të ndërmerrni të gjitha masat ligjore dhe disiplinore për ti rivendosur kontrollet menaxheriale në Departament të Infrastrukturës rrugore dhe në Divizionin e Prokurimit, sepse Ju nuk keni besueshmërinë minimale objektivë dhe ligjore në kontrollet menaxheriale të apostrofuar”, vazhdon raporti, shkruan Gazeta Insajderi.

    Ky dokument, sipas zëvendësministrit Durimishi, nuk i është kërkuar auditorit Musliu, andaj ka paralajmëruar masa ndaj tij.

    “Qysh është e mundur një auditor me bë një raport që nuk ja ka kërku kurrkush, me jua dërgu mediave, e mos me ja dërgu ministrit dhe as zëvendësministrit”.

    “Ai as nuk ka dosje, as nuk ka dokumentacion, as nuk e ka shqyrtuar dokumentacion – duhet me i kërku ato, nuk i ka kërku prej kurrkujt, dhe e ka bë një raport të cilin e keni marrë ju mediat – në ndërkohë që ai raport nuk i ka ardh as ministrit dhe as mu”, tha Durmishi, i cili kur është thirr nga Gazeta Insajderi, para se të jepte përgjigje kërkonte me ngulm emrin e Auditorit të Brendshëm, ndonëse ishte i informuar për rastin.  

    “Cili auditor? Po cili, cili, qysh e ka emrin? Qysh e ka emrin, sepse unë nuk kam asnjë rekomandim – as unë dhe as ministri prej tij, e ju e keni publiku raportin e tij – të cilin ai nuk ja ka dërgu as ministrit as mu”.

    Por, edhe pas publikimit të raportit nga mediat, Durimishi ka konfirmuar se nuk e ka kërkuar atë nga punëtori i Brendshëm i Ministrisë së Infrastrukturës.

    Por, zëvendësministri dhe shefi e tij e posedojnë një raport tjetër të cilin e kanë përpiluar dy auditorë dhe një zyrtar i ministrisë së Mjedisit të autorizuar nga ata, gjë për të cilin u la jashtë grupit auditues, Begzad Musliun drejtori i Njësisë së Auditmit të Brendshëm në MMPHI.

    Pas këtij momentin, Musliu, duke u thirrur në përgjegjësitë e veta ligjore ka bërë një raport i vetëm për krejt procesin e aktivitetit të procedurës se prokurimit të tenderit 16 milionësh.

    Historiku i tenderit 16 milionësh për të cili raportoi ekskluzivisht Gazeta Insajderi

    Në fillim të qershorit, 2022, emri i Liburn Aliut po shkonte trending në mediat e vendit.

    “E ka jaran Liburnin”, ishte vetëm njëra nga pjesët e përgjimit që ishte publikuar në aferën njohur si ‘Liburnia’ e përmes së cilës dëshmohet se daja i këshilltarit të minsitrit Liburn Aliu, Florent Ramqajt është i përfshirë në marrje të ryshfetit.

    30 mijë euro kërkohen nga një biznesmen në emër të kompanisë “Infratek”, që udhëhiqet nga daja i Ramqajt, Halil Jahaj.

    Gazeta Insajderi do të publikonte edhe lidhje më direkte mes Liburn Aliut e Halil Jahajt. Aliu edhe Jahaj janë pjesë e një bordi të përbashkët. Ata janë anëtarë të Bordit Industrial të Fakultetit të Ndërtimtarisë.

    Audi-incizimi i ryshfetit dhe lidhja me tenderin 16 milionësh

    Aliu, që drejton një konglomerat ministrish, atë të Mjedisit e Infrastrukturës, të bashkuara tash, do të dilte në televizion për tu sqaruar për atë audio-incizim ku përmendej edhe emri i tij.

    Në një intervistë të gjatë në Presing të T7, Aliu do të tregonte se beson që ky publikim erdhi pasi që ai mori veprime për të pezulluar një tender fortë të shtrenjtë – tenderin për mirëmbajtjen e autostradave – që peshon hiç më pak se sa 16 milionë euro.

    Ai në këtë intervistë tha që ka kërkuar hetim të brendshëm, pasi që dyshohej se si u shpallën fitues në këtë tender 16 milionësh kompanitë që në mars 2022 u rekomanduan për këtë kontratë.

    Kompanitë që fituan 16 milionëshin për herën e parë

    Në atë dokument del që kompanitë që ishin bërë gati ta merrnin këtë tender ishin: lot 1: grupi i kompanive me lider “Lika Company”, loti 2: grupi i kompanive me lider  kompaninë “2A Group”, loti 3: grupi i kompanive, me lider kompaninë “Damastion Project” dhe loti 4: grupi i kompanive me lider kompaninë “Arbotec”, shkruan Gazeta Insajderi.

    Dokumenti:

    Aliu duke folur se si nxjerrja në publik e audio-incizimit për dyshime për ryshfet lidhej me pezullimin e këtij tenderi, tha edhe që për këtë ka kërkuar “auditim special”.

    Për më shumë, ai kishte mohuar se po për këtë tender ka prishje të raporteve mes tij dhe Hysen Durmishit, zëvendësit të tij në Ministri, që ka përgjegjësi më shumë Ministrinë e Infrastrukturës.

    “Unë kam qenë në burg me Hysen Durmishin. Sot i kemi raportet shumë të mira. Sot jemi taku, kemi pi kafe bashkë”, tha Aliu.

    Kompanitë që fituan 16 milionëshin pas ‘auditimit special’

    Duke folur rreth tenderit, ku thuhet se zë fill përplasja mes tyre, Aliu mohoi se Durmishi po hetohet, por theksoi se ai ka kërkuar auditim.

    “Hysen Durmishi e ka kërkuar auditimin…ai ka iniciuar auditimin, jo hetimin, ne s’bëjmë hetim”, shtoi ai.

    Por, ende pa u bërë një muaj nga këto deklarime, duket që ‘hetimi’ i Liburn Aliut ka përfunduar. Nuk ka gjetur asgjë të keqe. Kjo pasi që më 27 qershor, 2022 Ministria që ai drejton ka bërë njoftimin e fundit për dhënie të kontratës për mirëmbajtjen dimërore të Autostradave ‘Ibrahim Rugova” e Arbën Xhaferi”, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Vlera e parashikuar e kontratës: 16 milionë e 434 000 euro”, thuhet në këtë dokument.

    Edhe në këtë njoftim, si në atë që e dërgoi në ‘auditim special’ Liburn Aliu e Hysen Durmishi, rezultati është i njëjti.

    Loti 1 i është dhënë grupit të kompanive me lider “Lika Company”, loti 2 iu dha grupit të firmave që udhëhiqet nga “2A Group”, loti 3 iu dha grupit të kompanive me lider “Damastion Project”  dhe loti 4: grupi i kompanive me lider kompaninë “Arbotec”.

    Pos auditimit që Liburn Aliu bëri me dije që ka kërkuar për këtë tenderi 16 milionësh, e që tha që u bë me kërkesën e zëvendësit të tij, Hysen Durmishi, po për të njëjtin disa firma që ishin në garë ishin ankuar në Organin Shqyrtues të prokurimit.

    Gazeta Insajderi merr vesh se po për këtë kontratë në Gjykatën e Tenderëve deri tash janë deponuar hiç më pak se katër ankesa nga katër kompani të ndryshme./Gazeta Insajderi/

    Lexo edhe:

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    22 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark