×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Analiza

    Ekskluzive: Zhdukja e 100 mijë eurove në Telekom ndodhi në kohën e AAK-së, Insajderi sjell kontratën e dyshimtë

    Insajderi
    27 March 2022 - 20:50
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    I shumëkërkuari nga Policia e Kosovës, Rinor Konjusha, pronar i kompanisë së marketingut “Smart Marketing”, vazhdon të jetë në arrati. Ai po kërkohet nga policia si i dyshuar për përfitimin e 100 mijë euro përmes një kontrate të nënshkruar me Telekomin e Kosovës përmes rrugëve ilegale e ndaj së cilës janë ngritur hetime nga Departamenti për Krime Ekonomike në Policinë e Kosovës, shkruan Gazeta Insajderi.

    Gazeta Insajderi ka siguruar kontratën e plotë nëpërmjet kërkesës për qasje në dokumente publike në Telekomin e Kosovës.

    Telekomi i Kosovës, e ka konfirmuar për Insajderin, se kontrata është nënshkruar në muajin tetor të vitit 2018. Kjo kontratë, siç mëson gazeta nuk ka shkuar përmes procesit të tenderimit.

    Sipas kontratës, marrëveshja është nënshkruar për t’i shfrytëzuar hapësira reklamuese dhe për vendosjen e adapterëve për mbushje të telefonave në pika të ndrushme në territorin e Kosovës.

    Në pikën 2.2 të kësaj kontrate thuhet se: Partneri mban charger( adaptera) për ri-mbushje të aparateve telefonik, me lokacione të ndryshme në tërë territorin e Kosovës.

    Po ashtu në pikën 2.3 thuhet se: Partneri i jep Telekomit në shfrytëzim hapësirë për reklama, kundrejt pagesës se dakorduar prej 180.000 euro ( për një vit)

    Përmes kësaj kontrate janë rregulluar edhe si duhet të shfaqen reklamat e Tekelomit. Në pikën 3.1 thuhet se:  Partneri duhet të shfaqë/printoj dhe vendos reklamat që ia jep Telekomi dhe pika 3.2 Reklamat i promovojnë produktet dhe shërbimet e Telekomit sipas kërkesës së saj.

    Kjo kontratë është nënshkruar nga ish U.D  kryeshefi ekzekutiv, Trim Musliu me datën 8.11.2018.

    Gazeta Insajderi raporton se kjo ka ndodhur në kohën kur në krye të ekzekutivit ka qenë kreu i AAK-së Ramush Haradinaj. Në këtë periudhë kryesuese e bordit të Telekomit ka qenë Besa Shatri – Berisha gruaja e deputetit të AAK-së Bekë Berishës e cila u shkarkua nga Qeveria Kurti.

    Kjo është kontrata e plotë e nënshkruar mes Telekomit dhe Rinor Konjushës:

    Kush është Trim Musliu, i cili zhvati buxhetin e Telekomit për vite me radhë

    Nënshkruesi i kësaj kontrate që po hetohet nga shteti aktual, Trim Musliu është përballur edhe më herët me akuza dhe është arrestuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

    Burime të Insajderit brenda Prokurorisë Themelore në Prishtinë kishin mësuar se Musliu po dyshohet se ka falsifikuar shkresat zyrtare dhe ka përvetësuar pasuri të Telekomit, në atë mënyrë që më 21 janar të vitit 2019, ka bërë tërheqjen e 239 aparatave telefonikë celularë, me qëllim të shpërndarjes te klientët e Valës, mirëpo këtë pasuri e ka përvetësuar për vete apo për persona të tjerë në mënyrë të kundërligjshme, duke mos i shpërndarë te klientët.

    Po ashtu, Trim Musliu dyshohet për keqpërdorim të një tjetër kontrate të marketingut. Bëhet fjalë për filmin “Mala”, për të cilin dyshohet se Trim Musliu kishte keqpërdorur mjete financiare në vlerë 300 mijë euro.

    Lidhur me këtë kontratë të siguruar nga Gazeta Insajderi janë arrestuar katër punonjës të Telekomit, ndërsa personi i pestë i cili është edhe përfituesi i mbi 100 mijë eurove Rinor Konjushi ndodhet në arrati.

    Kush është Rinor Konjusha, i arratisuri nga policia?

    I dyshuari Rinor Konjusha, si një “biznesmen” nuk figuron në asnjë rrjet social dhe nuk dihet asgjë për të.

    Në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve, emri i tij figuron si pronar i kompanisë së marketingut “Smart Marketing”, biznes ky i regjistruar në muajin Shtator të vitin 2018. Vetëm një muaj para se të fitonte paratë nga Telekomi.

    Kompania “Smart Marketing”, përmes së cilës i dyshuari ka përfituar shumën 100 mijë euro nuk figuron si biznes aktiv. Në ARBK, ka të regjistruar vetëm një punëtor.  

    Gazeta Insajderi, ka provuar të kontaktoj edhe përmes numrit të telefonit që është shënuar tek të dhënat, por nuk ka qenë i qasshëm “Ky numër nuk ekziston”.

    Për përfitimin e këtyre mijëra eurove Rinor Konjushit, i janë dashur disa bashkëpunëtorë brenda Telekomit.

    Insajderi kishte raportuar ekskluzivisht emrat e personave të arrestuar , të cilët janë Kushtrim Jakupi, Mimoza Pireva, Shkurte Shabani dhe Fatime Jashanica.

    Kush janë katër zyrtarët e arrestuar të Telekomit?

    Fatmire Jashanica e cila është punësuar në Telekom në vitin 2003, aktualisht ka pozitën e zyrtares për Monitorim – Departamenti i Marketingut.

    Mimoza Pireva e cila aktualisht punon si zyrtare për Marketing Mix – Departamenti i Marketingut është punësuar në Telekomin e Kosovës në vitin 2005.

    Kushtrim Jakupi është punësuar në Telekom në vitin 2010 dhe aktualisht ka pozitën si zyrtar i ri monitorues – Departamenti i Marketingut

    Dhe personi i katërt i arrestuar është Shkurta Shabani e cila punon si Zyrtare për Shitje – Departamenti i Shitjes që nga viti 2015.

    Çfarë thotë Telekomi i Kosovës lidhur me këto arrestime të zyrtaëve te saj?

    Lidhur me këto zhvillime brenda Telekomit, Fadil Fadil Lepaja, UD Drejtor për Relacione me Publikun ka thënë se Telekomi i Kosovës nuk e ka inicuar këtë hetim, ndërsa për arrestimet është mësuar pasi që kanë ndodhur ato.

    “Menaxhmenti aktual i TK është i përkushtuar që të vendosë ligjshmërinë në të gjitha proceset në kompani dhe të denoncojë të gjitha rastet e evidencuara dhe të dokumentuara të keqpërdorimeve, duke bërë apel që drejtësia të merret urgjentisht me to!”, ka thënë ai në një përgjigje për Insajderin.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark