Berat Mehmetukaj dhe Florentina Dakaj janë arrestuar mbrëmjen e së martës nga Policia e Kosovës nën dyshimin për mashtrim ndaj një viktime. Ndaj dy të dyshuarve iu është caktuar masa e ndalimit prej 48-orëve. Viktimës dy të dyshuarit besohet t’ia kenë marrë 270 mijë euro.
Gazeta Insajderi ju sjell detaje ekskluzivisht nga dosja e Prokurorisë, e cila ka kërkuar masën e paraburgimit ndaj Mehmetukajt dhe Dakajt për veprën penale “Mashtrimi”.
Në dosjen e Prokurorisë thuhet se që nga viti 2022 e deri më qershor të këtij viti, në Istog përmes paraqitjes së fakteve të rreme, ata kanë dëmtuar viktimën dhe e kanë stimuluar ta blejnë një lokal në Istog. Sipas dosjes, dy të dyshuarit nga i dëmtuari kanë përfituar 270 mijë euro.
“Që nga periudha kohore e vitit 2022, në vazhdimësi, e gjer me dt 17.06.2024, në Istog, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, e mashtrojnë të dëmtuarin dhe vazhdojnë lajthimin ndaj tij, dhe me këtë e nxisin që të veprojë në dëm të pasurisë së tij, në atë mënyrë që të pandehurit Florentina Dakaj dhe Berat Mehmet Ukaj, në emër të kinse të blerjesë së një lokali në Istog dhe rritjes së vlerës së tij, nga i dëmtuari kanë përfituar para në shumë prej 270.000 euro, ku nga kjo shumë 188.865,00 euro i dëmtuari i ka transferuar 270 mijë euro”, thuhet ndër të tjera në dosje.
Prokuroria ka kërkuar masën e paraburgimit ndaj dy të dyshuarve nën arsyetimin se të njëjtit mund ta përsërisin veprën penale në rast se lihen të mbrohen në liri.
Pas 48-orësh, pritet të mbahet seanca dëgjimore për ta caktuar një vendim lidhur me dy të dyshuarit.
Përgjatë ditës së djeshme, Policia e Kosovës kanë arrestuar Berat Mehmetukaj dhe Florentina Dakaj, ndaj të cilëve iu është caktuar masa 48-orëshe. /Insajderi.org/