Tre burra dhe një grua janë arrestuar dje në Pejë gjatë një aksioni kundër fajdeve. Ata dyshohen për “Fajde, Detyrim dhe Rrëmbim”.
Për katër të dyshuarit është bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit. Gazeta Insajderi ka siguruar dosjen e Prokurorisë ku jepen detaje lidhur me grupin e fajdexhive.
Gazeta Insajderi ka raportuar se personat e arrestuar janë: Valbona Pakashtica, Irfan Pakashtica, Anes Pakashtica dhe Idriz Hajrizi.
Sipas dosjes që ka parë Gazeta Insajderi provat ndaj tyre u grumbulluan duke i përgjuar bisedat e tyre private.
Si operonte ky grup?
Në dosje thuhet se të dyshuarit Anes Pakashtica dhe Idriz Hajziri nga të dëmtuarit kanë kërkuar 24o mijë euro edhe pse investimi ishte 120 mijë euro.
Ata këto të holla i kërkuan duke i kërcënuar viktimat se do i gjuajnë me bombë.
“Takimi i dates 20.06.2024 në mes të viktimave me të pandehurin Anes Pakashtica dhe Idriz Hajrizi ku ndër të tjera i pandehuri e pranon se investimi i tyre është 120.000, mirëpo nga të dëmtuarit kërkon që t’ia paguaj 240.000 në të kundërtën do të ju gjuaj bombe në shtëpi dhe i kërcënon në mënyra të ndryshme“, thuhet në dosje.
Në bisedat e tyre të dyshuarit kanë folur për miliona në Dubai dhe kanë pranuar se kanë kryer rrëmbime.
“Raporti 15 ditor për periudhën 01.02. 2024 deri me 15,02.2024 në të cilin nder të tjera ceket se të pandehurit Pakashtica kanë angazhuar të pandehurin Idriz që përmes forcës me i detyru Y. S. D me të jap 240,000 euro ndërsa keta do ta paguanin 40.000 euro të pandehurin Idriz”, thuhet aty.
Këtë rast e ka hetuar policia nën udhëheqjen e Prokurorit Ersan Qavolli
Lidhur me rastin për Gazetën Insajderi mbrëmë ka dhënë detaje zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikqi, i cili tha se në Pejë janë ndaluar katër persona.
“Me kërkese te Prokurorisë Themelore në Pejë, Departamentit të Krimeve të Renda, Policia e Kosovës ka bastisur disa lokacione në kompetence territoriale të Prokurorisë Themelore ne Pejë dhe janë arrestuar dhe ndaluar me urdhër të Prokurorit të Shtetit 4 persona të dyshuar për veprat penale Fajde, Detyrim dhe Rrëmbim”, tha Shkodran Nikçi për Insajderin.