×
  • Hulumtime/Analiza
  • Aktuale

    Ekskluzive| “Katana Serbia”, shënimi skandaloz në etiketat e armëve të blera nga Ushtria e Kosovës

    Insajderi
    25 April 2022 - 14:30
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ushtria e Kosovës së fundi ka pranuar armë të reja të sjella nga kompania “Katana”. Në etiketat e këtyre armëve pos emrit të Kompanisë është shkruar edhe “Serbia”. Në Ministrinë e Mbrojtjes e as në kompaninë në fjalë nuk pranojnë të japin më shumë detaje, duke u thirrur në ‘konfidencialitet’

    Insajderi

    Më 19 prill të këtij viti Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj publikoi fotografi të një ushtrimi të Ushtrisë së Kosovës. Ushtarët po pozonin me armë të gjata automatike. Disa prej të cilave modele të reja.

    Disa prej modeleve të fundit me të cilat është furnizuar Ushtria janë blerë nga kompania “Poligoni i Shenjëtarisë Katana SH.P.K”. “Katana”, kompani e njohur e përfitimit të tenderëve nga institucionet vendore. Kjo kompani është e themeluar nga Xhafer Gashi, aktualisht kryetar i Obiliqit, shkruan Gazeta Insajderi.

    Ajo çka bie në sy në një nga kontingjentet e fundit me të cilat Ushtria u furnizua nga kjo kompani, janë etiketat e paketimeve të armëve. Në to është shënuar “Katana Shooting Range- Serbia”.

    Gazeta Insajderi, ka rritur që të siguroj dëshmi me fotografi të këtyre etiketave.

    “Katana Shoting Range Serbia”

    Ministria e Mbrojtjes dhe firma kontraktuese për blerje të armatimit “Katana”, ka refuzuar të shpalosin detaje lidhur me këtë çështje kur janë pyetur nga Gazeta Insajderi. Nuk kanë dashur të përgjigjen në pyetjet direkte se pse kjo etiketë figuron te armët e blera nga shteti i Kosovës.

    A i ka blerë firma “Katana” te ndonjë shtet që nuk e njeh Kosovën dhe firma ka pranuar që Kosovën ta pranoj si pjesë të Serbisë, në mënyrë që t’i shiteshin armët? Apo firma ka degë në Republikën e Serbisë dhe armët janë blerë nga kjo njësi e saj në Serbi?

    Gazeta Insjderi që nga data 11 prill 2022 ka dërguar pyetje në Ministrinë e Mbrojtjës së Kosovës për të marrë një përgjigje për këto etiketa të armëve, se si u pranuan ato nga Ushtria derisa është shkruar emri i një vendi që nuk e njeh Republikën e Kosovës dhe konsiderohet vend armiqësor. Derisa për një kohë ata nuk kanë pranuar fare që të japin përgjigje, edhe kur janë përgjigjur nuk kanë pranuar që të japin më shumë detaje.

    Kolonel Sefer Isufi në një përgjigje me shkrim ka përmendur Ligjin për klasifikimin e informacioneve dhe verifikimin e sigurisë dhe duke u thirrur në të, ai i ka thënë gazetës se “Ministria e Mbrojtjes nuk mund të ndajë informacione lidhur me kontraktimet për furnizim me sisteme të mbrojtjes nga kategoria e informacioneve të klasifikuara – niveli i kufizuar dhe sekret”.

    Ani pse i janë dërguar kopje të fotografive nga etiketa e paketimeve të armëve ku është shkruar emri i një vendi armiqësor, në këtë rast i Republikës së Serbisë, Kolonel Isufi nuk ka dhënë përgjigje direkte.

    “Sa i përket çështjeve të ngritura nga ana juaj, ju informojmë se Ministria e Mbrojtjes nuk ka asnjë kontratë publike apo të klasifikuar me operatorët ekonomik të vendeve armiqësore dhe atyre që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës”, thotë ai për Gazetën Insajderi.

    As kompania “Katana” nuk ka pranuar që të jap përgjigje direkte për këtë çështje.

    “Së pari, më lejoni të ju informojë se projektet e furnizimit të Institucioneve Shtetërore të Sigurisë janë projekte të klasifikuara dhe qasja ndaj këtyre informatave është e kufizuar. Prandaj, për të marrë informata lidhur me projektet e tilla, ju lutem t’i drejtoheni autoritetit përkatës”, thuhet në përgjigjen e kompanisë “Katana” për Insajderin, por pa i komentuar fotografitë e etiketave që i janë dërguar.

    “Kompania jonë asnjëherë NUK ka importuar armë, apo çfarëdo produkti për nevoja të Institucioneve Shtetërore të Sigurisë (e as për tregun civil) nga Serbia”, thuhet në përgjigjen e “Katana”.

    As Ministria e Mbrojtjes e as kompania “Katana” nuk kanë treguar se sa ka qenë sasia e kontingjentit të armëve në etiketat e paketimeve të të cilëve figuron emri i Republikës së Serbisë, as se sa kanë kushtuar ato dhe as se si ato u lanë që të hynin brenda objekteve të Ushtrisë me etiketa të tilla.

    Historia e tenderëve të firmës “Katana”

    Kompania “Katana”, që është themeluar nga kryetari aktual i Obiliqit, Xhafer Gashi ka një histori me tenderë me Ushtrinë e Kosovës.

    Që kur Agim Çeku ishte Ministër i Forcës së Sigurisë së Kosovës, i njohur për miqësi me Xhafer Gashin, në vitin 2013 kishte vendosur që të blinte automjete të blinduara nga “Katana”, për një vlerë afro 1.5 milionë euro e kontrata ishte zhvilluar e negociuar. Ishin blerë tri autoblinda të tipit Cobra.

    Në kohën e Çekut, ku zëvendës i tij ishte Bejtush Gashi, po ashtu dikur pjesë e kompanisë “Katana”, kjo firmë fitoi edhe një sërë tenderësh në MFSK, kryesisht të negociuar.  Nga viti 2007-2011 Bejtush Gashi ishte drejtor i Institutit për Studime të Sigurisë dhe Integrimeve “Katana”.

    Kompania po ashtu është kontraktuar nga institucione të sigurisë, si Dogana e Inspektorati Policor. Pasi që kontratat e kësaj natyre jo rrallë herë janë të negociuara, në prokurimin e hapur në vitet 2018-2019 janë listuar vetëm katër kontrata në vlerë prej mbi 280 mijë euro së bashku.

    Në fund të vitit të kaluar Policia e Kosovës, njoftoi kishte planifikuar që të blejë 600 copë jelekë antiplumb të brendshëm, 2 mijë e 300 antiplumb të jashtëm dhe 350 antiplumb taktike për Njësi Speciale. Të gjitha këto antiplumba do të kushtonin 3 milionë e 799 mijë e 800 euro.

    Në janar të këtij viti u raportua se për shkak të mos-emërimit të bordit të Organitt Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), ky tender ende po vazhdon nëpër procese gjyqësore administrative duke qenë i pezulluar nga Policia e Kosovës. Në garë për të është edhe “Katana”. /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark