
Një ngjarje e rëndë tronditi Prishtinën më 26 mars të vitit 2024. Dy persona humbën jetën menjëherë pas përplasjes së armatosur mes dy grupeve, ndërsa një i tretë ndërroi jetë disa muaj më vonë duke u munduar t’i ikë policisë. Në mesin e viktimave ishte edhe një grua e pafajshme, e cila ndodhej rastësisht në vendin ku shpërtheu shkëmbimi i zjarrit.
Si ndodhi ngjarja?
Sipas Prokurorisë, në mëngjesin e asaj dite, Naim Berisha ishte sulmuar dhe përndjekur me armë, me qëllim eliminimi, për shkak të mosmarrëveshjeve rreth shitblerjes dhe shpërndarjes së narkotikëve, raporton ekskluzivisht Insajderi.
Pas orës 15:00, të pandehurit Lum Halimaj (i cili më pas u vu në paraburgim), Kaltrim Gashi (që është ende në arrati), dhe dy tashmë të ndjerët, Egzon Haziri dhe Bilal Kqiku, dolën në kërkim të Naimit, për ta përfunduar punën që kishin lënë në gjysmë.
Pak orë më vonë, edhe Naimi, së bashku me vëllain e tij Ahmet Berisha, dolën me veturë për të kërkuar autorët e sulmit të mëngjesit. Rreth orës 19:30, ata u nisën nga shtëpia me një Golf 8 të bardhë. Ahmeti drejtonte veturën, ndërsa Naimi mbante armë automatike të llojit Skorpion.
Rreth orës 21:10, dy grupet u përballën në rrugën “Butrinti”, në lagjen Kolovica.
Vetura Honda e zezë në të cilen gjendeshin personat e “grupi” tjetër ndaloi.
Ahmet Berisha qëlloi i pari. Vëllai i tij Naimi doli nga vetura, u pozicionua pas një shtylle betoni dhe hapi zjarr. Ai qëlloi 15 herë drejt veturës Honda, shkruan Insajderi.
Egzon Haziri, i cili ndodhej në pjesën e pasme, (të Hondas) u godit për vdekje. Plumbat e prekën në zemër, mushkëri dhe aortë.
Në të njëjtën kohë, edhe Bilal Kqiku qëlloi drejt Naimit. Një nga plumbat e tij përfundoi në një veturë civile që ndodhej prapa. Brenda saj ndodhej një grua e pafajshme, Z.G. Ajo u plagos rëndë dhe vdiq nga gjakderdhja e brendshme dhe e jashtme.
Plumbat rrezikuan edhe jetën e katër personave të tjerë në të njëjtën veturë. Njëri prej tyre, E.M, pësoi lëndime të lehta trupore.
Pas përplasjes, Lum Halimaj doli nga vetura, por u godit nga vetura e lëvizur dhe u përplas për një mur.
Kaltrim Gashi kaloi në ulësen e shoferit dhe largoi veturën nga vendi i ngjarjes. Më pas, bashkë me të plagosurit, u nisën drejt emergjencës së QKUK-së.
Rreth orës 21:17, mbërritën në spital. Të katërt dolën nga vetura. Kaltrimi dhe Bilali u larguan përkohësisht për të fshehur armën dhe më pas u kthyen sërish në QKUK.
Tre muaj më vonë, në korrik të vitit 2024, Bilal Kqiku tentoi t’i shpëtonte arrestimit nga Policia e Kosovës.
Ai u hodh nga kati i katërt i një ndërtese dhe vdiq nga plagët e marra, shkruan Insajderi.
Statusi i të dyshuarve:
Naim dhe Ahmet Berisha aktualisht janë në arrati. Ata po akuzohen për veprën penale “vrasje e rëndë”, në bashkëkryerje dhe për rrezikim të jetës së të tjerëve.
Kaltrim Gashi dhe Lum Halimaj po akuzohen për pjesëmarrje në vrasje të dyfishtë dhe për armëmbajtje pa leje. Gashi është ende në arrati, ndërsa Lum Halimaj ndodhet në paraburgim.
Në seancën e fundit gjyqësore, Lum Halimaj deklaroi se nuk e ndjente veten fajtor për veprën që i ngarkohet.
Në vijim mund të ndiqni video-përmbledhjen e aktakuzës së ngritur nga Prokuroria./GazetaInsajderi