“Sunny Hill nuk do të mbahet në Prishtinë, por në Tiranë”, ky titull ka pushtuar ballinat e mediave shqiptare sot.
Krejt kjo pasi Dukagjin Lipa, babai i këngëtares Dua Lipa përmes një reagimi në Facebook tregoi se arsyeja e zhvendosjes është zvarritja e procedurave për pronën ku do mbahej festivali.
Por, në një dokument të siguruar nga Gazeta Insajderi, thuhet se nga Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal u kërkua që të bëhet përshpejtimi i procedurave dhe disa ndryshime shtesë.
Në letrën e dërguar tek i pari i kryeqytetit, thuhet se ai gëzon mbështetjen nga MAPL për këto procedura.
“Diskutimet dhe propozimet nga takimi lidhur me dhënien në shfrytëzim të pronës komunale për “THE SUNNY HILL’. Sh.p.k, i kemi kuptuar si veprime te kujdesshme gë ky proces të zhvillohet në frymën e parimeve ligjore të legjislacionit në fuqi të Republikës së Kosovës dhe parimin e menaxhimit të drejt me pronën publike për çka do të keni përkrahjen tonë si ministri”, thuhet në dokumentin e siguruar nga Insajderi.
Gjithashtu në dokument thuhet se duhet të merren parasysh disa gjëra, duke filluar nga kohëzgjatja e dhënies së pronës, përdorimi i përbashkët jashtë kalendarit të festivalit dhe gjithashtu mundësia që hapsira të përdoret edhe nga festivalet e tjera.
“Eshtë e rëndësishme që të vendoset mbi parimet e dhënies së pronës publike në shfrytëzim duke e konsideruar
a) Kohëzgjatjen e dhënies së pronës komunale në shfrytëzim b) përdorimin e përbashkët jashtë kalendarit të festivalit me Komunën e Prishtinës, c) mundësia e shfrytëzimit edhe nga festivalet e tjera në vend. Bazuar në këto parime, proceduralisht këtë mund ta zhvillojmë.”, thuhet në dokument
Pavarësisht se këtë letër e pranoi edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i njejti tha se zhvendosja e festivalit ka ardhur “nga zvarritjet e Qeverisë”.
“Qeveria e Republikës së Kosovës duke e zvarritur procesin e vendimit të ligjshmërisë, ka tentuar të ndërhyjë në vullnetin dhe integritetin e asambleistëve shumicë të Kuvendit Komunal të Prishtinës, duke bërë përpjekje të vazhdueshme për të ndërhyrë në kompetencat e Kuvendit të Komunës dhe vullnetit të shumicës, e cila përfaqëson sovranin e kryeqytetit”, thuhet në postimin e Ramës në facebook.
Lajmi në përditësim…